ëposhtme:
Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjet dhe vendimet e mëposhtme:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR TREGTINË ELEKTRONIKE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për tregtinë elektronike”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
TREGTINË ELEKTRONIKE
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti dhe qëllimi
Objekti i këtij ligji është vendosja e rregullave për kryerjen e veprimeve tregtare në rrugë elektronike, nëpërmjet shërbimeve të ofruara nga shoqëria e informacionit, për mbrojtjen e personave pjesëmarrës, mbrojtjen ligjore të konfidencialitetit të konsumatorëve apo e të dhënave konfidenciale të pjesëmarrësve në të, si dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të shërbimeve të informacionit, duke përcaktuar përgjegjësitë e ofruesit të shërbimeve të shoqërisë së informacionit.
Neni 2
Fusha e veprimit
1. Ky ligj zbatohet për shërbimet e shoqërisë së informaiconit kundrejt personave, fizikë a juridikë, përfitues të tyre, me përjashtim të:
a) Veprimeve noteriale ose veprimeve të tjera të ngjashme, që lidhen drejtpërdrejtë me ushtrimin e autoritetit publik;
b) Përfaqësimit të personave dhe mbrojtjen e interesave të tyre para administratës publike dhe gjykatave, si dhe në çdo organ, ku paraqitja e personit mund të bëhet nga të tretët, nëpërmjet akteve të përfaqësimit;
c) Veprimtarisë me pagesë për pjesëmarrjen e lojtarëve në bastet, llotaritë, lojërat e fatit, lojërat elektronike, hipodromet dhe kazinotë.
2. Ky ligj nuk i shtrin efektet për marrëdhëniet juridike, që krijohen:
a) në fushën e tatim-taksave;
b) për mbrojtjen e të dhënave personale;
c) për çështjet, që lidhen me praktika e marrëveshje, të rregulluara nga ligji i konkurrencës.
Neni 3
Përkufizimet
Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtme do të nënkuptohen:
a) “Shërbimet e Shoqërisë së Informaiconit”, shërbimet, që ofrohen përkundrejt pagesës, në distancë, nëpërmjet mjeteve elektronike dhe me kërkesë individuale të marrësit të shërbimit.
Me fjalët:
i) “Në distancë”, nënkuptohet se shërbimi ofrohet pa qenë e nevojshme që të dyja palët të jenë të pranishme, në të njëjtën kohë.
ii) “Nëpërmjet mjeteve elektronike”, nënkuptohet se shërbimi dërgohet nga pika e origjinës dhe merret në destinacionin përfundimtar, me anë të pajisjeve elektronike, për përpunimin (përfshirë edhe kompresimin numerik) dhe ruajtjen e të dhënave.
Dërgimi, transmetimi dhe marrja e plotë bëhet nëpërmjet kabllove, radiovalëve, mjeteve optike dhe mjeteve të tjera elektromagnetike.
iii) “Me kërkesë individuale të marrësit të shërbimit”, nënkuptohet se shërbimet ofrohen nëpërmjet transmetimit të të dhënave, me kërkesë individuale të marrësit.
Shërbimet e shoqërisë së informacionit përfshijnë, në veçanti, shitjen e mallrave e të shërbimeve, shërbimet e aksesit të informacionit apo të reklamave në internet e të aksesit në shërbimet e rrjeteve publike të komunikimit, transmetimin e të dhënave ose ruajtjen e të dhënave të marrësit në rrjetin publik të komunikimeve.
b) “Ofruesi i shërbimit”, çdo person, fizik ose juridik, që ofron një shërbim të shoqërisë së informacionit.
c) “Ofrues shërbimi të themeluar”, personi, fizik a juridik, që ofron shërbimin dhe që ushtron veprimtarinë ekonomike në mënyrë të përhershme, e që ka një seli të vet, të regjistruar. Ekzistenca dhe përdorimi i mjeteve teknike dhe i teknologjive të kërkuara për ofrimin e shërbimit nuk përbën, në asnjë rast, arsye për t’u konsoliduar si ofrues shërbimi, i themeluar për këtë qëllim.
