Kryeministri Berisha takohet me qytetarë të njësisë bashkiake nr 4. dhe nr. 5, në Tiranë

- Këto katër vite dëshmuan se ne jemi të aftë, jemi të zotë që me mundin, djersën dhe përkushtimin tonë, me mbështetjen e miqve tanë, të shndërrojmë të pamundurën në të mundshme, t’i shndërrojmë ëndrrat në realitet, të hapim horizontet që meritojmë.
Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje takime të veçanta me qytetarë të njësisë bashkiake nr 4. dhe nr.5, në Tiranë. Në takimin me qytetarë të njësisë bashkiake nr 4, në Allias, Kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës,
Të nderuar banorë të Alliasit,
Vij këtu me kënaqësi të madhe që t’ju përshëndes përzemërsisht, t’ju shpreh mirënjohjen dhe kënaqësinë e madhe që takohemi sot si qytetarë të Tiranës, kryeqytet i një vendi anëtar të NATO-s, që takohemi sot si qytetarë të një vendi që presin të sigurt që, vitin e parë të mandatit tonë të dytë, të lëvizin pa viza në mbarë Evropën, takohemi sot si qytetarë të një vendi që, me konsensus të plotë, kemi aplikuar për vend anëtar në Bashkimin Evropian, takohemi sot me vendimin tonë solemn për t’i bashkëngjitur Shqipërinë blu, Evropës blu.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Alliasit,
Në katër vite, ne së bashku ia dolëm që Shqipëria, e cila ka vuajtur më shumë se çdo vend tjetër nga skamja dhe mjerimi, të renditet e para në Evropë për rritjen ekonomikë, ia dolëm në katër vjet të nxjerrim nga varfëria mbi 400 mijë shqiptarë, ia dolëm pothuajse të dyfishojmë të ardhurat për frymë në këtë vend, ia dolëm ta shndërrojmë Shqipërinë në vend lider për thithjen e investimeve të huaja, ia dolëm ta rendisim këtë vend të dytin në botë për vitin 2008 për klimën e biznesit, ia dolëm të renditemi më të mirët në rajon dhe në dhjetëshen më të mirë të botës në luftën kundër korrupsionit. Me mund dhe djersë ia dolëm të dyfishojmë pensionet për mbi 170 mijë pensionistë në fshatrat shqiptare, t’i rrisim ato nga 50-70 për qind në qytetet e vendit. Ia dolëm të krijojmë në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë 60 mijë biznese të reja, 80 mijë vende pune, të ndërtojmë dhe rindërtojmë mbi 5900 kilometra rrugë.
Të gjithë këto i rreshtova për të dëshmuar se ne jemi burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat, e mundësive. Ne e bëjmë të pamundurën të mundshme. Me përkushtimin tonë dhe me djersën tonë, ne ia dalim të realizojmë edhe ato që duken të parealizueshme. Ne bëmë realitet ëndrrën tonë atlantiste, ne do të bëjmë realitet ëndrrën tonë evropiane. Projekti i Shqipërisë evropiane, është projekti më ambicioz, më i vështirë, më madhështori që kemi ndërmarrë ndonjëherë në jetën tonë.
Me këtë projekt ne synojmë që në katër vitet që vijnë të punësojmë 160 mijë shqiptarë, në më shumë se 104 hidrocentrale, mijëra e mijëra rrugë në ndërtim, mijëra ujësjellës e shkolla në ndërtim dhe rindërtim, në 6 parqe industriale. Në katër vjet, ne synojmë të furnizojmë me ujë 24 orë çdo qytetar shqiptar. Në katër vjet ne synojmë që as edhe një qytetar i vetëm shqiptar të mos njoh më varfërinë e skajshme, të mos jetojë me më pak se dy dollarë në ditë. Në katër vjet ne synojmë dhe ju garantojmë ju, se rrogat dhe pensionet tuaja do të jenë më të larta se sa rrogat dhe pensionet e qytetarëve të gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ne ju garantojmë legalizim të plotë të të gjitha banesave tuaja. Ne i garantojmë pronarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, kompensim të plotë me vlerë tregu dhe vetëm vlerë tregu 100 për qind.
