Kryeministri Berisha takohet me ministrat e Mjedisit të vendeve të Rajonit

Kryeministri Berisha priti sot në takim ministrat e Mjedisit të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Kosovës, si dhe disa përfaqësues të Organizatave Ndërkombëtare (BB, Drejtoria e Mjedisit e OKB në Gjenevë dhe të Organizatës për Partneritet Global për Ujin), të cilët ndodhen në Tiranë në kuadër të bashkëpunimit me Ministrinë e Mjedisit për problemet e ujërave ndërkufitare.
Kryeministri Berisha vuri në dukje vlerësimin e qeverisë shqiptare për pasuritë ujore të Shqipërisë, për florën dhe faunën e veçantë që karakterizon liqejt e Ohrit, Prespës, Shkodrës dhe basenet ujore të vendit. Me tej, Kryeministri Berisha theksoi se përveç përdorimit racional të burimeve ujore janë vënë re edhe një sërë problemesh që kanë të bëjnë me rrezikshmërinë e përmbytjeve që paraqesin disa lumenj e sidomos Drini në rastin e reshjeve të shumta që bien jo vetëm në territorin shqiptar, por edhe në Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi, ashtu siç ndodhi edhe gjatë dimrit që shkoi.
Për këtë problem, qeveria shqiptare ka projektuar një sërë masash dhe po punon për realizimin e tyre, për të krijuar një situatë sa më të stabilizuar në mënyrë të veçantë në basenin e Drinit dhe për të shmangur përsëritjen e përmbytjeve. Qeveria – theksoi Kryeministri - ka parashikuar ndërtimin e argjinaturës në lumin Buna, ndërtimin e bypasit të Shkodrës, si dhe përmirësimin e mëtejshëm të rrjetit të kullimit në gjithë zonën e nënshkodrës. Ne këtë kontekst është duke u punuar edhe për ndërtimin e hidrocentalit të Skavicës, si dhe është nënshkruar marrëveshje me Malin e Zi për thellimin e Bunës.
Kryeministri shtroi para të pranishmeve nevojën e nënshkrimit të marrëveshjeve të reja për ujërat ndërkufitare për të zëvendësuar marrëveshjen e nënshkruar me ish Jugosllavinë e cila ka humbur fuqinë. Po ashtu, Kryeministri Berisha u shpreh i gatshëm që të mbështesë një projekt të veçantë për basenin e lumit Drin nga Banka Botërore, GEF-I dhe vendet respektive të rajonit për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare problemeve komplekse që lidhen me këtë basen.
Kryeministri Berisha mirëpriti interesimin e ministrave të rajonit të cilët shprehen vullnetin e qeverive të tyre për të forcuar me tej bashkëpunimin dy dhe shumëpalësh, si dhe theksoi se Shqipëria do të jetë e gatshme për të zgjeruar bashkëpunimin me vendet kufitare në rajon dhe me organizatat ndërkombëtare. Gjithashtu, Kryeministri theksoi nevojën e veprimeve dhe iniciativave të përbashkëta për të shpejtuar gjetjen e zgjidhjeve me interes të përbashkët dhe ndërmarrjen e aksioneve konkrete.
Ne takim ministrat e rajonit shoqëroheshin nga ministri shqiptar i Mjedisit z. Fatmir Mediu.
05/04/2011