ç) “Marrësi i shërbimit”, çdo person, fizik ose juridik, i cili për qëllime profesionale a të ndryshme, në mënyrë të veçantë, për qëllime të kërkimit të informacionit dhe bërjen e tij të aksesueshëm, përdor një shërbim të shoqërisë së informacionit.
d) “Ndërmjetës i shërbimit”, çdo person, i cili mundëson transmetimin e mesazheve apo të dokumenteve të ofruesit të shërbimit të shoqërisë së informacionit te të tretët, apo që çon mesazhe a informacione nga marrësit e shërbimit dhe të mallrave nga të tretët tek ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacionit.
dh) “Konsumator”, çdo person, i cili blen ose përdor mallra a shërbime për plotësimin e nevojave vetjake, për qëllime, të cilat nuk kanë lidhje me veprimtarinë tregtare ose ushtrimin e profesionit.
e)“Komunikimi tregtar”, çdo mënyrë komunikimi për nxitjen e drejtpërdrejtë ose të tërthortë për tregtimin e mallrave, të shërbimeve ose profilin dhe të dhënat e një tregtari a shoqërie tregtare, organizate jofitimprurëse a personi, që kryen një veprimtari tregtare, industriale ose ushtron një profesion.
Nuk janë komunikime tregtare, në kuptim të këtij ligji,:
i. informacionet, që lejojnë akses të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e shoqërisë, të organizatës ose personit, në veçanti zotërimi i emrit ose adresa e postës elektronike.
ii. komunikimet, që lidhen me mallra, shërbime ose përshkrimin e imazhit të tregtarit a të shoqërisë tregtare, organizatës joftimprurëse ose personit, të grumbulluara në mënyrë të pavarur, në ato raste kur kjo është bërë pa kosto financiare.
ë) “Profesione të rregulluara”, të gjitha ato profesione, mënyra e ushtrimit e të cilave është rregulluar me ligj të veçantë.
f) “Tregti elektronike”, kryerja nga subjektet e këtij ligji të një veprimtarie, nëpërmjet shkëmbimit të dokumenteve elektronike, për tregtimin e mallrave dhe/ose të shërbimeve.
Neni 4
Parime të përgjithshme
1. Veprimet tregtare, të kryera në rrugë elektronike, bazohen në parimet e barazisë së pjesëmarrësve, të vullnetit të lirë, lirisë kontraktuale, zhvillimit të lirë të veprimtarisë sipërmarrëse, si dhe në lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, në territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Në fushën e tregtisë elektronike, palët pjesëmarrëse nuk mund të vendosin kufizime për blerjen dhe përmbushjen e të drejtave e të detyrimeve të personave, fizikë dhe juridikë, përveç rasteve të parashikuara me ligj.
Neni 5
Zbatimi i ligjit
1. Ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacionit, me seli në Republikën e Shqipërisë, e ushtron veprimtarinë në mënyrë të veçantë, në përputhje me parashikimet e këtij ligji, , dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
2. Ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacionit, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, për të ofruar shërbimet e veta në distancë, siguron që këto shërbime të:
a) mos cenojnë të drejtat e njeriut;
b) garantojnë mbrojtjen e konsumatorit dhe të investitorëve, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi;
c) sigurojnë mbrojtjen e minorenëve;
ç) vendosin masa mbrojtëse për mosndërhyrjen në shërbimet e tij dhe mospërdorimin e tyre për qëllime kriminale;
d) ofrohen për të gjithë klientët njëlloj, pa dallime ndërmjet sekseve, racave, besimit apo bindjeve të personave, që i përfitojnë ato;
dh) mos dëmtojë sigurinë kombëtare dhe sigurinë e publikut;
d) garantojnë mbrojtjen e shëndetit të klientëve;
ë) ofrohen, në çdo rast, me pëlqimin paraprak të përfituesit të shërbimit.
