E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Presidentin e Azerbajxhanit, zoti Ilham Aliyev, në Baku

- Kryeministri kërkoi ndihmën e qeverisë së Azerbajxhanit për hartimin e një masterplani për gazifikimin e Shqipërisë
- Presidenti Aliyev premtoi mbështetjen e plotë të vendit të tij për hartimin e masterplanit te gazifikimit të Shqipërisë dhe zbatimin e këtij projekti nga ndërmarrjet azere

Kryeministri Berisha u prit sot në mëngjes nga Presidenti i Azerbajxhanit, zoti Ilham Aliyev, në Pallatin Presidencial, në Baku, ndërsa po merr pjesë në punimet e Forumit Ekonomik Botëror, me temё “Dialogu strategjik mbi tё ardhmen e Kaukazit Jugor dhe Azisë Qendrore”.

Në këtë takim, Presidenti Alyiev dhe Kryeministri Berisha shprehen kënaqësinë për progresin e shpejtë të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe kombeve tona, si dhe vendosmërinë për zhvillimin e tyre të mëtejshëm dhe të gjithanshëm. Kryeministri Berisha e siguroi Presidentin Aliyev për mbështetjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për investitorët azer të interesuar për të investuar në Shqipëri.

Vend të veçantë në këtë takim zunë diskutimet për projektin e gazsjellësit trans- Adriatik TAP. Kryeministri Berisha theksoi në takim se TAP është projekti më fizibël, më ekonomik dhe me tregun më të gjerë edhe më të garantuar.

Kryeministri Berisha e njohu presidentin Aliyev me marrëveshjet trilaterale të firmosura nga Shqipëria, Italia dhe Greqia, ratifikimin e tyre nga Shqipëria dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të përmbushur me përkushtim detyrimet që rrjedhin nga këto marrëveshje dhe të gjitha detyrimet kontraktuale të këtij projekti. Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Aliyev me interesin e madh që tregojnë për projektin TAP vendet e tjera të Ballkanit. Presidenti Aliyev theksoi se gjatë muajve që vijnë konsorciumi Shah Deniz 2 do të vendosë për projektin që do të përzgjedhë për transportin e gazit Kaspik në Evropë dhe, sigurisht, kriteret ekonomike dhe të tregut do të kenë një rëndësi parësore në vendimin e tyre.

Kryeministri Berisha kërkoi ndihmën e qeverisë së Azerbajxhanit për hartimin e një masterplani për gazifikimin e Shqipërisë. Presidenti Aliyev premtoi mbështetjen e plotë të vendit të tij për hartimin e masterplanit të gazifikimit të Shqipërisë dhe zbatimin e këtij projekti nga ndërmarrjet azere. Në takim u diskutua për bashkëpunimin në fushën e turizmit, energjisë së rinovueshme dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Kryeministri Berisha ftoi Presidentin Aliyev për të vizituar Shqipërinë në kohën më të shpejtë e më përshtatshme për të.  Presidenti Aliyev e pranoi më kënaqësi ftesën.


08/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›