E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Drejtorin e Përgjithshëm për Bashkëpunimin Europian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, zotin Robert de Groot

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Drejtorin e Përgjithshëm për Bashkëpunimin Europian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, zotin  Robert de Groot.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha e falenderoi zotin Robert de Groot për mbështetjen që Mbretëria e Vendeve të Ulëta i ka dhënë Shqipërisë në vijimësi, gjatë kësaj periudhe si në aspektin dypalësh, ashtu dhe në kuadrin shumëpalësh, ne veçanti në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Drejtori i përgjithshëm e falenderoi kryeministrin Berisha  për pritjen  e ngrohte dhe miqësore dhe i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta të ministrit të jashtëm të Holandës Frans Timmermans dhe të qeverisë holandeze.

Drejtori i Përgjithshëm për Bashkëpunimin Europian, zoti Robert de Groot e risiguroi kryeministrin Berisha se Mbretëria e Vendeve të Ulëta do të vijojë të mbështesë Shqipërinë, si në kuadër të projekteve dypalëshe, ashtu edhe në përpjekjet e qeverisë shqiptare për të ecur me shpejtësi drejt anëtarësimit në BE. “Qeveria holandeze ju dërgon përshëndetjet më të ngrohta dhe është plotësisht mbështetëse e ambicieve tuaja për integrimin e Shqipërisë sa më shpejt në BE” theksoi zoti Robert de Groot.

Kryeministri  Berisha e falënderoi  për këtë mbështetje dhe i theksoi zoti Robert de Groot se qeveria shqiptare mbetet e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të realizuar sa më parë këtë projekt madhor kombëtar, integrimin në BE, si e ardhmja  më e mirë dhe me e sigurt për Shqipërinë dhe qytetarët  e saj.

Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kryeministri Berisha e njohu zotin Robert de Groot me arritjet e rëndësishme për sa i përket përmirësimit dhe përditësimit të kuadrit ligjor zgjedhor, ku janë adresuar të gjithë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe amendimet e reja bazuar tërësisht në propozimet  e opozitës.

Kryeministri e njohu gjithashtu edhe me hapat e tjera të rëndësishme që janë realizuar në këtë aspekt, për sa i përket rritjes së numrit të qendrave të numërimit dhe të votimit , çka do të bëjë të mundur eliminimin e radhëve për qytetarët që do të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, por edhe shkurtimin e kohëzgjatjes për nxjerrjen e rezultateve. Kryeministri i kërkoi zotit Robert de Groot që qeveria holandeze të inkurajojë dërgimin e sa më shumë vëzhguesve për të vëzhguar procesin e zgjedhjeve në Shqipëri, për të cilat Kryeministri Berisha shprehu bindjen e thellë se bazuar në këtë kuadër dhe infrastrukturën solide, por edhe sistemin më të mirë të numërimit dhe më të sigurt që ekziston, do të jetë një proces shumë i mirë, konform standardeve ndërkombëtare.

Duke theksuar rëndësinë e pranimit të rezultatit të zgjedhjeve Kryeministri Berisha nënvizoi se elementi thelbësor i çdo politikani është dhe mbetet pranimi i verdiktit të qytetarëve, duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve demokratike.

Më tej, biseda u ndal edhe në arritjet e rëndësishme që Shqipëria ka shënuar gjatë kësaj periudhe në shumë fusha, por në veçanti për sa i përket konsolidimit të shtetit ligjor. Kryeministri Berisha e njohu zotin Robert de Groot me arritjet e rëndësishme në luftën kundër krimit, të cilat kanë bërë që popullata  e qendrave të vuajtjes së dënimit të rritet me 5 herë në Shqipëri, por edhe me reformat për sa i përket sektorit të drejtësisë si në fushën penale, ashtu dhe atë civile administrative dhe e siguroi zotin Robert de Groot se qeveria shqiptare mbetet tërësisht e vendosur për të konsoliduar edhe më tej këto arritje në Shqipëri.

Zoti Robert de Groot e siguroi Kryeministrin Berisha se Holanda do të dërgojë vëzhgues në kuadër të bashkëpunimit me OSBE-në dhe i uroi atij suksese në zgjedhjet e 23 qershorit.


25/03/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›