KREU II
E DREJTA E OFRIMIT TË SHËRBIMEVE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT
Neni 6
E drejta e ofrimit të shërbimit
1. Çdo person, fizik ose juridik, i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve, ka të drejtë të ofrojë shërbime të shoqërisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me kërkesat e këtij ligji, pa u pajisur paraprakisht me leje, licencë, autorizim apo ndonjë dokument tjetër, të ngjashëm me to.
2. Nuk i nënshtrohen parashikimeve të pikës 1, të këtij neni:
a) ofruesit e shërbimeve, të cilët kanë detyrimin për t’u pajisur me autorizim, sipas ligjit “Për komunikimet elektronike”.
b) ofruesit e shërbimeve financiare ose të sigurimeve, të cilët e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mbështetje të ligjeve, që rregullojnë mënyrën e organizimit e të ushtrimit të veprimtarisë për këto shërbime.
Neni 7
Detyrimi për informacion të përgjithshëm
1. Ofruesi i shërbimit në ushtrimin e veprimtarisë siguron për marrësit e shërbimit dhe për autoritetet përkatëse informacion, të paktën, për:
a) Emrin tregtar të ofruesit të shërbimit dhe, nëse nuk ka të tillë, emrin me anë të të cilit ai është regjistruar për ushtrimin e veprimtarisë;
b) Adresën e vendit, në të cilën është vendosur selia apo qendra kryesore e veprimtarisë së ofruesit të shërbimit;
c) Adresën e postës elektronike dhe adresën e faqes në internet (URL) të ofruesit të shërbimit;
ç) Të dhënat e regjistrimit në regjistrin tregtar të ofruesit të shërbimit, sidomos numrin unik të identifikimit të personit;
d) të dhëna të veçanta të autoritetit përgjegjës mbikëqyrës, kur veprimtaria e ofruesit të shërbimit është objekt ushtrimit të saj nëpërmjet pajisjes së tij me licencë, leje apo me autorizimin përkatës;
dh) profesionet e rregulluara, duke treguar edhe:
i. entin publik profesional ose institucionin e ngjashëm me të, ku ofruesi i shërbimit është i regjistruar;
ii. titullin profesional dhe vendin e lëshimit apo të fitimit të tij;
iii. referimin për rregullat, që rregullojnë profesionin dhe juridiksionin e zbatuar në vendin e krijimit të tij, si dhe mjetet për informim për to;
e)Numrin unik të identifikimit të subjektit apo NIPT-in.
2. Ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacionit jep informacionin e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, në mënyrë të qartë, të saktë dhe lehtësisht të kuptueshëm, për mallrat apo shërbimet, që ai ofron ose parashikon të ofrojë në të ardhmen, veçanërisht për çmimet. Informacioni duhet të jetë i qartë dhe lehtësisht i kuptueshëm se çmimi i ofruar prej tij është përfundimtar dhe se në të janë përfshirë tatimi e kostot e transportit apo të dërgimit të tij deri në destinacionin përfundimtar, të përfituesit apo të marrësit.
3. Në çdo rast, ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacionit është i detyruar që, në informacionet që jep, veç parashikimeve të këtij ligji, të respektojë edhe parashikimet e ligjit nr.9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorit”.
