Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e shkollës së mesme të Bashkuar “Isuf Dalipi”, në Mollaj të Korçës
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm, sot paradite, në inaugurimin e përfundimit të rikonstruksionit të shkollës së mesme të bashkuar “Isuf Dalipi”, në komunën Mollaj të Korçës. Rikonstruksioni i kësaj shkolle është realizuar me një investim prej rreth 190 milion lekë. Krahas klasave te mjaftueshme dhe mjediseve të tjera ndihmëse, shkolla tashmë ka kabinet informatike me lidhje satelitore interneti, 3 laboratorë virtualë, 2 kabinete të shkencave dhe një Bibliotekë me një fond të konsiderueshëm librash.
Kryeministri Berisha vizitoi kabinetin e informatikës, dhomën e trashëgimisë kulturore, si dhe u takua e bisedoi me mësuesit e kësaj shkolle. Ai vlerësoi standardet e rikonstruksionit të kësaj shkolle dhe siguroi se qeveria do të vazhdojë përpjekjet e saj për të modernizuar infrastrukturën shkollore në çdo skaj të vendit. Krahas këtij objektivi madhor, Kryeministri siguroi se etapa e dytë madhore është gara e cilësisë dhe në arsimin tonë, qeveria do të synojë të përshtasë modelet më të mira të Evropës dhe të botës.
Vlera e investimeve në arsim në qarkun e Korçës, për periudhën 2006-2012, është rreth 1 miliard e 20 milionë lekë, përmes të cilave janë rikonstruktuar 60 objekte shkollore dhe janë ndërtuar të reja 4 shkolla të tjera.
Në kuadër të përparësisë kyce të qeverisë për reformën në vazhdimësi në arsimin profesional, formimit dhe punësimit të këtyre të rinjve, në Korçë funksionojnë 6 shkolla profesionale, të cilat njohin rritje nga viti në vit. Këtë vit janë regjistruar 26.1 % e nxënësve të arsimit të mesëm në shkollat profesionale. Këtë vit, në rang vendi, po investohet edhe në 4 shkolla të tjera profesionale, si kjo që inaugurohet sot këtu, të cilat do të jenë përkatësisht në Kamëz, Bushat, Shkodër dhe Durrës. Vlera totale e financimit të këtyre shkollave është rreth 5 milionë Euro. Në të njëjtën kohë kanë filluar procedurat për rikonstruksionin e dy shkollave të tjera profesionale në Fier, Lezhë dhe Durrës, me vlerë rreth 2,5 milion Euro. Pra, vlera e investimeve rreth 7,5 milion Euro në arsimin profesional në harkun kohor të dy viteve është dëshmi e qartë e angazhimit serioz të qeverisë për ta zhvilluar me shpejtësi këtë hallkë të rëndësishme të arsimit të mesëm.
Për sa i përket prioritetit të qeverisë për Shqipëria Digjitale, në qarkun e Korçës rezulton se interneti është shtrirë në të gjitha shkollat e saj dhe ato sot kanë 131 kabinete informatike, 231 laboratorë virtualë dhe ka filluar përdorimi i smart board, ku deri tani numërohen 12 të tillë.
Për sa i përket Universitetit “Fan Noli”, në Korçë, për periudhën 2005-2012, në ndërtime dhe rikonstruksione janë investuar rreth 300 milion lekë. Nga 11 milion të investuara në 2005, ato u rritën në rreth 82 milion në 2012, ose 7.5 herë më shumë se në 2005-ën. Këtë vit Universiteti ka edhe një godinë më shumë, e ri - konstruktuar, me vlerë të përgjithshme rreth 100 milion lekë.
Duke përmendur investimet e përgjithshme në qarkun e Korçës, rezulton se nga qeveria janë investuar mbi 550 milion dollarë. Janë ndërtuar mbi 600 km rrugë me vlerë 242 milion dollarë, nga të cilat: 320 km rrugë lokale e dytësore, 70 km rrugë rurale, 210 km rrugë kombëtare (ndërtuar130 km, në proces 80 km.)
Gjithashtu, është investuar në: 64 sisteme ujësjellësish e kanalizimesh me vlerë 221 milion dollarë, në 35 qendra shëndetësore, spitale e ambulanca, me vlerë 2 milion Dollarë, 25 milion dollarë në bujqësi, 10 milion dollarë vaditje e kanale kullues, 15 milion dollarë kredi e subvencione, është investuar në në subvencionime për 1600 ha drufrutorë, vreshta e serra dhe kanë përfituar 5000 fermerë e 1600 blegtorë, është investuar për për kreditim të 25 frigoriferëve me kapacitet 7000 tonë dhe 7 linja agroindustriale, janë investuar 28 milion dollarë në rikonstruksionin e rrjetit dhe nënstacioneve elektrike, në restaurime të 31 objekteve monument kulture me vlerë 350 mijë Euro, ndërsa në pyje dhe kullota mbi 1. 5 milion dollarë.