Qytetare dhe qytetarë të Tiranës,
Thirrja ime miqësore për ju është që më 26 qershor, të gjithë së bashku, në sheshin “Skënderbej” të dalim për të kënduar fitoren. Më 28 qershor të marrim të gjithë pjesë në votime, të votojmë duke kënduar, të votojmë si qytetarë evropianë, t’i dëshmojmë Evropës se ne dimë, se ne jemi të vendosur, jemi të përkushtuar të zhvillojmë zgjedhje evropiane, se në dyert e saj ne trokasim me votën e lirë, me përkushtimin tonë ndaj votës së lirë.
Qytetare dhe qytetarë të Tiranës,
Le t’u drejtojmë së bashku një thirrje miqësore të gjithë socialistëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Bashkohuni me ne, me ëndrrën tonë evropiane, ëndrra më e bukur shqiptare, është ëndrra evropiane. Ndaj nuk duam të përjashtojmë njeri nga kjo ëndërr. Ne duam ta atë ndajmë së bashku, ta gëzojmë së bashku, ta ndërtojmë së bashku. Ndaj, me 28 qershor le të votojmë ne bashkërisht. Keni votuar në radhë të parë për veten tuaj, keni votuar për projektin evropian tuajin, të fëmijëve, të familjes dhe vendit tuaj. Keni votuar për rritjen e rrogave dhe pensioneve tuaja, keni votuar për infrastrukturën moderne për vendin tuaj, keni votuar për të ardhmen tuaj.
Më 28 qershor të gjithë votoni 10-ën, sepse 10-a jeni secili prej jush, 10-ë janë fëmijët tuaj, familja juaj e mrekullueshme, qyteti tuaj, vendi juaj, Partia Demokratike, Shqipëria blu, Evropa blu.
Rroftë Tirana!
Rroftë Shqipëria!”
* * *
Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me qytetarë të njësisë bashkiake nr. 5, në Tiranë. Në fjalën e tij, Kryeministri, ndër të tjera, u shpreh.
“Të dashur qytetarë të Tiranës.
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta. Shpreh kënaqësinë e madhe që jemi sot së bashku në këtë shesh, të bindur dhe më të vendosur se kurrë në fitoren tonë. Jemi sot këtu më krenar se asnjëherë si qytetar të një vendi anëtar të NATO-s, jemi sot këtu më kryelartë se kurrë, pasi Shqipëria këto katër vite shndërroi në realitet ëndrrën atlanciste të qytetarëve të saj, ajo doli në krye të rritjes ekonomike dhe u rendit e dyta në botë për klimën e biznesit, më e mira në rajon dhe në 10-shen në botë për luftën kundër kleptokracisë.
Këto katër vite dëshmuan se ne jemi të aftë, jemi të zotë që me mundin, djersën dhe përkushtimin tonë, me mbështetjen e miqve tanë, të shndërrojmë të pamundurën në të mundshme, t’i shndërrojmë ëndrrat në realitet, të hapim horizontet që meritojmë.
Ne ia dolëm të dyfishojmë pensionet për fermerët e mbarë vendit dhe rrogat e ulëta, si dhe rrisim pensionet e qytetit me 50 -70 për qind. Ia dolëm që, në këtë vend, në katër vite, të rrisim bizneset, nga 40 mijë që ishin në vitin 2005, në 102 mijë në vitin 2009.
Ne ia dolëm të nxjerrim nga varfëria 400 mijë shqiptarë që jetonin me nën 2 dollarë në ditë, të punësojmë 80 mijë qytetarë shqiptarë. Por këto që kemi realizuar ne na shërbejnë thjesht si një bazë për projektin tonë më madhështor, më ambicioz, më të bukur të të gjitha kohërave, projektin e Tiranës evropiane, projektin e Shqipërisë Europiane. Ky projekt kërkon nga ne që të gjithë së bashku të gëzojmë kushte jetese të njëjta me disa vende anëtare të BE-së. Ky projekti kërkon që rrugët tona, jo vetëm në Tiranë, por në mbarë Shqipërinë, të jenë rrugë me standarde evropiane. Ndaj, ne që ndërtuam mbi 5900 kilometra rrugë, zotohemi sot të ndërtojmë dhe asfaltojmë të gjitha rrugët e shkurtra të këtij vendi, të gjitha rrugët e Shqipërisë, kudo që ndodhen.
