Mideja e adoleshentit të paplotësuar, si politikë zyrtare e opozitës
Para pak kohësh, disa besimtarë të kishës së St. Peter-at-Goets në Lincoln, të Britanisë së Madhe, u përballën me një krizë të vogël. Për vite të tëra ishin lutur përpara një ikone të vjetër, që mendonin se ishte Shën Mëria. Pastaj erdhi një arkeolog cinik që i informoi për faktin e vërtetë se kishin të bënin me “Ahriman”, perëndinë e së keqes në religjionin e vjetër mitraik të persëve.
Kjo hyrje u përdor për të thënë se njerëzit gabojnë nga zelli për ta mbajtur diçka me forcë. Madje nuk ndalen përpara asgjëje dhe luten e ndihmojnë edhe përpara të keqes. Tek këta tipa mund të hyjë edhe Gramoz Ruçi, njeriu që e këshillon përditë e më shumë Ramën se çfarë duhet të bëjë. Këtë e kemi kuptuar të gjithë edhe nga dalja e fundit e ish-ministrit të sigurimit komunist, sot kryetar i asamblesë, pra i popullit socialist. Tek intervista e lartpërmendur televizive, pak i ngrysur e me poza të ngjeshura autoritari, ai na shpjegoi sesi pas rezultatit zgjedhur të 28 qershorit Edi Rama na paska dashur të japë dorëheqjen, por me forcë e paskan ndalur strukturat e Partisë, që kryesohen - siç thamë - nga Gramozi. Merret me mend se në këtë rast, strukturat e PS-së janë më të përgjegjshme politikisht se politikani i papërgjegjshëm për të marrë një vendim të parevokueshëm, si Edi Rama. Deklarata e Ruçit nuk na çuditi më shumë sesa dorëheqja e revokueshme në pak orë e Edi Ramës, sepse kjo i ngjaka asaj lojës për fëmijë, kukafshehti, të cilit i thonë: “ulu aty, mbylli sytë e kur të të themi ne hapi, sepse jemi më të mëdhenj e më shumë në numër, për të treguar se çfarë duhet të bësh”. U zbuluan edhe zërat nga lart, misioni i Edi Ramës, në të vërtetë qenka misioni i Gramoz Ruçit. Shumë shqiptarë e dimë mirë seç përfaqësonte Ruçi gjatë protestave të 2 prillit 1991 në Shkodër.
Mirëpo cilat janë këto struktura që kanë të drejtë të tërheqin një dorëheqje? Ka dy mënyra për ta kuptuar; e para është ideologjike, sepse tek Rama shohin djalin e tyre bllokmen, kurse e dyta - që është më afër të vërtetës - shohin se Rama është një kryetar që mund të komandohet nga të tjerët. Pra Rama nuk komandon, ai komandohet nga partia, ose strukturat ish-sigurimse të saj. Këta struktura nuk janë që tjetër veçse një grup “radikalësh llafazanë”, që mbështesin pa kushte kryetarin dhe që e kanë lidhur të tashmen pa kthim dhe fatin e tyre politik me të. Veç deputeteve të vjetër si Fatmir Xhafa apo Erjon Braçe, këtu hyjnë shumë deputetë të rinj, që janë gdhirë ligjvënës për longa manus të Ramës. Ata janë të bindur se Rama iu afrua shume fitores dhe herën tjetër, ajo do të vijë si fryt i pjekur. S’ka dyshim se nuk është hera e parë që Rama ka treguar paqartësi të forta në profilin e vet politik. Pa asnjë personalitet, ai po bëhet i zellshëm në disa qëndrime, sa për t’u pëlqyer të tjerëve, në këtë rast Mozit.
Në një intervistë tjetër të Ben Blushit, para disa ditësh patëm disa sqarime të qarta mbi kryetarin e PS-së, kur ai tha se Rama është një njeri i llastuar, një politikan i llastuar nga strukturat e partisë, të cilat i kanë falur shumë të meta, numri i të cilave është më i lartë se vetitë e mira. Ky llastim i tepërt po e çon PS-në drejt shpërbërjes. Kuptohet vetiu përse e thotë Blushi tani këtë gjë. Sepse sipas llogarive të Ruçit, duke e ndjerë se e vetmja figurë që mund të ishte pasardhësi i kreut të PS do të ishte Ben Blushi, kërkoi me çdo kusht ta pengonte marshimin e tij drejt këtij posti duke iu rikthyer - pas dyshimeve të para - mbështetjes për Edi Ramën. Nuk ka asgjë të keqe në këtë mendim, se Ai është më i manipulueshëm ideologjikisht sesa Blushi, e afërmendsh kuptohet se më pas, mbështetja e strukturave shkoi për të parin, meqë ai, pra Rama, është profeti i politikës kozmetike, që fillon me make-up e kryeqytetit - pa ide e memec në komunikim - e që po përfundon kësisoj në një lloj angazhimi hormonal për të gjykuar çdo çështje publike sipas midesë së një adoleshenti. Gjithçka tregon një papjekuri të lartë, morale fillimisht, por edhe politike. Kur Rama do akullore, se kështu është mësuar në Bllok, shumë veta turren t’ia plotësojnë këto tekë. Po sikur tekanjozi, në vend të akullores, të kërkonte diçka me të madhe? Kush do të ishte i pari që do të turrej për t’ia plotësuar qejfin? Padyshim do të ishin strukturat e partisë ato që do të vendosnin, sepse Rama është si një fëmijë i llastuar që gabon, e që nuk i vihet re ç’thotë.
Së fundmi e majta po përballet me një oshëtimë ndërkombëtare talljeje, krejt menefregiste për kushtet e opozitës. Sakaq, edhe strukturat e partisë më në krye Ruçin, as po pyesin fare për vullnetin e ndërkombëtarëve. Vetë Mozi po na kujton se është akoma ministër i Brendshëm i diktaturës, që mund t’i lejojë vetes gjithçka kundër imperializmit dhe kapitalizmit... Por sot kohët kanë ndryshuar, paçka se pakkush rreth Edvinit e Mozit e ka kuptuar.
...