Kryeministri Berisha në ceremoninë e inaugurimit të nisjes së punimeve të Parku Logjistik i Tiranës

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot, në ceremoninë e inaugurimit të nisjes së punimeve të Parku Logjistik i Tiranës, një investim i përbashkët i Grupit Balfin, Fondit Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve dhe Grupit AlbStar.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha e vlerësoi nisjen e këtij investimi, i cili për fazën e parë të punimeve është 25 milionë euro, ndërsa në total ai kap vlerën 40 milionë euro, si “besim dhe shpresë” nga sipërmarrësit e huaj dhe vendas për klimën e biznesit në vend, duke shprehur njëherësh besimin se edhe ky investim do të jetë një tjetër “histori suksesi”.
Destinacionet kryesore të këtij Parku, të vendosur në një sipërfaqe prej 200.000 m2, janë si Park teknologjik dhe industrial, shërbimeve të ndërlidhura magazinimi, shërbime prodhimi për industrinë e lehtë, ushqimore tekstile etj., shërbime shpërndarjeje dhe krijimi i një zone të lirë për prodhime dhe eksport.
Kryeministri konsideroi veçanërisht të rëndësishëm shndërrimin e Parkut në një mundësi të madhe punësimi, ku vetëm gjatë fazës së parë, tha Kryeministri, do të punësohen 500 punonjës, vitin e ardhshëm edhe 1100 punonjës të tjerë të mirëmbajtjes e menaxhimit të Parkut, por me kapacitet punësimi, pas instalimit të fabrikave të ndryshme, deri në 20 mijë punonjës.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha u shpreh:
Të nderuar zotërinj ministra
I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë së Tiranës
I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë së Kamzës
I nderuar z. Michael Granof, President i Fondit Shqiptaro Amerikan, mik i shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve
Të nderuar anëtarë të bordit
I dashur zoti Zamir Mane
Të nderuar të pranishëm
Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për jetën e kryeqytetit të vendit, për jetën e qytetit të Kamzës, qyteti i gjashtë më i madh i Shqipërisë, për jetën e vendit në tërësi. Ne inaugurojmë fillimin e punimeve të një mega gjeneratori të punësimit të qytetarëve të Kamzës dhe të mbarë Shqipërisë.
Zonja dhe zotërinj
Zoti Zamir Mane, President i grupit BALFIN, sapo më informoi se në këtë sipërfaqe prej 200 mijë metra katrorësh dhe një ndërtimi magazinash prej 80 mijë metra katrorësh, gjatë këtij viti do të punësohet mbi 500 punonjës të profesioneve të ndryshme dhe se vitin tjetër do të punësohen edhe 1100 punonjës të tjerë të mirëmbajtjesh dhe menaxhimit të Parkut Logjistik, por kapacitet e punësimit të këtij parku janë 20 herë më të mëdha çka do të thotë se me instalimin e fabrikave të prodhimeve të ndryshme, parku do të mund të punësojë deri ne 20 mijë gra dhe burra të Kamzës dhe Tiranës. Unë kam kënaqësinë të informoj grupin BALFIN, qytetarët e Kamzës, të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë se, pikërisht për realizimin e këtyre qëllimeve, qeveria shqiptare vendosi javën që shkoi heqjen tërësisht të TVSH-së, për të gjitha makineritë që do të importohen për prodhim në këtë park dhe kudo në Shqipëri.
Pak vite më parë kompania e konsulencës ndër më kryesoret e kësaj bote McKenzie, ka bërë një studim të thelluar mbi luginën Durrës-Tiranë, kompania konkludon në studimin e saj se, kjo luginë do të jetë Shenzheni i ardhshëm i Europës.
Këto janë themelet e Shenzhenit që do të ndërtohen në këtë luginë, po pse kompania McKenzie i lejon vetes një krahasim të tillë, sepse kompania thotë se kjo është zona me pozicionin gjeografik më të përshtatshëm në kontinent. Ajo vendoset në kryqëzimin e korridoreve të mëdha të tregut perëndim- lindje , lindje- perëndim, ajo ka në distancat e veta më të shkurtë portin modern, aeroportin dhe autostradat, që e lidhin me Rajonin dhe Botën dhe unë ju garantoj ju se përveç shenzhenit, krah punë me të leverdishëm më fleksibël dhe më të përshtatur se në Kazmë, në Tiranë dhe në Shqipëri, nuk gjendet në Europë dhe askund tjetër.
Sado që mund tu duket imagjinatë unë jam i bindur se, kjo ëndërr po shkon drejt shndërrimit në realitet. Dhe unë dua të garantoj qytetarët shqiptarë se, prapa çdo projekti qoftë edhe më minimale, unë gjënë e parë që shoh dhe konsideroj është vendi i punës është punësimi. Kjo është rruga e zhvillimit të sigurt, rruga e prosperitetit të familjes shqiptarë dhe të vendit në tërësi.
Koha është një kohë krize në Botë. Globalizmi ka efektet e tij pothuaj natyrale. Ne do të bëjmë gjithçka që të ndjekim tik-takun e tij. Unë garantoj investitorët e pranishme këtu dhe mbarë investitorët shqiptarë se, qeveria konsideron jetike dhe vendimtare mbështetjen e tyre, si mburojë për vendin ndaj kësaj krizën që do të jetë afatgjatë.
Ata që premtojnë rritjen e taksave le ti lënë në traktate e Marksit, sepse ne vetëm do ti ulim ato. Ne kemi besuar dhe besojmë se paratë në kontot a agjenteve privat, janë më të vlefshme sesa në arkën publike.
Tani unë dua ti shpreh një falenderim të përzemërt grupit BALFIN, Fondit Shqiptarë Amerika dhe Grupit AlbStar për këtë iniciativë të shkëlqyer që kanë marrë. Ky është një investim i rëndësishëm në këtë fushë, por mbi të gjitha ky është një vizion i madh , një vizion për zhvillimin e Tiranës dhe të Shqipërisë.
Zonja dhe zotërinj
Vetëm pak muaj më parë ne inauguruam fillimet e punimeve të Parkut Teknologjik të familjes Lindner, pranë aeroportit, sot inaugurojmë fillimet e Parkut Logjistik të grupit BALFIN , kjo sepse këtu ka shpresë, këtu ka besim, këtu ka përkushtim për klimën e biznesit
Dhe unë ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për përmirësimin e saj.
Edhe njëherë ju uroj shumë sukses ju zoti Mane, juve zoti Granof , dhe Fondit Shqiptarë Amerikan përfaqësuesve të AlbStar dhe jam i bindur se do të jetë një histori e madhe suksesi, ky investim që nis sot.
Faleminderit.
09/10/2012