E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet në Strasburg, me studentë e drejtues të Shkollës Politike të Tiranës dhe të asaj të Prishtinës

Në përfundim të vizitës së tij në Këshillin e Evropës në Strasburg, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me studentë dhe drejtues të Shkollës Politike të Tiranës dhe të asaj të Prishtinës, që të dy këto projekte të Këshillit të Evropës, që synojnë formimin e politikanëve të rinj.

Pjesmarrësit në takim falenderuan Kryeministrin për mundësinë që u dha të bashkëbisedonin si dhe nënvizuan kënaqësinë dhe krenarinë që Shqipëria kryesonte Këshillin e Ministrave të Këshillit të Europës.

Kryeministri i përgëzoi  studentet e dy shkollave politike për pjesëmarrjen në to, duke e vlerësuar këtë program si një mundësi shumë të mirë për thellimin e dijeve dhe formimit politik me vlerat e demokracisë, që janë në zemër të Këshillit të Europës.

Në vijim, Kryeministri ilustroi prioritetet e Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, të mishëruar në moton "Të bashkuar në diversitet"

Kryeministri iu përgjigj interesimit të studentëve të shkollave nga Shqipëria dhe Kosova, në lidhje me rolin e të rinjve në politikë dhe një shoqëri demokratike në kushtet e krizës botërore, promovimin e vlerave morale si toleranca dhe harmonia ndërfetare, që shqiptarët mund t’i japin si shembull në kuadër të Këshillit te Europës, ku shkëlqen roli i shqiptarëve gjatë holokaustit, rolin e Shqipërisë në kuadër të Presidencës për afrimin e Kosovës me KiE, etj..

Në përfundim të takimit, Kryeministri theksoi vazhdimësinë e mbështetjes së qeverisë për këtë program të Këshillit të Europës.


08/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›