Kryeministri vlerëson projektbuxhetin dhe ju kërkon deputetëve ta votojnë

Buxheti i 2009, nxjerr Shqipërinë nga gropa e sistemit kleptokratik të qeverisjes së mëparshme
Në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër, gjatë vetëm një mandati qeverisës të ardhurat buxhetore u rritën me 22 për qind, si pasojë e vjeljes së rregullt të taksave dhe kthimin e tyre të investime infrastrukturore dhe dyfishim pagash dhe pensionesh. Kreu i qeverisë, Berisha vuri në dukje se buxheti i 2009-ës, i përgjigjet më së miri realizimit të objektivave madhore të vendit, duke e nxjerrë përfundimisht Shqipërinë nga gropa e korrupsionit dhe kleptokracisë në sistem, ku ishte zhytur gjatë qeverisë së mëparshme
Buxheti i shtetit për vitin 2009, është buxheti më i madh historikisht i miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe që shkon për miratimin përfundimtar në Kuvend, i cili bën të mundur që së bashku me buxhetet e 3 viteve pararendëse, të nxjerrin Shqipërinë përfundimisht nga gropa ku ishte zhytur gjatë qeverisjes socialiste. Kryeministri Sali Berisha, deklaroi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, se ky buxhet, së bashku me buxhetet e 3 viteve pararendëse, e nxorën Shqipërinë nga gropa ku ishte e zhytur.
“Këto u bënë të mundura sepse në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër, këto 4 vjet të ardhurat buxhetore u rritën me 22 për qind. Më lejoni t’u parashtroj një pyetje të gjithë ekspertëve të kësaj fushe, por edhe opozitarëve tanë; Na gjeni një vend tjetër në të cilin, pa shpërthime nafte e gazi të pa pritura, të jenë rritur të ardhurat me 22 për qind, ashtu siç ka ndodhur këto vite në Shqipëri. Këto të ardhura janë rritur në një kohë që janë ulur në mënyrë dramatike taksat”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë, iu referua statistikave, dhe vuri në dukje se “aq sa ka vjelë qeveria e mëparshme e sistemit të kleptokracisë në 3 vite, 2002-2003-2004, në akciza, gjithsej 37 miliardë miliard lekë, aq vjelim ne vetëm në vitin 2008”.
“Kjo ndodh sepse në këtë qeverisje kjo taksë mblidhet dhe nuk vidhet. Edhe qeveria e mëparshme i mblidhte por ato përfundonin në xhepat e zyrtarëve dhe të klaneve të tyre”, u shpreh Berisha.
Ndërkohë, porsa i takon polemikave të opozitës lidhur me buxhetin e vitit 2009, Berisha tha se “unë e kuptoj që zhurmuesit do përpiqen t’i errësojnë këto fakte, por nuk kanë se si, pasi nuk mund të gjejnë sot asnjë mësues që të thotë që nuk kam marrë 75 për qind rrogë më shumë se sa kam marrë 3 vite më parë, nuk gjejnë dot sot banorë të Selenicës që t’u thotë që nuk është asfaltuar rruga e tyre, nuk gjejnë dot banorë të Korçës që të thotë se nuk po bëhet rruga për në Qafë Plloçë, apo nuk po bëhet rruga drejt Prespës, drejt Trenit, drejt Voskopojës, nuk gjejnë dot qytetar që të thotë që nuk janë ndërtuar dhjetëra shkolla në qarkun e Korçës, Vlorës, Shkodrës, etj”.
“Ndaj ata zhurmojnë në mënyra që janë bërë të mërzitshme. Por ne do t’i tolerojmë. Këto janë komentet e mia për buxhetin e vitit 2009, i cili këtë javë do të kalojë në parlament për miratim”, deklaroi më tej Berisha.
Buxheti 2009, kurora e katër viteve të qeverisjes së djathtë”
Buxheti i vitit 2009 përmbush dhe mbështet të gjitha objektivat e programit të mazhorancës, në mënyrën më të plotë, është buxheti i rritjes së shpejtë ekonomike dhe stabilitetit makro-ekonomik. Kështu deklaroi dje kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, duke iu referuar buxhetit të vitit të ardhshëm, që pritet të miratohet këtë javë në Kuvend.
