Kryeministri Berisha takon Sekretaren e Përgjithshme të Fondit Egjiptian të Commonwealth-it
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Sekretaren e Përgjithshme të Fondit Egjiptian të Commonwealth-it, Znj. Safia Ibrahim Amin.
Pasi i uroi mirëserardhjen Kryeministri Berisha i shprehu znj. Amin mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare ndaj Presidentit Mubarak, Kryeministrit Nazif dhe qeverisë egjiptiane për ndihmën e çmuar që Egjipti ka dhënë përmes Fondit Egjiptian të Commonwealth-it në shumë fusha duke filluar nga ajo e diplomacisë, trajnimit të administratës publike, policisë etj.
Znj. Amina e falenderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen dhe shprehu gatishmërinë dhe vendosmërinë e Egjiptit për të vazhduar bashkëpunimin përmes Fondit Egjiptian të Commonwealth-it në fushat që kanë të bëjnë me trajnimin e administratës publike dhe me evenimente të tjera në fusha të tjera si kultura, arsimi etj.
Të dy palët shprehën gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin në fushën ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare dhe për nxitjen e sipërmarrësve egjiptianë për të investuar në Shqipëri.
26/11/2008