KREU III
KOMUNIKIMET TREGTARE
Neni 8
Kushtet për ofrimin e informacionit
1. Ofruesi i shërbimeve të shoqërisë së informacionit në komunikimet tregtare, që ai përdor dhe të cilat janë pjesë apo përbëjnë një shërbim të shoqërisë së informacionit, siguron se këto komunikime plotësojnë të paktën kushtet e mëposhtme:
a) Janë qartësisht të identifikueshme nga të tretët si komunikime tregtare.
b) Bëjnë të mundur identifikimin e qartë të personit, fizik ose juridik, në emër dhe për llogari të të cilit janë bërë këto komunikime tregtare.
c) Në rastin e ofertave promocionale, që sjellin si pasojë uljen e çmimit, fitimin e ndonjë çmimi apo të dhuratave të lejuara, në vendin e regjistrimit, a në vendin ku ka selinë e përhershme ose ku ushtron veprimtarinë ofruesi i shërbimit, duhet të ketë të identifikuar qartë të dhënat e mësipërme, si dhe duhet të paraqesë në mënyrë të qartë, lehtësisht të arritshme dhe pa dyshim, kushtet, që duhen plotësuar për kualifikim.
ç) Në rastin e konkurseve apo të lojërave promocionale, nëse këto janë të lejuara në vendin e krijimit të ofruesit të shërbimit, ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacionit duhet t’i ketë të identifikuara qartë ato si të tilla, si dhe të paraqesë për të tretët, në mënyrë të qartë, lehtësisht të arritshme dhe pa asnjë dyshim, kushtet për pjesëmarrjen e tyre.
Neni 9
Komunikimet tregtare të pakërkuara
1. Komunikimet tregtare nëpërmjet postës elektronike janë të ndaluara, përveç rasteve kur marrësi i tyre ka dhënë miratim paraprak.
2. Komunikimet tregtare të pakërkuara nëpërmjet postës elektronike, në ato raste kur sipas legjislacionit janë të lejuara, duhet të identifikohen qartë dhe pa dyshim si të tilla, që në çastin fillestar të marrjes së tyre prej marrësit.
3. Ofruesit e shërbimeve, që ofrojnë komunikime tregtare të pakërkuara nëpërmjet postës elektronike, janë të detyruar të kontrollojnë rregullisht dhe të respektojnë regjistrin e përjashtimeve, ku, me cilësinë e personave që nuk dëshirojnë marrjen e këtyre komunikimeve regjistrojnë personat, të cilëve u është drejtuar, por që nuk kanë dëshirë të marrin komunikime të tilla tregtare. Ofruesi i shërbimit, që ka patur dijeni për mosdëshirën e personave për të marrë komunikime të tilla dhe nuk i ka regjistruar si të tillë, është i detyruar të shpërblejë dëmin e ardhur, si pasojë e këtij mosveprimi.
Neni 10
Profesionet e rregulluara
1. Komunikimet tregtare, që janë pjesë apo përbëjnë një shërbim të shoqërisë së informacionit, të ofruar nga anëtarët e profesioneve të rregulluara, u përmbahen rregullave për ushtrimin e profesionit, veçanërisht për pavarësinë, dinjitetin, nderin e profesionit, sekretin profesional dhe ndershmërinë kundrejt klientit dhe anëtarëve të tjerë të profesionit.
2. Qëllimet e komunikimeve tregtare, që ofrohen nga ana e profesioneve të rregulluara, parashikohen në kodet e sjelljes apo të etikës së tyre, të cilat përfshijnë llojin e informacionit, që mund të jepet për qëllime të komunikimeve tregtare, sipas parashikimeve të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni.
KREU IV
KONTRATAT E LIDHURA NËPËRMJET MJETEVE ELEKTRONIKE
Neni 11
Kushtet e nevojshme për vlefshmërinë e kontratave
1. Kontratat e lidhur përmes mjeteve elektronike quhen kontrata në formë elektronike.
2. Propozimi dhe pranimi i ofertës mund të bëhen nëpërmjet mjeteve elektronike, që është forma elektronike e tyre. Në çdo rast, që kontrata elektronike të jetë e vlefshme, duhet të përmbushë të gjitha kërkesat e parashikuara nga Kodi Civil, për pjesën e përgjithshme të kontratave, kërkesat e parashikuara për formën konkrete të kontratës, të parashikuar nga Kodi Civil, dhe kërkesat e veçanta, të parashikuara në ligjin nr.9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”.
