Kryeministri Berisha takohet me qytetarë të njësisë bashkiake nr. 8, në Tiranë
Kryeministri Berisha u takua pasditen e sotme me qytetarë të njësisë bashkiake nr. 8, në Tiranë. Në fjalën e tij Kryeministri u shpreh:
“Të dashur qytetarë të Tiranës,
Së pari, me shumë emocion, me shumë mirënjohje, unë dua të përulem para jush. Ju jeni pasioni i pamposhtur i vlerave të demokracisë. Që në ditët e para të kalimit të Partisë Demokratike, ju qëndruat në krye të përpjekjeve të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, në mbrojtje të vlerave të saj. Këtu në këtë lagje diktatura mori goditjen fatale. Edi Rama, në planin e përgjithshëm urbanistik, mendon se mund te hakmerret për Ramiz Alinë kundër jush. Harroje z. Rama, fatin e Ramizit do të kesh edhe ti. Të paktën Ramizi hyri në garë dhe pati Vaterlonë këtu, kurse atij s’ia mban as në garë të futet. në 28 qershor ai firmos fundin e karrierës së tij politike.
Vij tek ju gjithashtu me krenari të madhe se takohemi këtu si qytetarë të një kryeqyteti, të një vendi anëtar të NATO-s. Pra, takohemi këtu pasi ëndrrën tonë atlantiste e kemi shndërruar realitet. Takohemi këtu sot sëbashku, pasi me përpjekje të mëdha, me djersë, punë, përkushtim, ia dolëm ta ndryshojmë për mirë, në katër vjet, emrin e Shqipërisë, imazhin e saj. Ia dolëm ta kthejmë Shqipërinë në një vend shprese, në një vend gëzimi për shqiptarët në mbarë botën. Ia dolëm së bashku, në katër vjet, që ky vend të ngrihet në krye të rritjes ekonomike në Europë, të bëhet një nga vendet me rritje më të shpejtë në botë. Në katër vjet, pothuajse dyfishuam të ardhurat për frymë, dyfishuam pensionet e ulëta, dyfishuam rrogat e ulëta, rritëm të tjerat 50 – 70 për qind.
Në katër vjet, e bëmë Shqipërinë vend lider për investimet e huaja. Në katër vjet, para shqiptarëve dhe mbarë botës, ne po ndërtojmë në këtë vend një nga infrastrukturat më moderne në rajon dhe më gjerë.
Në katër vjet ne hodhëm bazat e Shqipërisë europiane, aplikuam për vend anëtar në Bashkimin Europian. Vitin e parë të mandatit tonë të ardhshëm, do marrim të drejtën për të lëvizur në mbarë Europën pa viza.
Në katër vitet që vijnë ne zotohemi të punësojmë 160 mijë shqiptarë. Ku e bazojmë ne këtë? Ne jemi ata që punësuam në këto katër vite 80 mijë shqiptarë. Ne jemi ata që, me klimën që krijuam, bëmë që bizneset nga 40 mijë të arrijnë në 102 mijë në mbarë Shqipërinë. Ne bëmë këto katër vite që të dalim në krye, jo vetëm për rritjen ekonomike, por për thithjen e investimeve të huaja. Shqipëria, që i merrte me pikatore investimet, vetëm vitin e fundit ka firmosur mbi 5 miliardë euro kontrata ne hidrocentrale, parqe industriale, porte, aeroporte e dhjetëra e dhjetëra kontrata të tjera.
Qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë,
Unë dua t‘ju rrëfej se pasioni im për rritjen e rrogave dhe pensioneve është i papërmbajtur dhe unë do i rrisë ato. Unë dhe qeveria e ardhshme do të bëjmë çdo gjë që ju të merrni më shumë rroga e pensione se qytetarët e gjashtë vendeve anëtarë të Bashkimit Europian. Ne e meritojmë kete. Ne vuajtëm shumë nga varfëria, vuajtëm shumë nga skamja dhe me shpejtësi duhet të shkëputemi, të ecim drejtë mirëqenies.
Në të gjitha këto përpjekje tona për të ndryshuar gjendjen, në përpjekjet tona për të nxjerrë 400 mijë shqiptarë nga varfëria nëpërmjet dyfishimit të pensioneve, nëpërmjet dyfishimit të ndihmës ekonomike, Zoti Edi Rama votoi gjithmonë kundër. Votoi kundër uljes së taksave, votoi kundër rritjes së pensioneve, kundër rritjes së rrogave.
Qytetare dhe qytetarë të kësaj zone,
Edhe njëherë dua të theksoj qëndrimin e Edi Ramës ndaj këtij territori. Me planin e përgjithshëm urbanistik ai ka vendosur t’ju ndëshkojë. Ta harrojë se mund t’ju ndëshkojë. Planin tuaj urbanistik do ta bëni ju sëbashku me Sali Berishën. Ndaj dhe ne nuk hakmerremi ndaj njeriu, por nuk e pranojmë hakmarrjen. Hakmarrja është element primitiv dhe ne nuk e pranojmë atë ndaj asnjë njeriu.
Sot u bëj thirrje të gjithë socialistëve të kësaj zone dhe të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, bashkohuni me ne në ëndrrën europiane. Jemi burra dhe gra që duam që këtë ëndërr ta ndajmë me çdo shqiptar. Duam që këtë ëndërr të bukur, madhështore, më të mirën për vete dhe për fëmijët tanë, ta gëzojnë mbarë shqiptarët.
Besoni tek ne, se ne bëmë realitet ëndrrën atlantiste dhe e bëmë atë me ndershmërinë tonë, me punën dhe djersën tonë të përbashkët. Edhe ëndrrën europiane, ne do ta bëjmë realitet shumë shpejtë nga çfarë mendojnë të tjerët.
Po vij nga Alliasi, aty çahej sheshi, këtu çahet sheshi. Në 26 qershor që të gjithë të mbidhemi dhe të mos na nxejë Sheshi Skënderbej. Tirana të njohë manifestimin madhështor në tërë historinë e saj, të kthejë 23 marsin e vitit 1992, lavdisë tonë elektorale, të mblidhemi sëbashku, që të gjithë.
Në datën 28 qershor të marrim pjesë të gjithë në votime. Të votojmë si qytetarët europian, të trokasim me votën tonë të lirë në dyert e Shqipërisë europiane.
Në 28 qershor le të votojmë duke kënduar, le të votojmë dhe ta prijmë fitoren e madhe. Ne do fitojmë. të gjithë të votoni 10-ën, sepse në fakt ju jeni 10-a. 10-a është më e mira, 10-a është fëmija juaj, 10-a është familja juaj, 10-a është lagjia juaj, 10-a është Shqipëria, 10-a është Partia Demokratike, 10-a është Europa blu që po pret me padurim Shqipërinë blu.
Rroftë Tirana!
Rroftë Shqipëria!”
19/06/2009