E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha organizon një pritje për përfaqësuesit e BB-së, me rastin e 20 vjetorit të aktivitetit të këtij institucioni në Shqipëri

Kryeministri Berisha organizoi dje në mbrëmje në mjediset e Pallatit të Brigadave një pritje për përfaqësuesit e Bankës Botërore, me rastin e 20 vjetorit të aktivitetit të Bankës Botërore në Shqipëri.

Të pranishëm në pritje ishin ministra të kabinetit qeveritar, Drejtorja  e BB-së dhe Koordinatorja Rajonale për Evropën, zonja Jane Armitage, përfaqësuesja  e përhershme  e zyrës së BB në Shqipëri, zonja Kseniya Lvovsky, ambasadori i BE në vendin tonë, Ettore Sequi, përfaqësues të sektorit privat, shoqërisë civile, medias, partnerëve për zhvillim, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë, si dhe vlerësimin më të lartë për rolin, kontributin dhe ndihmesën e shkëlqyer që BB i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë këtyre 20 viteve. Kryeministri theksoi se, falë këtij kontributi, i cili është konkretizuar në një sërë projektesh të rëndësishme, shqiptarët sot i janë mirënjohës BB-së për ndryshimet thelbësore që ka pësuar vendi në fusha të ndryshme, ku mbështetja e këtij institucioni është themelore. "Në 20 vite BB i ka dhënë Shqipërisë ndihmën më të jashtëzakonshme, duke u bërë avokate e interesave të qytetarëve shqiptare. Kur BB nisi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare, vendi ishte një nga më të varfrit në Evropë, një nga më të kolektivizuarit në botë dhe me një deficit të theksuar për sa i përket njohjeve mbi tregun, ekonominë. Që në muajt e parë, misioni i BB në Shqipëri, ekip pas ekipi, projekt  pas projekti, u bë një aleat dhe mik shumë i çmuar në përpjekjet tona për lënë mbrapa të shkuarën dhe për të ndërtuar të ardhmen", theksoi Kryeministri. 

Kryeministri shprehu falënderimet për të gjithë drejtuesit aktualë të BB, por edhe ata që kanë drejtuar Institucionin përgjatë 20 viteve, të cilët me ekspertizën dhe përkushtimin e tyre, si dhe universin e reformave për të cilat u bënë promotorë së bashku me autoritetet shqiptare, u shndërruan në faktorë kryesorë të transformimit epokal të Shqipërisë.

Nga ana e saj, Koordinatorja Rajonale për Evropën, zonja Jane Armitage, duke vlerësuar të gjitha arritjet përgjatë këtij bashkëpunimi produktiv dhe miqësie midis Bankës Botërore dhe Shqipërisë, uroi edhe për shumë vite të tjera bashkëpunimi dhe partneriteti të frytshëm teksa Shqipëria rritet, zhvillohet, përmirëson jetën e qytetarëve të saj e bëhet pjesë e Evropës ".


06/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›