E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervistë e plotë e Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Sali Berisha, në rrjetin televiziv amerikan CNN

CNN: Zoti Kryeministër, në një moment kur duket se procesi për statusin e Kosovës ka ngecur, çfarë mund të bëjë Shqipëria dhe komuniteti ndërkombëtar tani për ta çuar procesin e statusit të Kosovës përpara?

Kryeministri Berisha: Mendoj se Presidenti Bush ishte plotësisht i qartë dhe kishte plotësisht të drejtë se prej një viti dokumenti i Presidentit Ahtisaari po shkon nga njëra shtyrje në tjetrën dhe nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e palës tjetër. Me duket se të presësh Serbinë që të jetë realiste, për momentin, është pothuajse njëlloj sikur të presësh Godonë. Sepse, ende fantazma e Serbisë së Madhe jeton në Beograd. Përsa i përket Rusisë, nuk e di nëse kjo është për arsyet e Serbisë apo për disa arsye specifike të Rusisë që Rusia po mban një qëndrim të tillë. Megjithatë, Kosova është unike në rastin e saj, nuk ka asnjë rajon tjetër ku lufta është zhvilluar për liritë dhe të drejtat e një populli.

CNN: Nëse mund t`ju ndërpres për një moment z. Kryeministër, çfarë do të dëshironit ju që komuniteti ndërkombëtar të bëjë në mënyrë specifike për të ndihmuar çështjen e pavarësisë së Kosovës?Çfarë mund të bëjnë ata përballë qëndrimit të Rusisë?

Kryeministri Berisha: Mendoj se mund të miratojnë rezolutën dhe të ndihmojnë Kosovën të ndërtojë pavarësinë e saj, si e vetmja mundësi për të siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe më gjerë. Kjo është zgjidhja e vetme.Çdo shtyrje tjetër është e dëmshme dhe Rusia nuk po paraqet asnjë opsion tjetër përveç bllokimit.

CNN: Z. Kryeministër, le të kthehemi tani tek vizita e Presidentit Bush javën e shkuar në Shqipëri. Ai u prit në mënyrë mjaft të ngrohtë nga gra dhe burra në rrugët e Shqipërisë. U pa qartë që edhe ju gjithashtu i bëtë një pritje të ngrohtë. A u befasuat nga ngrohtësia e pakufishme që i ofruan njerëzit Presidentit Bush në rrugët e Shqipërisë?

Kryeministri Berisha: Nuk u befasova aspak. Besoj se këta qytetarë përfaqësojnë çdo shqiptar, sepse SHBA janë si një shtyllë e botës dhe kanë luajtur një rol thelbësor në momentet tona kritike, pas pavarësisë. Ishte Presidenti Uillson që bllokoi planin e copëzimit të mëtejshëm të vendit tim. Më vonë, në vitet ‘90, ishte Presidenti Bush, Kongresi dhe Senati ameritan, që punuan shumë për të mos lejuar Shqipërinë të bëhej "Kuba" e Adriatikut. Presidenti Bill Klinton udhëhoqi luftën për çlirimin e Kosovës. Në këtë kontekst, Shtetet e Bashkuara siguruan një ndihmë shumë të madhe për shqiptarët, për të ndërtuar liritë dhe demokracinë e tyre. Atë pritje që pati në Fushë-Krujë, Presidenti Bush do ta kishte në çdo qytet të Shqipërisë.

CNN: Kryeministri i Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, faleminderit shumë që ishit me ne.

Kryeministri Berisha: Faleminderit, kënaqësia ishte e imja.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›