Neni 12
Kontratat e përjashtuara nga fusha e veprimit të këtij ligji
1. Ky ligj nuk zbatohet për kontratat e mëposhtme:
a) Për kontratat e lidhura për të krijuar, ndryshuar apo shuar të drejta mbi sendet e paluajtshme, përveç kontratës së qirasë për pasuri të paluajtshme me afat deri në 9 vjet;
b) Për kontratat, që me ligj kërkojnë përfshirjen e gjykatave, të autoriteteve publike dhe profesioneve, që ushtrojnë apo japin një shërbim publik;
c) Për kontratat e garancisë dhe kolaterali i letrave me vlerë, i dhënë nga persona, që veprojnë për qëllime të ndryshme nga ato të biznesit, tregtisë apo profesionit të tyre;
ç) Për kontratat e parashikuara nga Kodi i Familjes dhe veprimet juridike, të parashikuara nga Kodi Civil, pjesa III, titulli III, “Trashëgimia me testament”;
d) Për shërbimet financiare ose shërbimet e sigurimit, për të cilat zbatohet marketingu në distancë.
Neni 13
Informacioni, që duhet ofruar
1. Ofruesi i mallit dhe/ose shërbimit jep informacion të plotë, në mënyrë të qartë dhe pa asnjë dyshim, për:
a) hapat e ndryshme procedurale, që do të ndiqen për lidhjen e kontratës;
b) kushtet kontraktore të palëve;
c) mënyrat teknike, për identifikimin dhe korigjimin e gabimeve, përpara paraqitjes së kërkesës/porosisë;
ç) gjuhët e ofruara për lidhjen e kontratës.
2. Në rastet kur palët, që nuk janë konsumatorë, bien dakord ndryshe nga sa kërkohet në pikën 1, të këtij neni, ofruesi i shërbimit tregon Kodin e Etikës, ku përshkruhet edhe mënyra e konsultimit të këtij kodi në formë elektronike.
3. Termat e kontratës dhe kushtet e përgjithshme të saj i jepen marrësit në atë mënyrë, që ai të mund t’i ruajë, përdorë dhe riprodhojë ato për qëllimet e kësaj marrëdhënieje.
4. Pikat 1 e 2, të këtij neni, nuk zbatohen për kontratat e lidhura ekskluzivisht nëpërmjet shkëmbimit të postës elektronike apo komunikimeve individuale, ekuivalente.
Neni 14
Lidhja e kontratës
1. Ofruesi i shërbimit jep një fletëpërmbledhje të kushteve, të përgjithshme e të veçanta, që i aplikohen kontratës, si dhe njihet pa vonesë me marrjen e porosisë nga porositësi/marrësi i shërbimit nëpërmjet mjeteve elektronike, përveç rasteve kur palët jokonsumatore bien dakord ndryshe.
2. Kontrata elektronike quhet e lidhur kur ofruesi merr një mesazh elektronik, që përmban deklarimin e marrjes së konfirmimit dhe pranimin e ofertës.
3. Propozimi dhe pranimi i ofertës, të bërë nga palët në marrëdhënien juridike, që lind për shkak të tregtisë elektronike ndërmjet tyre, vlerësohen se janë marrë, kur palët, paraprakisht, t’i kenë provuar njëra-tjetrës se janë në gjendje t’i marrin ato në rrugë elektronike. Në këtë rast, parashikimet e Kodit Civil për pranimin apo refuzimin e ofertës, të parashikuara në kushtet e përgjithshme të kontratave, janë të zbatueshme edhe për këtë qëllim.
