E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me ambasadorin e Suedisë, vend i cili mban presidencën e BE-së


Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Suedisë për Shqipërinë, rezident në Shkup (Maqedoni), zotin Lars Freden, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin Freden për mbështetjen që Suedia i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat, si në aspektin dypalësh, ashtu dhe në kuadër të presidencës së radhës të BE-së. Ambasadori Freden e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe e uroi për rikonfirmimin e tij si Kryeministër dhe njëkohësisht, ai shfrytëzoi rastin ta uroi Kryeministrin Berisha për veprën madhore të autostradës Durrës-Kukës-Morinë. “Sapo u ktheva nga Prizreni përmes kësaj rruge madhështore, e cila është një arritje e madhe e qeverisë shqiptare,” u shpreh ambasadori Freden. Në takim, u diskutua për prioritet dhe punën që po bën qeveria shqiptare për integrimin me hapa të shpejtë të vendit në BE, si dhe për prioritetet e presidencës suedeze të BE-së për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe rajonit në BE. Në takim u rikonfirmua gatishmëria e dy qeverive për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë për të përmbushur me sukses objektivat e qeverisë shqiptare dhe presidencës së radhës së BE-së në lidhje me hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit europian. Kryeministri Berisha i bëri gjithashtu, me dije ecurinë dhe rezultatet e reformave të qeverisë shqiptare, si dhe të projekteve të rëndësishme infrastrukturore që janë duke u zhvilluar në Shqipëri, të cilat synojnë ndërtimin e një infrastrukture moderne dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit, por që do t’i shërbejnë edhe integrimit rajonal dhe bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›