Kryeministri Berisha takohet me znj.Penny Pritzker, Drejtoreshë Ekzekutive e Grupit PRITZKER REALTY GROUP L.L.C, në SHBA
Gjatë qëndrimit të tij në Davos, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me znj.Penny Pritzker, Drejtoreshë Ekzekutive e Grupit PRITZKER REALTY GROUP L.L.C, një nga kompanitë më të mëdha të hotelerisë dhe turizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, znj. Pritzker, gjatë fushatës presidenciale në SHBA, ka qenë Drejtoreshë e Përgjithshme e Financave në stafin elektoral të Presidentit Obama.
Në këtë takim, zoti Berisha dhe zonja Pritzker të dy personalitetet diskutuan për vazhdimësinë e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe SHBA-ve, nën dritën e administratës Obama, si dhe për zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kryeministri Berisha shprehu vullnetin e hekurt të qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me SHBA-të dhe me administratën e re Obama. Më tej, Kryeministri e njohu znj. Pritzker me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe ecurinë e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe në krijimin e një klime të favorshme për biznesin. Gjithashtu, Kryeministri shprehu mirënjohjen për projektet e rëndësishme të realizuara në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të programit të Sfidës së Mijëvjeçarit dhe projekte të financuara nga USAID, si projekti për modernizimin e sistemit të prokurimeve, ngritjen e sistemit elektronik të regjistrimit të bizneseve në “One Stop Shop”, modernizimin e sistemit të mbledhjes së taksave, si dhe për projektet në vazhdim.
Zonja Pritsker shprehu vlerësimet e saj pozitive për ecurinë e reformave dhe zhvillimin e Shqipërisë në vitet e fundit. Zonja Pritzker tha shprehu bindjen se administrata e re është e gatshme të bashkëpunojë me Shqipërnë në të gjitha projektet e reformat në vend.
Në takim u diskutua dhe për potencialet e mëdha të zhvillimit që ka Shqipëria në fusha të ndryshme, veçanërisht në fushën e turizmit, për të cilat zonja Pritzker shfaqi shumë interes, duke qenë dhe drejtuese e një kompanie lider në SHBA në fushën e hotelerisë dhe turizmit.
Zonja Pritzker iu përgjigj me kënaqësi ftesës së Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë dhe për të parë nga afër këto potenciale.
29/01/2009