Kryeministri Berisha: Shqipëria dhe Azerbajxhani, dy vende me potenciale të jashtëzakonshme për të punuar sëbashku

- Shqipëria mund të bëhet një qendër shumë e rëndësishme e energjisë për kompanitë e Azerbajxhanit, në rajon.
Me rastin e vizitës së kryeministrit Berisha dhe delegacionit që e shoqëronte në Azerbajxhan, autoritet azere dhe komuniteti biznesit organizuan një darkë në të cilën merrnin pjesë personalitete politike, fetare dhe të biznesit të vendit si, Zëvendëskryeministri i Azerbajxhanit Nadir Huseynov, Ministri i Sportit dhe i Rinisë, kreu i besimit islam, deputete te Parlamentit, diplomatë dhe perfaqsues kompanish vendase, etj.
Kryeministri Berisha përshëndeti pjesëmarrësit, duke i falenderuar ata për pritjen e ngrohtë dhe miqësore të rezervuar në të gjitha takimet e zhvilluara gjatë kësaj vizite. Kryeministri u shpreh se e vlerësonte vizitën shumë të rëndësishme dhe frytdhënëse në marrëdhëniet mes dy vendeve. “Jam thellësisht i bindur se marrëdhëniet midis vendeve tona do të kenë një të ardhme të shkëlqyer.” - tha gjatë fjalës së tij Kryeministri, duke theksuar se këtë bindje ndanin edhe personalitetet më të larta të Azerbajxhanit, Presidenti Aliyev, kryeministri Rasi-zade dhe kryetari i Parlamentit Asadov.
Duke vlerësuar se Shqipëria dhe Azerbajxhani janë dy vende me potencilale të jashtëzakonshme për të punuar së bashku, kryeministri bëri një ekspoze të mundësive që ofron Shqipëria për investitorët e Azerbajxhanit në fusha të ndryshme si, turizëm, energji, etj. Kryeministri siguroi se qeveria shqiptare nga ana e saj do të bëjë gjithçka për të përmirësuar në vazhdimësi klimën ndaj biznesit, në mënyrë që investimet azere, por edhe të gjitha investimet e huaja në tërësi të jenë një histori e vërtetë suksesi.
Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur pjesëmarrës,
Së pari më lejoni t’ju falenderoj nga zemra për mikpritjen tuaj shumë të ngrohtë, dhe dua t’ju siguroj se ndihem shumë i gëzuar për vizitën një ditore dhe shumë të rëndësishme dhe frytdhënëse në vendin tuaj. Si politikan kam qenë dy herë në pushtet: si president në vitet 1992-1997 dhe Kryeministër prej vitit 2005 e në vazhdim dhe ju siguroj se që kur jam bërë politikan kam bërë më të mirën time. Liderët tuaj i kam takuar edhe më parë. Kam takuar më shumë se një herë presidentin e ndjerë Heydar Aliyev, kur isha president i vendit. Dhe kur erdha në pushtet kam takuar disa herë presidentin Ilham Aliyev dhe kam patur gjithmonë takime shumë miqësore.
