E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Dr. Muharrem Mane, kërkues shkencor në fushën e aeronautikës në Universitetin Purdue në SHBA

Kryeministri Berisha priti në një takim të veçantë  Dr. Muharrem Mane, kërkues shkencor në fushën e aeronautikës në Universitetin Purdue në SHBA, i cili është profesor vizitor në Universitetin Politeknik të Tiranës i mbështetur nga programi Brain Gain.

Dr. Mane e falenderoi Kryeministrin për pritjen dhe për angazhimin e qeverisë së tij dhe angazhimin e tij personal, për mbështetjen që tregojnë për programin Brain Gain duke i mundësuar  ardhjen në Shqipëri  dhe përfshirjen  në  aktivitetin  shkencor  akademik  të  Universitetit  Politeknik  në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.

Kryeministri Berisha e falenderoi Dr. Manen  për  angazhimin e tij në  Shqipëri  përmes  programit Brain Gain  dhe premtoi  se mbështetja  e  qeverisë  për  këtë  program do të jetë e vazhdueshme dhe e qëndrueshme, pasi  ky program  lidhet me zhvillimin cilësor në arsim, një ndër fushat më kryesore të punës  së  qeverisë  së tij. Në  vijim Kryeministri  u ndal në arritjet në arsim dhe në  betejën  e  re  që ka  shpallur qeveria  e  tij për rritjen e cilësisë së edukimit  që ofrohet  në universitete  dhe  në shkollat e larta.

Dr. Mane shtoi se puna që  po bën  për  të lidhur marrëveshje  afatgjata mes Universitetit Politeknik të  Tiranës dhe Universitetit  Purdue në SHBA  përputhet  me vizionin  për  cilësi të Kryeministrit dhe qeverisë së tij.  Ai i premtoi  Kryeministrit  se do të punojë pa ndërprerë  për të zhvilluar më tej punën  e nisur në Universitetin Politeknik.


02/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›