Kryeministri Berisha takohet në Tel Aviv me Kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, zotin Ron Huldai
Në ditën e tretë të vizitës së tij në Izrael, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Tel Aviv-it, zotin Ron Huldai.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që takohej me kryetarin e Bashkisë të një prej qyteteve më të bukura dhe më të zhvilluara të botës.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha bëri një panoramë të reformave gjithëpërfshirëse të ndërmarra dhe të realizuara me sukses nga qeveria shqiptare, në sajë të të cilave, ekonomia shqiptare, por edhe shumë fusha të tjera po zhvillohen me ritme të shpejta. Në këtë kontekst, kryeministri u ndal dhe foli gjerësisht për masat e marra për sa i përket uljes së barrës fiskale, zvogëlimin në maksimum të pengesave burokratike, krijimit të një klime tërheqëse për investimet e huaja, të cilat po shtohen nga dita në ditë, shtimit të eksporteve, zbatimit të suksesshëm të projekteve të rëndësishme infrastrukturore, etj.
Duke shprehur dëshirën për të shkëmbyer eksperiencën me bashkinë e një qyteti të zhvilluar si Tel Aviv-i, Kryeministri Berisha u shpreh se Kryetari i Bashkisë së Tiranës po adapton standarde të larta për sa i përket zhvillimit të një klime miqësore ndaj biznesit dhe përthithjes së investimeve të huaja në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Tel Aviv-it, duke uruar për zgjedhjen e zotit Lulzim Basha në detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit shprehu kënaqësinë dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës. Ftesës së Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë, si dhe për të zhvilluar bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, zoti Ron Huldai iu përgjigj se ishte një kënaqësi shkëmbimi i vizitave, në kuadër të një bashkëpunimi të frytshëm mes dy qyteteve. “Do të jem i gëzuar të vij në Shqipëri dhe të pres Kryetarin e Bashkisë së Tiranës këtu, dhe të fillojmë një bashkëpunim frytdhënës midis Tel Aviv-it dhe Tiranës.” – u shpreh zoti Huldai.
Kryetari i Bashkisë së Tel Aviv-it zoti Ron Huldai i dha Kryeministri Berisha në shenjë simbolike Pasaportën e qytetit të Tel Aviv-it.
Kryeministri Berisha dhe kryetari i Bashkisë së Tel Aviv-it, zoti Ron Huldai zhvilluan homazhe pranë memorialit të ngritur në kujtim të ish kryeministrit të vrarë Jitzhak Rabin. Kryeministri Berisha vendosi një kurorë me lule pranë këtij memoriali.
22/11/2011