E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun

Kryeministri Berisha pati sot një takim, në New York, me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Zotin Ban Ki Mun. Në takim u diskutua mbi bashkëpunimin midis Kombeve të Bashkuara e agjencive të saj dhe Shqipërisë, reformat e ndërmarra dhe zhvillimet në vend, si dhe për çështjen e Kosovës dhe bashkëpunimin rajonal.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar nga Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e saj gjatë këtyre 15 viteve në Shqipëri, ndihmë e cila ka patur rëndësi të jashtëzakonshme për reformat dhe zhvillimin e vendit. Kryeministri falënderoi Zotin Ban Ki Mun për vendimin për ta bërë Shqipërinë një vend model të reformës "Një OKB", si i vetmi vend në Europë që merr pjesë në këtë model.

Në takim u diskutua mbi reformat e ndërmarra nga qeveria dhe zhvillimet në vend. Në mënyrë të veçantë, Kryeministri u ndal në masat e marra në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si rrjedhojë e të cilave Shqipëria sot nuk është më një vend trazitimi për trafikun, por janë goditur të gjitha aktivitetet dhe grupet e organizuara kriminale. Kryeministri theksoi se një nga prioritetet kryesore të qeverisë do të vazhdojë të jetë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kryeministri Berisha e njohu Zotin ban Ki Mun edhe me reformat ekonomike, veçanërisht përpjekjet e saj për përmirësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Një çështje tjetër e diskutuar ishin edhe reformat e qeverisë në luftën kundër ekstralegalitetit dhe ekonomisë informale, në të cilën janë bërë hapa të ndjeshëm para. Kryeministri Berisha falënderoi Zotin Ban Ki Mun për ndihmën e madhe të dhënë nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD), që ka mundësuar edhe asistencën për hartimin e reformave në këtë fushë, në bashkëpunim me Institutin për Liri dhe Demokraci, të kryesuar nga Zoti Hernando De Soto.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun përshëndeti kontributin personal të zotit Berisha në drejtimin e qeverisë dhe në reformat e ndërmarra prej saj. Ai përshëndeti Kryeministrin Berisha për përpjekjet dhe rezultatet në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, duke nënvizuar se suksesi në këto përpjekje është i rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin e brendshëm të Shqipërisë, por dhe për integrimin në NATO dhe në BE. Zoti Ban Ki Mun shprehu optimizmin e tij se Kryeministri Berisha do të vazhdojë të drejtojë qeverinë e tij në thellimin e reformave për zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij në strukturat euroatlantike. Ai shprehu bindjen se projekti "Një OKB" në Shqipëri do të jetë i suksesshëm, për t'i hapur rrugën zbatimit të kësaj reforme më vendet e tjera.

Në mënyrë të veçantë, Zoti Berisha dhe Zoti Ban Ki Mun u ndalën në diskutimin e çështjes së Kosovës. Kryeministri Berisha u shpreh se çështja e Kosovës është çështja më e rëndësishme për t'u zgjidhur, për t'u dhënë fund krizave ballkanike. Ai falënderoi Zotin Ban Ki Mu dhe administratën e Kombeve të Bashkuara të UNMIK-ut në Kosovë për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë për të ndihmuar në ndërmarrjen e reformave të thella, krijimin e institucioneve demokratike dhe përmirësimin e qeverisjes atje. Kryeministri tha se qeveria shqiptare mbështet pavarësinë e Kosovës si e vetmja zgjidhje, e cila do të sjellë dhe garantojë paqen dhe stabilitetin ne Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe në të gjithë rajonin. Ai theksoi se ndarjet dhe copëtimet janë të rrezikshme dhe hapin derën edhe për copëtime të mëtejshme. Zgjidhja e duhur, tha Kryeministri, është respektimi i kufijve ndërkombëtar duke përfshirë edhe kufijtë e Kosovës. Kryeministri u shpreh se, fatkeqësisht, qëndrimi i Serbisë është ekstremist, i paarsyeshëm, pasi Beogradi nuk kërkon zgjidhje, por kërkon ndarje.

Kryeministri u shpreh se ne mbështesim plotësisht paketën e Presidentit Ahtisari, propozimet e të cilit kanë të gjithë potencialin për të sjellë paqe dhe stabilitet në Kosovë. Gjithashtu, zoti Berisha tha se vonesat në njohjen e statusit final të Kosovës nuk janë të frytshme. Ai u shpreh se Kosova sot ndeshet me vështirësi të jashtëzakonshme ekonomike e sociale, ku 70 për qind e popullsisë së saj, kryesisht te rinj, është e papunë, ndërkohë që ekonomia është e dobët, pasi është vështirë për të investuar dhe për t'u angazhuar në një vend i cili ka status të paqartë. Për këtë arsye, vonesat në vendosjen e statusit do të kenë pasoja negative për të ardhmen e Kosovës. Kosova ka dëshmuar se është e aftë të krijojë institucione demokratike, një shoqëri multietnike dhe të respektojë të drejtat e njeriut dhe të pakicave. Populli i Kosovës e ka shprehur haptazi qëndrimin e vet për pavarësi dhe ne jemi të bindur se pavarësia është i vetmi opsion i duhur për të ardhmen e Kosovës, theksoi Kryeministri.

Zoti Ban Ki Mun e falënderoi Kryeministrin Berisha per pikëpamjet e tij në lidhje me çështjen e Kosovës. Ai gjithashtu e falënderoi atë për mbështetjen që ai dhe qeveria shqiptare i kanë dhënë Presidentit Ahtisari dhe misionit të tij. Zoti Ban Ki Mun u shpreh se zgjidhja e statusit final të Kosovës është shumë e rëndësishme jo vetëm për rajonin, por edhe për të gjithë Europen. Ai ndau të njëjtin mendim me Kryeministrin Berisha se vonesat në zgjidhjen e statusit të Kosovës janë të panevojshme dhe të padobishme. Për këtë arsye, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së theksoi se ai është duke punuar me të gjithë aktorët ndërkombëtar për të bërë të mundur arritjen e konsensusit për zgjidhjen statusit të Kosovës. Zoti Ban Ki Mun u shpreh se plani Ahtisari ka të gjithë elementët e arsyeshëm për të siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë, si dhe për të siguruar një të ardhme evropiane për Kosovën dhe të gjithë rajonin.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara falënderoi Kryeministrin Berisha për qendrimet konstruktive të tij dhe të qeverisë së tij në lidhje me çështjen e Kosovës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›