Kryeministri Berisha takohet me Kryeministrin e Azerbajxhanit, zotin Artur Rasizade
Kryeministri Berisha, në vijim të vizitës së tij në Baku, zhvilloi sot në mesditë një takim me Kryeministrin e Azerbajxhanit, zotin Artur Rasizade.
Kryeministri Berisha e falënderoi homologun e tij, zotin Rasizade për mikpritjen dhe për të gjithë angazhimin e kabinetit qeveritar për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën ekonomike dhe sociale.
Kryeministri Rasizade i uroi mirëseardhjen Kryeministrin Berisha dhe shprehu rëndësinë që ka kjo vizitë për të kontribuar edhe më tej në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Gjithashtu, Kryeministri Rasizade tregoi interes lidhur me ecurinë e ekonomisë shqiptare në kushtet e krizës në vende të tjera evropiane.
Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të ecurisë së zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, thithjes së investimeve të huaja e rritjes së qëndrueshme ekonomike përmes reformave fiskale të ndërmarra për nxitjen e zhvillimit ekonomik, veçanërisht në sektorët e energjisë, bujqësisë dhe turizmit.
Kryeministri Rasizade e përgëzoi Kryeministrin Berisha për progresin e arritur dhe paraqiti interes të veçantë për investime edhe në fushën e energjisë hidrike, turizmit, krahas investimeve në fushën e gazit dhe të naftës.
Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Rasizade, në mbështetje të përpjekjeve për konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe, nënshkruan marrëveshjen “Për bashkëpunimin ekonomik, industrial e teknologjik mes dy vendeve”.
08/04/2013