Qeveria miraton përcakton autoritetin kontraktues për dhënien me koncesion të shërbimit të markimit e monitorimit të karburanteve
Qëllim kryesor i reformave të qeverisë mbetet mbrojtja e qytetarëve.
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të shërbimit të markimit dhe monitorimit të karburanteve në Republikën e Shqipërisë dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë”.
Kryeministri Berisha tha se me këtë vendim, synohet kontraktimi i një kompanie të huaj që do të merret me shënjimin e naftës që do të futet në treg. “Kjo, - tha Kryeministri - bën plotësisht të mundur detektimin e çdo lloj fluksi kontrabandist dhe jashtë cilësive në tregun shqiptar. Ky është një hap shumë i rëndësishëm që do të ketë një ndikim të madh, në radhë të parë, në shëndetin e njerëzve, sepse do mund të tregtohet vetëm nafta e standardeve të aprovuara dhe në radhë të dytë e jo më pak e rëndësishme, është shmangia e çdo lloj kontrabande.”
Kryeministri theksoi se qëllimi kryesor i reformave të qeverisë është mbrojtja e konsumatorit dhe konsolidimi i praktikave më të mira në këtë drejtim.
“Dua të garantoj qytetarët se qëllim kryesor i reformave të qeverisë mbetet mbrojtja e tyre. Institucionet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e konsumatorëve do të konsolidojnë më tej të gjitha praktikat më të mira, në mënyrë që ne të ecim si një vend që vë në epiqendër mbrojtjen e mjedisit, që vë në epiqendër shëndetin e njerëzve, si një vend që mendon se revolucioni industrial e zhvillimi duhet të ecin para, në respekt të plotë të standardeve më të mira europiane. Dhe kjo ka ndodhur,” u shpreh Kryeministri, duke përgëzuar Ministrinë e Financave për paraqitjen e këtij vendimi.
24/08/2011