Kryeministri Berisha takohet me Kryeministrin e Australisë Kevin Rudd
Gjatë vizitës në SHBA, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryeministrin e Australisë, z. Kevin Rudd. Gjatë bisedës, u diskutua për fuqizimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike.
Kryeministri i Australisë tregoi interes për reformat ekonomike të ndërmarra nga qeveria shqiptare si reforma mbresëlënëse, pasi kanë rezultuar të jenë të sukseshme dhe në një kohë krize botërore dhe që i garantuan Shqipërisë një rritje të mirë ekonomike.
Kryeministri Berisha e njohu me të gjitha masat e ndërmarra nga qeveria në këtë drejtim dhe u shpreh se Shqipëria mirëpret investitorët australianë të investojnë në Shqipëri dhe të shfrytëzojnë potencialet e saj në fushën e energjisë, pasuri minerale, turizëm etj. Shqipëria, tha Kryeministri, ka barrën fiskale më të ulët në Europë, taksën e sheshtë 10%, krah të lirë pune dhe të mirë-arsimuar, prandaj, investimet australiane do të gjejnë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe do të jenë një histori suksesi.
Kreministri Australian u shpreh se do të kontaktojë me korporata të mëdha australiane, të cilat kane interes të investojnë në Shqipëri.
Kryeministri Berisha i kërkoi Kryeministrit të Australisë që, përmes lidhjeve dhe kontakteve me vendet e tjera, të ndihmojë në njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe gjeti gatishmërinë e plotë të homologut të tij në këtë drejtim.
23/09/2009