Ky projekt kërkon që qytetarët shqiptarë të kenë furnizim me ujë 24 orë, si qytetar europianë. Ne që lamë pas terrin dhe errësirën, ne do të garantojmë 24 orë ujë për të gjithë qytetarët shqiptarë, kudo që ata ndodhen.
Ky projekt kërkon që shqiptarët të jenë në punë, të gëzojnë punën dhe ta kenë atë. Ne garantojmë punësimin e 160 mijë shqiptarëve në kantieret e mëdha që do hapen dhe që kanë nisur të hapen, vitin fundit ne kemi firmosur 5.6 miliardë euro kontrata në hidrocentrale, porte, rrugë, fabrika, uzina, parqe industriale, resorte turistike, në të cilat do të punësohen jo më pak se 160 mijë qytetarë shqiptarë.
Ambicia ime ndër më të mëdhatë e jetës sime është që të bëj që ju të keni rrogat e pensionet që meritoni. Ju e dini që në katër vitet që shkuan ne kemi bërë rritjet më të mëdha të rrogave dhe pensioneve se çdo vend tjetër në Europë. Unë ju garantoj se në katër vitet që vijnë ju do të merrni rroga dhe pensione më të mëdha se sa qytetarët e 6 vendeve të mëdha anëtare ët BE-së.
Projekti i Tiranës evropiane dhe Shqipërisë evropiane nënkupton që ju, qytetarët shqiptarë, të keni arsim të nivelit evropian për fëmijët tuaj, shërbim mjekësor të nivelit evropian për njerëzit tuaj. Unë zotohem para jush se reforma në shëndetësi do të jetë reforma e parë, reforma e reformave që do të ndërmarr për ju.
Kudo që shkoj ndjej një klimë të pa imagjinueshme. Po vij nga dy sheshe të tjera, sheshet ishin të tej mbushura, siç është edhe ky shesh. Ndaj edhe unë ju ftoj që në datën 26 qershor, të gjithë së bashku, burra dhe gra, fëmijë dhe të moshuar, të mblidhemi në sheshin “Skënderbej”, të rikthejmë lavdinë e 23 marsit, lavdinë që meritojmë, të rikthejmë festën e madhe të fitores plebishitare.
Në 28 qershor të shkojmë të gjithë në votime dhe të votojmë duke kënduar këngën e Evropës, të votojmë me maturi, të trokasim me votën e lirë në dyert e Evropës, të votojmë 10-ën, 10-a jeni ju, familjet tuaja, fëmijët tuaj, kryeqyteti juaj, Partia Demokratike, Shqipëria blu, Evropa blu.
Socialistë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë,
Ne duam që në 28 qershor të votojmë bashkërisht, sepse me ne që jemi këtu, me burrat dhe gratë e këtij sheshi të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, juve ju bashkon ëndrra evropiane, ëndrra më e bukur e çdo shqiptari, ëndrra më e bukur për fëmijët tanë. Të bashkohemi sepse ne duam që këtë ëndërr ta ndajmë me ju, ta ndajmë me çdo shqiptar, ta ndërtojmë me ju, ta ndërtojmë me çdo shqiptar, të bashkohemi sepse kryetari juaj, në një akt të pa precedent, ju ka ofenduar ju, na ka ofenduar ne, ka ofenduar demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri. Ai, pasi ju nisi ju në betejë, ia mbathi dhe u fut nën karrigen e kryetarit të Bashkisë, me një akt të pashembullt. Kur unë kërkoj besimin tuaj, jam i detyruar moralisht, ligjërisht, në të gjitha kodet, në të gjitha rregullat, të ndaj fatin me ju. Ndërsa ai nuk po e ndan fatin me ju, mendon se do të qëndrojë në bashki. Por e ka gabim.
Ndaj të bashkohemi të gjithë së bashku ën këtë projekt të madh, në këtë projekt historik, në këtë projekt më ambiciozin, më të bukurin, më madhështorin e jetës sonë.
Rroftë Tirana!
Rroftë Shqipëria”.
18/06/2009