KREU V
PËRJASHTIMI NGA PËRGJEGJËSITË PËR OFRUESIN E SHËRBIMIT
Neni 15
Përjashtimi nga përgjegjësitë për ofruesin e shërbimit, që vepron si ndërmjetës
1. Ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacionit, kur vepron si ndërmjetës për transmetimin apo mundësimin e transmetimit të mesazheve elektronike, që janë paraqitur nga përdoruesi i shërbimeve, nuk është përgjegjës për informacionin e transmetuar, nëse ofruesi:
a) nuk inicion transmetimin;
b) nuk zgjedh ose modifikon përmbajtjen e informacionit të transferuar;
c) nuk zgjedh marrësin e transmetimit.
2. Veprimet e transmetimit dhe të ofrimit të aksesit, sipas pikës 1, të këtij neni, përfshijnë ruajtjen automatike, të menjëhershme dhe të përkohshme të informacionit të transmetuar vetëm për përcjelljen e transmetimit në një rrjet komunikimi, duke siguruar ruajtjen e informacionit për aq kohë sa nevojitet.
Neni 16
Ruajtja e përkohshme e informacionit (Caching)
1. Gjatë transmetimit të informacionit në rrjetin e komunikimit, ofruesi i shërbimit, që ofron transmetimin e informacionit, nuk është përgjegjës për ruajtjen e përkohshme, të menjëhershme dhe automatike, të kryer vetëm për rritjen e eficencës së transmetimit të informacionit te marrësit e tjerë të shërbimit, në bazë të kërkesës së tyre, nëse ofertuesi:
a) nuk modifikon informacionin;
b) përmbush/vepron, në përputhje me kushtet e aksesit të informacionit;
c) përmbush/vepron në përputhje me rregullat për përditësimin e informacionit, në një mënyrë të specifikuar, të mirënjohur dhe të përdorur gjerësisht;
ç) nuk ndërhyn nëpërmjet përdorimit të ligjshëm të teknologjisë së njohur dhe të përdorur gjerësisht nga industria e komunikimeve elektronike, për marrjen e të dhënave dhe përdorimin e informacionit;
d) vepron me shpejtësi, për të hequr ose çaktivizuar aksesin në informacionin e ruajtur, pasi njihet me faktin se informacioni në burimin fillestar të transmetimit është kapur nga rrjeti, aksesi në të është çaktivizuar ose organet përgjegjëse kanë urdhëruar heqjen a çaktivizimin.
Neni 17
Përgjegjësitë në aktivizimin e memorizimit të informacionit (Hosting)
1. Kur shërbimi i shoqërisë së informacionit ofrohet për ruajtjen e informacionit të paraqitur/siguruar nga marrësi i shërbimit, ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacionit nuk është përgjegjës për informacionin e ruajtur, nëse ofertuesi:
a) nuk ka ose nuk mund të ketë dijeni për veprimtarinë e paligjshme të marrësit ose të përmbajtjes së informacionit;
b) me marrjen e këtij informacioni, vepron menjëherë për të hequr ose çaktivizuar aksesin në informacion.
2. Pika 1, e këtij neni, nuk zbatohet kur marrësi i shërbimit vepron në emër ose në kontrollin e një ofruesi shërbimi.
Neni 18
Mjetet e kërkimit të informacionit
Ofruesit e shërbimit, të cilët krijojnë, nëpërmjet mjeteve elektronike, akses në informacion për palët e treta, nuk janë përgjegjës për këtë informacion, nëse:
a) nuk kanë dijeni ose nuk mund të kenë dijeni për veprimtarinë e paligjshme të marrësit ose rreth të dhënave, që përmban informacioni;
b) me vënien në dijeni të faktit për veprimtari të paligjshme ose të të dhënave, heqin a çaktivizojnë aksesin për këto të dhëna.
Neni 19
Ndërprerja ose parandalimi i shkeljeve
Pavarësisht nga sa parashikohet në dispozitat e këtij ligji, në veçanti në nenet 15, 16, 17 e 18, ofruesi i shërbimit është i detyruar të ndërpresë ose të parandalojë një shkelje, nëse kjo kërkohet nga gjykata ose nga autoritetet përgjegjëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.