Kryeministri Berisha takohet me një grup kulutor japonez

Kryeministri Sali Berisha u takua sot me një delegacion kulturor japonez, të kryesuar nga znj. Nika Mori, që ndodhet në Shqipëri në kuadër të shkëmbimeve kulturore mes dy vendeve. Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, anëtarët e delegacionit japonez u shprehën të impresionuar nga zhvillimet në Shqipëri dhe vlerësuan shumë pozitivisht modernizimin e vendit. Kryetarja e delegacionit japonez, Nika Mori, tha se shkëmbimi i vizitave mes dy vendeve është shumë i rëndësishëm për njohjen dhe promovimin e kulturave respektive dhe për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve. Nga ana e tij Kryeministri Berisha, duke falenderuar anëtaret e delegacionit japonez për vizitën, shprehu mirënjohjen për qeverinë dhe popullin japonez për mbështetjen që ata i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve me projekte, duke veçuar kredinë prej 110 milionë dollarësh për kanalizimet e Tiranës si dhe projektet në shëndetësi, bujqësi, infrastrukturë dhe fusha të tjera. Kreu i Qeverisë shprehu bindjen se bashkëpunimi i shkëlqyer politik që ekziston ndërmjet dy vendeve do të vijë duke u zgjeruar. Më tej, ai e njohu delegacionin japonez me përpjekjet e qeverisë shqiptare për ta shndërruar Shqipërinë në vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë dhe për krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin dhe shfrytëzimin sa më të mirë të potencialeve që ajo ka. Gjithashtu gjatë takimit u vlerësua harmonia dhe toleranca ndërfetare që Shqipëria reflekton, duke u shndërruar në këtë mënyrë në një model për të gjithë botën. Delegacioni kulturor japonez është ftuar të vizitojë Shqipërinë nga fondacioni “Fëmijët shqiptarë”.Gjatë vizitës së tij në vendin tonë ai do të prezantojë traditën, kulturën dhe kostumografinë japoneze....