Kryeministri Berisha bashkëbisedon me përfaqësues të biznesit të vogël të disa prej komunave përreth Tiranës

Kryeministri Berisha u shpreh se punësimi është dhe mbetet objektivi më madhor, qëllimi më final i çdo reforme që ndërmerr qeveria. “Ne, - theksoi Kryeministri, - duam që të krijojmë një mjedis që favorizon sa më shumë biznesin, sepse ne punësimin, në zgjidhjen tonë përfundimtare, e bazojmë te biznesi dhe rritja ekonomike”.
Më poshtë vijon i plotë bashkëbisedimi i Kryeministri Berisha me përfaqësues të biznesit të vogël të komunave Bërzhitë, Baldushk, Farkë, Petrelë dhe Kërrabë: Dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht, t’ju falënderoj me mirënjohje që keni ardhur në këtë takim, ku qëllim kryesor është të dëgjohen mendimet tuaja, sugjerimet tuaja, opinionet tuaja, sesi ne të gjallërojmë edhe më shumë biznesin në Farkë, në komuna të tjera dhe në mbarë Shqipërinë. Çfarë duhet të bëjmë ne që të nxisim krijimin e më shumë vendeve të punës? Cilat janë sugjerimet që ju mendoni se zgjerojnë kapacitetet e punësimit? Punësimi është dhe mbetet objektivi më madhor, qëllimi më final i çdo reforme që ndërmerr qeveria. Ne besojmë se çdo qytetar duhet të gëzojë të drejtën e punës, duhet që me mundin, djersën dhe energjinë e tij të ndërtojë të ardhmen, të ndërtojë mirëqenien, të ndërtojë jetesën e tij. Ne duam që të krijojmë një mjedis që favorizon sa më shumë biznesin, sepse ne punësimin, në zgjidhjen tonë përfundimtare, e bazojmë te biznesi dhe rritja ekonomike.
Të dashur miq,
Gjatë këtyre viteve ne kemi punësuar në punët publike të infrastrukturës, në ndërtimin e 10.000 kilometrave rrugë, në ndërtimin dhe rindërtimin e 1300 shkollave, në ndërtimin dhe rindërtimin e mbi 300 sistemeve të ujësjellësve dhe 410 sisteme kanalizimesh, në ndërtimin e qindra qendrave shëndetësore, spitaleve dhe objekteve të tjera publike, mbi 58 000 qytetarë shqiptarë. Sot, vetëm në autostradën Tiranë-Elbasan, e cila kalon nëpër këto komuna, punojnë mbi 1400 punëtorë, inxhinierë dhe teknikë. Këto janë të pamjaftueshme. Nuk mund të jetë shteti gjenerator kryesor i vendeve të punës. Gjenerator kryesor i vendeve të punës, në një vend të lirë, është dhe do të mbetet biznesi. Ne i’a kemi dalë që në kulmin e krizës, nga vitit 2009 e deri më sot, bizneset të rriten me 30 përqind dhe bizneset e mëdha dy herë më shumë. Ne ia kemi dalë, nëpërmjet reformave të thella, të thithim në katër vitet e kulmit të krizës investime të huaja direkte më shumë se në tërë historinë tonë. Ne, në katër vitet e fundit, kemi thithur mbi 4 miliardë dollarë investime, me të cilat janë krijuar dhjetëra e mijëra vende pune. Ne kemi subvencionuar, nga 2007 e deri më sot, 42 mijë familje fermerësh për fermat e tyre. Ne kemi konstatuar se kjo që ne kemi bërë është vetëm ¼ e asaj që kanë bërë vetë fermerët, e investimeve që ata kanë bërë për fermat e tyre. Qëndrimi ynë, që në javën e parë në pushtet, vendimi i parë i qeverisë, ishte përgjysmimi i taksës mbi biznesin e vogël. Nga 3 përqind mbi xhiron ajo zbriti në 1.5 përqind. Gjatë këtyre viteve ne bëmë një përpjekje të madhe për të mbrojtur biznesin e vogël. Në rast se ju kujtohet, në Tiranë vetëm taksa e tabelës, ku secili ka të drejtë të vendosë emrin që dëshiron, filloi të tatohej 1.5 përqind mbi xhiron dhe taksat, faktikisht, u dyfishuan. Në u detyruam të bëjmë ligjin që të mos i lejojmë 30 përqind, plus apo minus, të drejtë lëvizje taksash pushtetit vendor, por vetëm 10 përqind. Dhe këtë detyrim e patëm, absolutisht, vetëm nga kryetari i bashkisë së Tiranës, i cili arriti me politikën e rritjes së taksave të detyrojë biznesin e vogël të paguajë 148 mijë lekë atë taksë që sot e paguan vetëm 67 mijë lekë. Kjo është e vërteta. Askush nuk harron momentet kur një seri bashkiakësh, me uniformë zyrtare, erdhën para kryeministrisë dhe protestonin pse qeveria vendosi të kufizojë mundësinë e