Jam thellësisht i bindur se marrëdhëniet midis vendeve tona do të kenë një të ardhme të shkëlqyer. Pas takimit me presidentin Aliyev, ai i tha medias se padyshim që do të ketë zhvillime shumë të rëndësishme në marrëdhëniet e dy vendeve tona. Të njëjtat vlerësime dhe ndenja i gjeta edhe tek kryeministri i vendit dhe kryetari i Parlamentit. Dy vendet tona kanë patur një të shkuar të përbashkët, nën të njëjtën cati, atë të perandorisë otomane. Është detyra jonë për të ndërtuar një të ardhme të shkëlqyer. Ne kemi potenciale të jashtëzakonshme për të punuar sëbashku. Jemi të dy vende që po ecim shpejt drejt zhvillimit. Shqipëria është porta e Ballkanit në Europë dhe porta e Europës në Ballkan. Në vend kemi një mjedis shumë miqësor për biznesin. 4 vitet e fundit investimet e huaja direkte në Shqipëri janë rritur me 316%. Në vitet 2009-2011 eksportet tona u dyfishuan. Shqipëria në vetvete është një vend i vogël në Evropë, por më shumë potenciale. Është një vend plot me ujëra, është një Norvegji e vogël në Ballkan. Prandaj, qeveria shqiptare ka nënshkuar gjatë tre viteve 110 marrëveshje koncensionare me sektorin privat për ndërtimin e 300 hidrocentraleve. Investitorët azerë janë mëse të mirëpritur të marrin pjesë në këtë garë të hapur dhe shumë fitimprurëse. Kompani nga e gjithë bota po punojnë në Shqipëri. Kompanitë turke janë atje. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Shqipëria mund të bëhet një qendër shumë e rëndësishme e energjisë për kompanitë e Azerbajxhanit, në rajon. Shqipëria ka pozicionin gjeografik më të mirë.
Sëbashku me presidentin Aliyev patëm një diskutim shumë frytdhënës mbi gazsjellësin Trans-Adriatik. Turizmi është një fushë tjetër shumë e rëndësishme. Më lejoni t’ju përmbledh shkurtimisht ku ka arritur Shqipëria. Në vitin 2004 vendi im priti 300 mijë turistë dhe vizitorë sëbashku. Në vitin 2011 pati 4.1 milonë turistë dhe vizitorë. Jam i bindur se investitorët azerë do të gjejnë në sektorin e turizmit mundësi shumë të mira për investime.
Të dashur miq,
Erdha me zemër të hapur në këtë vend mik, por ajo cfarë unë konsideroj më të rëndësishme është se gjeta ndjenja dhe vlerësime shumë miqësore nga lidershipi juaj për të inkurajuar marëdhëniet midis dy vendeve. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Më lejoni t’ju jap një shembull. Me Turqinë prej vitesh kemi patur marrëdhënie shumë miqësore. Prej vitit 2005 dhe në vazhdim investimet turke janë rritur më shumë se 7 herë, dhe janë të gjitha investime në sektorë vendimtarë. Ju siguroj se marrëdhëniet ndërqeveritare dhe inkurajimi i biznesmenëve kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Dhe uroj që të luajnë të njëjtin rol në rastin tonë, midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Po theksoj një fakt, në planetin tonë ka patur dy Shqipëri, një "Albania e Kaukazit" dhe një Shqipëri në Ballkan. Cilat ishin lidhjet në të kaluarën është shumë e paqartë, është në duart e historianëve ta qartësojnë atë. Por çfarë do të bëjmë për të ardhmen është shumë më e rëndësishme duke punuar sëbashku, dhe ju siguroj se jam shumë i përkushtuar ndaj saj.
Zoti zvkryeministër, dua të falenderoj nga zemra qeverinë tuaj, presidentin Aliyev për mikëpritjen e ngrohtë dhe miqësore që rezervuat për mua.
Faleminderit shumë.
* * *
Pas takimive të zhvilluara sot me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev, kryeministrin Artur Rasi-zade, dhe Kryetarin e Parlamentit Oktay Asadov, Kryeministri Berisha dhe delegacioni që e shoqëronte vizituan disa vende me rëndësi dhe interes kulturor të kryeqytetit të Azerbajxhanit, Baku.
Fillimisht Kryeministri vizitoi Muzeun e Flamurit, i cili ndodhej nen flamurin e madh ne qender te sheshit. Ky flamur është shënuar si një rekord guiness për nga lartesia e shtylles ku eshte vendosur dhe pesha.
Gjatë vizitës së tij në muze, kryeministri Berisha la një shënim në librin e përshtypjeve. Më pas, kryeministri Berisha dhe delegacioni shoqërues panë nga afër edhe vendin ku po ndertohej pallati per Eurosong 2012.
09/02/2012