E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Zv/Sekretarin e Përgjithshëm të Fondacionit "Konrad Adenauer"

Gjatë qëndrimit në Gjermani, Kryeministri Berisha u takua sot me Zv/Sekretarin e Përgjithshëm të Fondacionit  "Konrad Adenauer", Dr.Gerhard Wahlers.
 
Duke i uruar mirëseardhjen Kryeministrit Berisha, Zoti Wahlers u shpreh se është nder dhe kënaqësi e veçantë për të që pret Kryeministrin shqiptar dhe të diskutojë me të rreth bashkëpunimit midis Fondacionit "Konrad Adenauer" dhe Republikës së Shqipërisë.
 
“Shqipëria është një faktor i rëndësishëm në Ballkan-, u shpreh zoti Wahlers-, dhe ne jemi shumë të lumtur që përmes këtij takimi dhe bashkëpunimit të mëtejshëm do të forcojmë lidhjet tona me Shqipërinë, si dhe rezultatet e punës tonë në rajon”.
 
Pasi e falenderoi për mikpritjen, Kryeministri Berisha i shprehu zotit Wahlers  gadishmërinë e qeverisë së Tij për të bashkëpunuar dhe për të përkrahur misionin  e Fondacionit "Konrad Adenauer" në Shqipëri.
 
Zv/Sekretari Wahlers i premtoi Kryeministrit Berisha se së shpejti ky fondacion do të hapë një zyrë përfaqësie në Shqipëri, e cila do të organizojë dhe koordinojë të gjitha aktivitetet e fondacionit në kuadër të forcimit të institucioneve demokratike, në shtetin e së drejtës, integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE, si dhe në shume aspekte të tjera.
 
Kryeministri Berisha e falenderoi zotin Wahlers edhe për kontributin që Fondacioni "Konrad Adenauer" ka dhënë për Shqipërinë në fillim të viteve '90 nëpërmjet aktivitetit të tij. Më tej, Kryeministri e falenderoi zotin Wahlers për vendimin që ky fondacion ka marrë, për të hapur zyrë përfaqësimi në Shqipëri, për të intensifikuar marrëdhëniet me qeverinë shqiptare, si dhe për kontributin e tij në forcimin e institucioneve shqiptare. 
Kryeministri Berisha e njohu Zv/Sekretarin e Përgjithshëm të Fondacionit "Konrad Adenauer” me projektet më madhore të qeverisë shqiptare, si dhe i bëri një ekspoze të reformave më kryesore të ndërmarra nga qeveria, si lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformat fiskale, reforma në fushën ekonomike, krijimi i një klime sa më të favorshme për biznesin, krijimin e një shteti ligjor, etj..
 
Dy personalitet diskutuan dhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, si dhe ndihmën që ky fondacion mund të japë për Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe për strukturat e saj.
Në fund të këtij takimi dy personalitetet diskutuan dhe për zhvillimet në rajon, kryesisht për sa i përket zhvillimeve në Kosovë.


08/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›