Për sa u përket koncensioneve, janë kontraktuar 11 HEC-ce me vlerë 1.9 miliard Dollarë, ndërkohë që në sektorin minerar janë dhënë koncesione me vlerë 83 milion dollarë.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, shpreh gëzimin tim që ndaj me ju, sot në këtë ditë, kënaqësinë e inaugurimit të shkollës së rindërtuar “Isuf Dalipi” në fshatin tuaj, shkollë kjo e parametrave të plotë europian, shkollë e cila ka 3 laboratorë virtuale, kabinetin e informatikës, një bibliotekë shumë të bukur dhe të pasur dhe që krijon një mjedis tërësisht të ri për nxënësit e mësuesit e kësaj shkolle.
Të dashur nxënes e mësues,
Ne kemi pasur një trashëgimi të vështirë, një trashëgimi mjerimi, varfërie të skajshme dhe prapambetje të gjithashme, një trashëgimi e cila, jo në vitin 90 apo dhe më para, por edhe në vitin 2001, do të përshkruhej në sallën e Parlamentit Evropian nga një europarlmentar me fjalët: ”këta njerëz nuk kanë drita, këta njerëz nuk kanë ujë, nuk kanë rrugë”. Cfarë i lidh këta njerëz me ne?, - do të shtronte pyetjen ky deputet. Unë ju garantoj se nuk ishte antishqpitar, por ai përshkruante me dhimbje realitetin tonë. Ne jemi një nga kombet më të vjetra të Evropës, më të lashta dhe, këtu në komunën tuaj, ka disa nga monumentet më të mrekullueshme të lashtësisë së këtij kombi. Por ne kemi pasur një histori shumë të vështirë, histori të dhimbshme pushtimesh, ndëshkimesh, diktatura. Të gjitha këto së bashku na veçuan ne, në rrafshin e zhvillimit, nga Europa. Ne jemi evropianë ndër më të vjetrit e kësaj toke, por ne duhet të ndërtojmë Evropën në çdo pëllëmbë të këtij vendi, në mënyrë që vërtetë të bëhemi si evropianët e sotëm. Kjo rrugë kalon, para së gjithash, nga dyert e bankat e shkollave tona, nga nxënësit tanë, edukimi dhe cilësia e arsimit kalon nga mësuesit tanë, këta misionarë të mëdhenj të dijes.
Shqipëria, në një hark kohor shumë të shkurtër, ka bërë shkëputje shumë të fuqishme. Ky zotëri eurodeputet, që do të deklaronte në 2001 se shqiptarët nuk kanë rrugë, nuk kanë drita, nuk kanë ujë, po të vinte sot, do të gjente një Shqipëri me rrjetin rrugor që ka ndërtuar e që po ndërton, nga më modernët në Evropë, do të shikonte se shqiptarët nuk kanë më mungesë dritash, 97 përqind e tyre kanë ujë rubineti, po të vijë sot në Shqipëri, ai gjen një infrastrukturë shkollore, ku janë ndërtuar apo rindërtuar nga e para 1300 shkolla, gjen në të gjitha shkollat e vendit internet që funksionon shumë mirë, gjen laboratorë modernë.
Të dashur fëmijë,
Çdo vit ne po ndërtojmë Evropën, çdo vit ne po bëjmë realitet ëndrrën tonë më të bukur, ëndrrën tonë evropiane. Unë ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithcka që ajo ëndërr e bukur e juaja, ai projekt madhështor që ju keni në mendjet tuaja, të shndërrohet në shtëpinë e ardhshme tuajën. Kjo do të jetë Shqipëria më e bukur e të gjitha kohërave. Do të bëjmë gjithçka që ne të kapim me shpejtësi nivelin e vendeve të zhvilluara. Jam shumë i gëzuar sepse pikërisht ne arsim, ne sot kemi arritur disa nga treguesit bazës të arsimit të vendeve të zhvilluara. Sot, në Shqipëri, vitet e shkollimit, të cilat patën një rënie të madhe, po rriten me shpejtësi, sepse 92 për qind e djemve e vajzave që mbarojnë shkollat 9 vjeçare shkojnë në shkollat e mesme, sepse 71 përqind e të gjithë atyre të cilët mbarojnë maturat, hyjnë në bankat e universiteteve. Po rriten me shpejtësi, sepse nga 52 mijë stundentë që kishim në vitin 2005, apo 12 studentë për 1 mijë banorë, sot kemi mbi 50 studentë për 1000 mijë banorë dhe qëndrojmë më lart se një numër i madh i vendeve të zhvilluara.
Sot qeveria shqiptare ka vendosur mësuesin në epiqendër të reformës për arsimin. Ne jemi të bindur se reforma në arsim kërkon që të mbështetet, të reformohet roli qendror i mësuesit. Në një hark kohor 6 veçar, si asnjë qeveri tjetër, ne kemi bërë rritjen më të madhe të rrogave për mësuesit tanë. Një mësues, i cili në vitin 2005 merrte 220 mijë lekë, sot merr 520 mijë lekë, një mësues që në vitin 2005 merrte 270 mijë lekë, sot merr 570 mijë lekë. Në rast se në vitin 2005 rroga mujore e Kryeministrit ishte e barabartë me 9 rroga arsimtarësh, sot ajo është e barabartë me 4.5 rroga të arsimtarëve dhe ju garantoj se, vit pas viti, do ta ngushtojmë këtë diferencë, duke rritur rrogat e arsimtarëve.
