Kryeministri Berisha takohet me përfaqësues të FIAS, MIGA dhe Bankës Botërore
Kryeministri Berisha priti sot në një takim një grup përfaqësuesish të FIAS dhe MIGA, të kryesuar nga z. Dermot Coffey, menaxher i
programit “investimet në Ballkanin Perëndimor”. Në takim ishte e pranishme edhe Përfaqësuesja e Përhershme e zyrës së Bankës
Botërore në Tiranë, znj. Camile Numah.
Qëllimi i kësaj vizite, bërë me kërkesë të qeverisë shqiptar, ishte propozimi i një projekti për të mbështetur qeverinë shqiptare të promovojë Shqipërinë në drejtim të investimeve të huaja direkte dhe të riorganizojë kuadrin institucional mbështetës në këtë drejtim.
Ata i prezantuan Kryeministrit aspektet më të rëndësishme të një programi që ndihmon bërjen e Shqipërisë sa më atraktive ndaj investimeve të huaja direkte dhe krijimin e një bashkëpunimi institucional në këtë aspekt. Ata paraqitën modelet shumë të suksesshme të Irlandës, Skocisë, Singaporit, duke theksuar se filozofia bazë e aplikuar në këto vende, propozohet të zbatohet edhe në Shqipëri, duke synuar të përmirësojë akoma më tepër klimën e biznesit, nëpërmjet thjeshtësimit të mëtejshëm të procedurave, si dhe të gjenerojë gjithnjë e më tepër investimet.
Në kuadrin e institucionalizimit të këtij procesi, u prezantuan variante edhe për riorganizimin e institucioneve që mbështesin investimet, duke krijuar sinergji me strukturat qeveritare.
Kryeministri Berisha i falënderoi përfaqësuesit e programit për asistencën e ofruar dhe u prezantoi vizionin e qeverisë së tij në lidhje me përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe tërheqjes më shumë të investimeve të huaja në Shqipëri..
Vizioni i qeverisë, tha Kryeministri, përkon me propozimin e këtij grupi të specializuar në këtë drejtim, i përbërë nga partnershipi i FIAS, MIGA, dhe Bankës Botërore. Kryeministri siguroi se institucionet shqiptare do të bashkëpunojnë me dëshirë dhe interes për të thelluar reformat e ndërmarra dhe për të nisur reforma të reja, që synojnë shtimin e ritmeve të rritjes ekonomike në vend.
Në takim u theksua se roli i ALBINVEST-it dhe organizmave të tjerë të ngjashëm në vend do të jetë shumë i rëndësishëm në këtë drejtim.
19/11/2008