rritjes së taksave me më shumë se 10 përqind të atij niveli që kishte fiksuar ligji. Këto të gjitha janë të shkuara, por rëndësi ka që së bashku të përpunojmë një projekt, me të cilin biznesit të vogël t’i krijojmë lehtësitë maksimale. Nuk ka diskutim që ky është biznesi që gjeneron më shumë punë. Por, ndërkohë, çfarë bëmë ne? Ne hoqëm taksat për çdo makineri që biznesi i vogël, i mesëm apo i madh do të importojë për qëllime prodhimi. Ne hoqëm taksat për çdo lloj inputi që do të përdoret për qëllime prodhimi. Ne sot mund të jemi vendi i vetëm në botë që nuk ka asnjë lloj takse mbi kapitalin. Kjo është e drejtë. Ne jemi vendi që kemi dërguar në Parlament heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale për të gjithë ata që paguhen nën 30 mijë lekë, duke dhënë kështu mundësi që punëtorët të kenë, pothuajse, një rrogë shtesë, por edhe duke i dhënë mundësi sipërmarrësit që në parashikimin e tij të mund të ketë 10 përqind më shumë investime. Sot ka një diskutim, të heqim taksën mbi biznesin e vogël. Taksa mbi biznesin e vogël është më e vogël, si shumë, sesa taksa që ne hoqëm mbi të ardhurat personale. Por taksa nuk hiqet. Këtë deklaratë e bëjnë vetëm ata, siç është zotëria që punon çdo ditë kundër ligjit dhe u bën thirrje - “mos paguani gjobat”. Sipas kësaj logjike, sëpatat dhe sharrat duhet të vazhdojnë e të presin pyjet. Ai u bën thirrje dhe u premton se do të anullojë gjobat, pas zgjedhjeve. Sipas kësaj logjike, bëni evazion sa të mundeni.Në qoftë se nuk paguan taksat, çatia nuk qëndron. Shteti që kur është themeluar ka funksionuar mbi bazën e taksave. Shteti është gjithnjë më i drejti. Kur zgjeron në shkallën më maksimale bazën e taksave, natyrisht në proporcion. Të shesësh taksën proporcionale si taksë të barabartë, mashtron gjithë ditën dhe merr përsipër të kalosh nga një sallë në sallën tjetër si një gënjeshtar, pothuaj i pashpresë. Me taksën 10 përqind, ai që merr 1000 paguan 100, ai që merr 100 paguan 10 dhe pabarazia, në këtë rast, është 10 herë. Sigurisht, taksa progresive është taksa e Marksit, është taksa në të cilën synohet që njerëzit të mos lejohen të pasurohen. Këtu ndahemi ne. Unë nuk kam frikë nga pasuria juaj. Unë kam besim se pasuria juaj, e biznesmenëve të mëdhenj, është një pasuri, një e mirë kombëtare, e cila kthehet në vende pune, kthehet në rroga për qytetarët, kthehet në zgjerim të aktiviteteve. Kjo është faktuar.
Unë ju premtoj se për sa kohë të votoni Partinë Demokratike, ju nuk do keni ndonjëherë rritje taksash. Ne kemi një histori, tani po bëhet 8 vjeçare. Fillimisht përgjysmuam taksën mbi xhiron, më vonë zbritëm nga 25 përqind në 10 përqind tatimin mbi fitimin, zbritëm nga 23 përqind në 10 përqind tatimin mbi të ardhurat personale dhe këtë tatim tani po e heqim, në filozofinë tonë të uljes së taksave, për të gjithë ata që marrin nën 30 mijë lekë. Gjashtë vjet më parë kontributet e sigurimeve shoqërore për sipërmarrësin ishin 30 përqind, sot ato janë 15 përqind për punëtor. Pra janë përgjysmuar. Përveç këtyre ne shënuam hapa të tjerë, hoqëm dhe do të heqim çdo lloj detyrimi tatimor në tre vitet e para për çdo të ri të punësuar. Pse e bëjmë ne këtë për rinjtë? Ne e bëjmë këtë për të rinjtë, sepse studimet tregojnë se në të gjitha vendet, përveç 2-3 vendeve në Evropë, papunësia e të rinjve është dyfishi i papunësisë së përgjithshme të popullatës. U përdorën praktika që kjo krizë i nxori si shumë të gabuara, lidhja e pensioneve për të rinjtë. Të rinjtë nuk duan pensione, por duan që energjinë e tyre ta shkrijnë për ndërtimin e jetës së tyre dhe të ardhmes së tyre. Ndaj dhe ne po ndërmarrim këtë akt, përveç kualifikimit. Ne do të heqim çdo lloj detyrimi për çdo të ri, në mënyrë që përqindja e papunësisë të jetë një përqindje e barabartë për grupmoshat e punës. Këto janë disa nga masat. Masa të tjera të rëndësishme do të marrim gjatë katër viteve që vijnë.
