Vret bashkëshortit pas dy javë martese, policia: Krim i nxitur nga varfëria

Policia e Tiranës ka dalë me versionin se varfëria ka sjellë krimin brenda familjes, sot në mesditë në lagjen e varfër të kryeqytetit, Breg Lumi. Burimet policore thanë se 39-vjeçari Mirash Doda, është qëlluar me thikë në banesën ku jetonte me të shoqen në lagjen “Paskuqan” pranë Bregut të Lumit në pjesën e Kamzës. Viktima ka vdekur menjëherë dhe dërgimi në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmë mjekësore nuk kishte asnjë vlerë. “Nga veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se autore e këtij krimi të rëndë brenda familjes është bashkëshortja e viktimës, Vitore Suçi 28 vjeç”, - deklaroi policia. Nga ana e grupit hetimor, është bllokuar një thikë që plotëson kushtet e armës së ftohtë. Sipas hetimit, ngjarja erdhi pas një grindjeje të çastit mes çiftit, “gjë e cila vërtetohet dhe nga dëshmitarët okularë të ngjarjes. Motivet e kësaj vrasjeje mes bashkëshortësh mendohet të jenë ato ekonomike”, deklaroi policia e Tiranës e cila ka marrë në pyetje 28-vjeçaren Vitore Suçi, e cila gjendet aktualisht në Komisariatin nr 3, e shoqëruar së bashku me dëshmitarët okularë të ngjarjes. “Nga seksioni i posaçëm i hetimit të krimeve po punohet në grup pune me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të prokurorit, për sqarimin e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes”, - përfundoi policia....