E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me përfaqësues të komunitetit të biznesit të Hamburgut në Berlin

-Gjatë këtij takimi investitorët gjermanë u njohën me zhvillimet tepër pozitive që ka pësuar Shqipëria, zhvillime këto që morën vlerësimet më maksimale nga Kancelaria gjermane Angela Merkel 
 
Gjatë vizitës në Berlin, Kryeministri Berisha u takua me biznesmenë dhe investitorë të mëdhenj nga Hamburgu dhe e gjithë Gjermania, takim ky i organizuar nga Shoqata e Bashkëpunimit Shqipëri- Gjermani.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha bëri një prezantim të hollësishëm të zhvillime pozitive dhe situatës ekonomike në Shqipëri, duke theksuar në mënyrë të veçantë, se reforma e ndërmarrë nga qeveria shqiptare në këtë fushë, si dhe revolucioni fiskal kanë krijuar një klimë tepër të favorshme për zhvillimin e biznesit. Në këtë kontekst, Kryeministri u ndal gjerësisht në masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, në nxjerrjen e administratës nga konflikti i interesit, në reduktimit të praktikave burokratike dhe dixhitalizmit të një serë proceseve të rëndësishme, në reduktimin me 2/3 të lejeve dhe licencave, vendosjen e taksës së sheshtë prej 10%, etj..

Kryeministri u shpreh se ekonomia shqiptare po zhvillohet me shpejtësi dhe se qeveria shqiptare po punon duke kërkuar respektim të rregullave dhe standardeve mjedisore. Për qeverinë shqiptare, u shpreh Kryeministri Berisha, përbën një prioritet madhor mbrojtja e mjedisit dhe shëndetit të njeriut.

Kryeministri Berisha i njohu me investitorët gjermanë me potencialet e mëdha natyrore që ka Shqipëria si burimet hidrike, pasuritë e shumta minerale dhe i ftoi investitorët të shohin mundësitë për të shfrytëzuar këto pasuri natyrore që mbart vendi ynë. Kryeministri Berisha foli gjithashtu edhe për mundësinë e investimeve gjermane në fushën energjetike, në infrastrukturë, në bujqësi, etj..

Ndër të tjera, Kryeministri u ndal në dy projektet më madhore të kombit dhe qeverise shqiptare që janë integrimi në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Kryeministri Berisha i është përgjigjur gjithashtu dhe dhjetëra pyetjeve të drejtuara nga përfaqësuesit e biznesit  dhe mediat gjermane, të cilët gjatë këtij takimi u njohën me zhvillimet tepër pozitive që ka pësuar Shqipëria, zhvillime këto që morën vlerësimet më maksimale nga Kancelaria gjermane Angela Merkel.


09/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›