Berisha tha se buxheti i 2009-ës, është buxheti kurorë i katër viteve të qeverisjes dhe buxheti më i madh në historinë e vendit, i cili njëherazi është rreth 50 % më i madh se i vitit 2006, që përkon me qeverisjen demokratike.
“Kam kënaqësinë t’ju informoj se të dhënat edhe për tremujorin e tretë të këtij viti, për rritjen ekonomike, dëshmojnë se Shqipëria vazhdon të ketë rritje dyshifrore. Unë kam bindjen se Shqipëria, edhe në vijim, nuk do të shqitet nga orbita e rritjes së shpejtë ekonomike. Në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ne kemi programuar një buxhet që garanton në të gjitha rrethanat stabilitetin makroekonomik të vendit, deficitin e përcaktuar buxhetor, normën e parashikuar të inflacionit dhe rritjen e shpejtë ekonomike”, tha kryeministri, duke shprehur se buxheti i jep mundësinë qeverisë të përmbushë pikë për pikë premtimet e saj për rritjen e rrogave dhe pensioneve të qytetarëve dhe të ndihmës ekonomike.
Rritja e pagave, pensioneve
dhe përfitimi i familjeve
Berisha tha se buxheti i shtetit për vitin 2009, është buxheti i dytë i çdo qytetari, pasi nga ky buxhet përfitojnë direkt në buxhetin e tyre familjar 800 mijë familje shqiptare. Shefi i ekzekutivit tha se çdo qytetar ka të drejtë të hedhë sytë drejt kësaj arke dhe të thotë: “çfarë përfitoj unë, cili është përfitimi direkt i imi dhe i familjes sime prej këtij buxheti”?.
“Ndaj, dua t’ju informoj se nga ky buxhet përfitojnë direkt në buxhetin e tyre familjar 800 mijë familje shqiptare”, tha Berisha.
Kryeministri theksoi se me këtë buxhet, për gjithë punonjësit e administratës shtetërore, rritja e pagës mesatare në Shqipëri, krahasuar me vitin 2005, arrin në 67 për qind.
“Me këtë buxhet, paga minimale e punonjësve në Shqipëri shkon drejt dyfishimit dhe barazohemi me disa vende anëtare të BE-së, madje, edhe vende me një peshë specifike të madhe në prodhimin dhe zhvillimin botëror. Pra, nëse ka pasur një garë që kjo qeveri e ka ndjekur me vendosmëri të madhe dhe sukses të plotë, ka qenë gara e pagave dhe pensioneve”, tha Berisha.
Sipas kreut të qeverisë, gara për rritjen e rrogave dhe pensioneve është jashtëzakonisht jetike.
“Me këtë buxhet, pensionisti i fshatit që ka marrë 34 mijë lekë pension, do të marrë 72 mijë lekë, pensionisti i qytetit të cilit i kishim premtuar se nuk do të ketë pension në qytet nën 100 dollarë, kalon në një mesatare prej 130 dollarë, infermierja që merrte 150 mijë lekë, nuk do të marrë më pak se 310 mijë lekë, pra ka një mbidyfishim të rrogës, mjeku që merrte 190 mijë lekë deri në 200 mijë lekë, nuk do të marrë më pak se 420 mijë lekë, mësuesi që merrte 220 mijë lekë, do të marrë së paku 440 mijë lekë”, vijoi kryeministri.
