Kryeministri Berisha i dërgon mesazh ngushëllimi Kryeministrit italian Berluskoni, për fatkeqësinë natyrore në rajonin e Mesinës
Kryeministri Berisha i ka dërguar një mesazh Kryeministrit të Republikës së Italisë. Z. Silvio Berluskoni, përmes të cilit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për pasojat e fatkeqësisë natyrore, të shkaktuar nga reshjet e jashtëzakonshme dhe shkarjet masive të terrenit në rajonin e Mesinës.
Në këtë mesazh, Kryeministri shkruan:
“I nderuar Zoti Kryeministër, Berlusconi,
Me keqardhje të thellë mësuam për fatkeqësinë natyrore të shkaktuar nga reshjet e jashtëzakonshme dhe shkarjet masive të terrenit në rajonin e Mesinës, si pasojë e të cilave humbën jetën një numër i madh qytetarësh të vendit tuaj, u plagosën shumë të tjerë dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.
Më lejoni që në këtë çast dhimbjeje të ndaj me Ju, qeverinë dhe kombin mik italian, hidhërimin për humbjen e jetëve njerëzore dhe t’Ju shpreh, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, por edhe në emër të të gjithë shqiptarëve, ngushëllimet dhe ndjenjat më të sinqerta të solidaritetit njerëzor, për këtë humbje të madhe, për familjet e viktimave dhe kombin tuaj dhe lutjen tonë, që shpirtrat e tyre të gjejnë paqen e amshuar.
Gjithashtu, ne urojmë së bashku me ju për shpëtimin e personave të humbur nga ekipet e specializuara, shërimin e të lënduarve dhe kthimin e tyre të shpejtë në gjirin e familjeve.
Me sigurimet e konsideratës sime më të lartë,
Juaji
Sali BERISHA”
06/10/2009