E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet në Bruksel me Përfaqësuesit e KE të Rabinëve Kreyministri Berisha takohet në Bruksel me Përfaqësuesit e Këshillit Evropian të Rabinëve

Kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij në Bruksel, u prit në një takim në selinë e Këshillit Evropian të Rabinëve nga nja përfaqësi e lartë e komunitetit hebre në Evropë që kryesohej nga Rabini Levi Matusof, Drejtor në Këshillin Evropian të Rabinëve. Përfaqësuesit e Këshillit Evropian të Rabinëve falënderuan Kryeministrin Berisha për vizitën si dhe shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen dhe ndihmën e madhe që shqiptarët i kanë dhënë komunitetit hebre në Shqipëri, duke strehuar dhe shpëtuar shumë prej tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata nënvizuan se aktiviteti i tyre ka për qëllim rigjallërimin, promovimin dhe mbështetjen e komunitetit hebre në Evropë duke shprehur dëshirën e tyre që edhe në Shqipëri të kishte objekte të kultit të tyre si dhe një përfaqësues. Kreu i Qeverisë i falënderoi për mikpritjen dhe u shpreh se komuniteti hebraik do të jetë i mirëpritur të zhvillojë besimin dhe kulturën e tij dhe se çdo besim në Shqipëri mund të ndërtojë institucionet e veta të kultit. Ai tha se qeveria shqiptare mbështet dhe do të mbështesë gjithmonë lirinë e besimit. Përfaqësuesit e Këshillit Evropian të Rabinëve duke uruar që Shqipëria të realizojë sa më shpejt ëndrrën e saj evropiane, u shprehën se Komuniteti hebre si dhe Këshilli Evropian i Rabinëve, përmes organizmave të tij, do të promovojnë dhe mbështesin procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›