Buxheti do të ndërtojë e përfundojë autostrada
Gjithashtu, kryeministri theksoi se ky është buxheti i infrastrukturës evropiane të Shqipërisë, pasi sipas tij me këtë buxhet përfundon së ndërtuari korridorin shqiptar, vepra e shekullit, nis ndërtimi i autostradës Qafë Plloç – Qukës, shkon drejt përfundimit të autostradës Fier – Vlorë, përfundon pothuajse në 2/3 rruga e Arbrit, përfundon studimi i boshtit qendror të jugut, ndërtohet një rrjet rrugor ndërkombëtar nga Vermoshi në Konispol, përfundon rruga e bregut, e cila rikonstruktohet në gjithë gjatësinë e saj, ecet para në aksin Levan - Tepelenë, Sopot – Kamë – Krujë, Has – Kukës, si dhe vazhdon më tej unaza verilindore dhe juglindore e vendit, për të dalë nga Kalaja e Dodës, Peshkopi, Sterblevë, Librazhd.
Kryeministri nënvizoi se me këtë buxhet, këtë javë, nis projekti i madh i ndërtimit të 4 mijë km rrugë rurale, ndërsa theksoi se përmes buxhetit, qeveria realizon investimin për zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe mbështetjen e bujqësisë, që në 4 vite të marra së bashku, arrin në 1.6 miliardë dollarë.
Specifikë tjetër e buxhetit, investimi dhe zhvillimi rural
Buxheti ka një specifikë tjetër shumë të madhe në drejtim të infrastrukturës, sepse përmes tij, kjo qeveri realizon investimin për zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe mbështetjen e bujqësisë. Kjo shifër, në 4 vite të marra së bashku, arrin në 1.6 miliardë dollarë, me të cilat; janë ndërtuar 1600 km rrugë dhe janë në ndërtim e sipër 600 km të tjera. Janë ndërtuar dhe janë në ndërtim e sipër mbi 300 shkolla. Janë ndërtuar she janë në ndërtim e sipër dhjetëra e qindra sisteme kanalizimesh. Vetëm në ujësjellës qeveria ka investuar rreth 200 milionë dollarë, ndërsa në rrugët rurale, me këtë buxhet, investimi arrin në mbi 700 milionë dollarë, duke llogaritur të 4 viteve të marra së bashku.
“Ne jemi qeveri e premtimeve të mbajtura. Ne premtuam projekte për sistemimin e rrugëve dhe po i bëjmë ato. Edhe kjo nismë, është një nismë shumë e rëndësishme për zhvillimin e vendit, është një nismë historike por që ne do ta realizojmë. Kam shumë kënaqësi që me këtë buxhet nis projekti për mbjelljen e ullinjve, që sigurisht që nuk them se do të realizohet brenda 2-3 vitesh. Ky buxhet është buxheti i fëmijëve, të rinjve dhe të rejave shqiptare. Një sistem arsimor i reformuar, shkolla me shërbimin e internetit në mbarë vendin, mësues 2 herë më shumë të mirëpaguar, dyer të hapura në universitete, dyfishimi i buxhetit për arsimin. Pra, ky është buxheti i 600 mijë fëmijëve dhe të rinjve, familjeve të tyre. Buxheti hedh bazat e një reforme të sistemit shëndetësor, me shtyllat kryesore të vendosura deri tani, rrogat e infermierëve dhe mjekëve, dixhitalizimi i gjithë sistemit mjekësor dhe kalimin në financimin e ri, krijimin e marrëdhënieve kontraktuale në procesin e financimit të sistemit shëndetësor”, tha Berisha.
Buxheti i 2009, edhe i zgjedhjeve të lira dhe integrimit në NATO
Duke iu referuar zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, kryeministri siguroi se ky është buxheti i zgjedhjeve të lira.
“Në këtë buxhet janë parashikuar të gjitha fondet për qytetarët shqiptarë, në këto zgjedhje, me një sistem të ri dhe me një legjislacion të ri, të votojnë të lirë si qytetarët evropianë”.
Kreu i qeverisë cilësoi si shumë të rëndësishëm edhe buxhetin e integrimit në NATO, sepse e vendos Shqipërinë në grupin e atyre vendeve që, duke përcaktuar 2 për qind të PBB-së për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, zbaton kërkesë të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
“Buxheti, me gjithë mbështetjen që u bën standardeve të arsimit, të rrogave, të rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve, shkon drejt konsolidimit të standardeve evropiane të domosdoshme për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, nënvizoi kryeministri.
...