E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me ekipin e Bankës Botërore, “Doing Business”

-Kryeministri Berisha siguroi ekipin e BB se qeveria do të konsiderojë dhe impelementojë rekomandimet e tyre

Kryeministri Berisha priti sot ekipin e Bankës Botërore, “Doing Business”, të kryesuar nga Marialisa Motta dhe që shoqërohej nga përfaqësuesja e BB në Tiranë, znj.Camilla Naumah.

Ky ekip ndodhet në Tiranë për të vazhduar asistencën ndaj qeverisë shqiptare për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit në Shqipëri.

Përfaqësuesja e ekipit të “Bankës Botërore, “Doing Business”, i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet për arritjet e shkëlqyera në fushën e reformave për përmirësimin e klimës së biznesit në vend.

Zonja Motta e falënderoi Kryeministrit Berisha për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet ekipit të Bankës Botërore dhe qeverisë së tij, lidhur me implementimin e reformave të ndërmarra. Ajo dhe grupi i BB, “Doing Business”, e ndërmorën këtë vizitë me kërkesë të qeverisë shqiptare për të vazhduar përmirësimet e mëtejshme në kuadrin ligjor, administrativ dhe proceduarial që lidhet me klimën e biznesit.

Ekipi i Bankës Botërore i prezantoi Kryeministrit Berisha punën e bërë deri më tani dhe e siguroi se ata do të vazhdojnë deri në arritjen e rezultateve dhe objektivave të kërkuara nga qeveria. Ata i prezantuan Kryeministrit Berisha me hollësi rekomandimet dhe sugjerimet për thellimin e mëtejshëm të reformave.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e falënderoi ekipin për ndihmën e dhënë më parë, rezultatet e së cilës u kurorëzuan me renditjen e Shqipërisë në vend të dytë për ekonomitë më të reformuara dhe me klimën me të mirë për biznesin në botë.

Duke i falënderuar dhe për ndihmën që ky ekip do të japë në vazhdim, Kryeministri Berisha i siguroi se qeveria e tij dhe strukturat e saj do të konsiderojë dhe impelementojë rekomandimet e ekipit të Bankës Botërore, të cilat ndihmojnë ekonominë shqiptare të lëvizë më me shpejtësi drejt progresit.


26/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›