Zotërinjve që kritikojnë arsimin u pëgjigjem sot këtu. Natyrisht, problematika ekziston, por ajo është në zgjidhje. Sot që ne po kompletojmë një infrastrukturë evropiane në të gjitha komunat, fshatrat, bashkitë e vendit, garantoj shqiptarët se etapa e dytë madhore është gara e cilësisë. Ne do të rendim me të gjithë fuqitë tona për një arsim cilësor, ne do të fiksojmë objektivat më të lartë evropianë, në mënyrë që nxënësit tanë të kenë dijet më cilësore. Unë kam besim të madh se vitet që vijnë, në të gjitha cilket e shkollave tona, gara e cilësisë do të jetë gara më kryesore. Modelet më të mira të Evropës dhe të botës do të përshtaten në shkollat tona, në mënyrë që të rrisim cilësinë. Por, të shkelmosh mbi arritjet, të sulmosh arritjet, nuk është meritë, t’i mohosh ato është një lloj fondamentalizmi.
Së pari, asnjë çështje nuk është më serioze se arsimi. E dëgjoja dje ish kryetarin e bashkisë së Tiranës, i cili deklaronte se shkollat i ndërton pushteti vendor. Unë, Kryeministri i vendit, jam i gatshëm të brohoras për çdo kryetar komune dhe bashkie që ndërton shkolla me fondet e tij. Sikundër, unë i garantoj ata, kudo që janë, se kjo qeveri do të bëjë gjithçka për të financuar e ndërtuar shkolla të reja moderne, në të katër anët e vendit. Kemi ndërtuar e rindërtuar 71 përqind të shkollave. Këtu, në komunën tuaj, kryetari i komunës më tha se nevojitet të ndërtohet edhe një shkollë e re dhe unë i jap fjalën se do ta ndërtojmë atë brenda vitit që vjen.
Por, i nderuar ish kryetar i bashkisë së Tiranës, dua të njoftoj qytetarët e Korçës, qytetarët shqiptarë, se gjatë mandatit tuaj, qeveria e Sali Berishës u akordoi juve, si kryetar bashkie, 2.1 miliardë lekë për të ndërtuar shkolla në Tiranë, jo një, por 17 shkolla, në mëntyrë që vogëlushët, fëmijët në Tiranë të ulen në banka, në klasa normale dhe jo me 50 nxënës, siç ishin më parë. Çfarë ndodhi zoti ish kryetar me ato para? Ato para nuk i shfrytëzove dot për shkolla. Ndërtove gjithsej nga 17 shkolla, vetëm 7 të tilla dhe sot, të gjitha gjimnazet e Tiranës janë me 40-45 nxënës, më shumë të mbushura se klasat e të gjithë Shqipërisë. Kjo ndodhte sepse ty nuk të lanë trojet, trojet i hanin “Fidelët e tu” për pallate shumëkatëshe, ndërsa fëmijët nuk kishin mundësi të bërtisnin për trojet, as të paguanin ryshfete për trojet, ndaj dhe mbeteshin shkollat pa ndërtuar. Pra, nuk duhet të mërzitesh fare për faktin se unë problemet me arsimin i trajtoj me mësuesit e vendit dhe me këta fëmijë, të cilët kanë tani detyrën më të rëndësishme të jetës së tyre, mësimin dhe edukimin në shkollë.
Por përveç kësaj, unë ju bëj thirrje zoti Rama; voto ligjet që kërkohen për statusin e vendit në BE. Mos shfrytëzo votën e baballarëve, nënave të fëmijëve tanë, të cilët kanë votuar për të ecur drejt BE-së. Mos shfrytëzo votën për të bllokuar këtë proces, mos shfrytëzo votën për të shkelmuar ëndrrën evropiane të shqiptarëve, sepse, duke nxjerrë deputetët nga komisioni parlamentar i ligjeve, dëshmon një shkallë të lartë papërgjegjshmërie. Më thoni ju, të dashur nxënës, nëse 3-4 nxënës nga klasa do të ngriheshin në mes të orës së mësimit dhe të iknin pa pyetur fare prej saj, çfarë përshtypje do të bënin te ju? Do të ishte një gjest i pa përgjegjshëm. Ky akt ndodh çdo ditë në parlament, vetëm e vetëm që të tregojnë se ne nuk meritojmë statusin. Unë shpreh respektin tim për ju dhe për prindërit tuaj dhe le t’u thoni atyre se për ju, përparësi kryesore ka ëndrra evropiane. Zgjedhjet po vijnë, me votën e tyre ata le të votojnë për ju, le të votojnë për ëndrrën tuaj evropiane. Faleminderit”.
06/10/2012