Unë jam shumë i interesuar të dëgjoj zërin tuaj, si dhe ju garantoj se sugjerimet dhe propozimet tuaja do të kenë përfilljen, do të kenë shqyrtimin më serioz.
Faleminderit shumë!
Pyetje: Zoti Kryeministër, ne ju falënderojmë shumë për subvencionimin e skemës së fermave të vogla, ullishtave dhe arrorëve. Zona jonë ka resurse të jashtëzakonshme, sidomos për ullirin. Ne jemi të interesuar të dimë, në qoftë se do të vazhdoni të subvenciononi akoma për këto lloj fermash?
Kryeministri Berisha: Edhe unë ju falënderoj juve për çështjen që ngreni, si dhe ju siguroj se ne jo vetëm që do të vazhdojmë, por do të synojmë trefishimi apo katërfishimin e kësaj skeme. Pse ne e bëjmë këtë? Së pari, qëllimi ynë më kryesor është punësimi. Ne duam që njerëzit të punësohen. Së dyti, ne kemi një bilanc tregtar negativ dhe rrugë e domosdoshme për të përmirësuar bilancin tregtar është rritja e prodhimit të atyre sektorëve që kontribuojnë më shumë në bilancin tregtar negativ, rritja e prodhimit bujqësor. Së treti, Shqipëria ka një tokë të bekuar. Shqipëria është një vend plot ujë, plot diell. Cilësia e tokës është e shkëlqyer, por ka një problem, kemi pak tokë bujqësore për frymë, kemi më pak se kombet e tjera. Ne kemi gjithsej 1800 m tokë për frymë. Ne do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të mbjellin çdo pëllëmbë tokë që e gjykojnë se prodhon dhe e vërteta është se ajo prodhon kudo. Në këtë kontekst, ne do të bëjmë gjithçka për të katërfishuar subvencionin për programet e mëdha kombëtare, ullirin, arrorët, drurët frutorë. Para disa ditësh një mik imi, italian, me një pasion shumë të madh për bujqësinë, një specialist shumë i shquar, më shkruante një letër dhe më shprehte vlerësimin më maksimal për përpjekjet që po bën Shqipëria për krijimin e pyjeve frutorë. E vërteta është që ne po ndjekim atë filozofi, ku atje që do të mbjellim le të mbjellim dru frutorë. Kjo nismë ka sjellë një nxitje rreth katër herë më të madhe sesa subvencionimi ynë. Në qoftë se ne kemi subvencionuar 42 mijë fermerë, absolutisht, rreth katër herë më shumë kanë mbjellë pa subvencionimin tonë. Subvencionimi ynë u ka shërbyer atyre si një garanci për një qëndrim shumë serioz ndaj ullirit, ndaj arrorëve, ndaj drurëve frutorë. Ne bëmë edhe një hap tjetër të madh, heqjen e çdo lloj takse apo tarife doganore për çdo lloj inputi, çdo lloj makinerie, çdo lloj mjeti që nevojitet në bujqësi, blegtori dhe peshkim.
Me këto masa ne besojmë se i japim një hapësire të re sipërmarrjes dhe biznesit në këto fusha. Gjatë katër viteve të shkuara, me fermat e krijuara nga subvencionet tona dhe ato private, kemi punësuar mbi 100 mijë shqiptarë. Ne do të trefishojmë apo katërfishojmë subvencionin, por jemi realistë dhe pretendojmë të rrisim me minimumi 30 mijë, nga 100 mijë në 130 mijë, numrin e të punësuarve në këtë sektor. Mund të jetë edhe më shumë.
Sikundër, do të bëjmë gjithçka për marketingun e prodhimeve tona. Ulliri është një nga gjërat më të shkëlqyera që kemi. Këto ditë, në dy konkurse ndërkombëtare, vaji i ullirit shqiptar mori dy medalje të arta. Edhe në këtë zonë, në Farkë, është një zonjë, Shpresa Shkalla, e cila prodhon një vaj ulliri të shkëlqyer dhe ka fituar medalje. Tjetri është kompania “Musa”, në Vlorë, dhe mori medalje të artë për vaj ulliri extra virgin në Itali, mori medalje të artë për vaj ulliri extra virgin në Kroaci.
Pra do të bëjmë gjithçka që prodhimet tona të njihen gjithnjë e më shumë.
Pyetje: Ju përshëndes dhe ju uroj mirëseardhjen. Ju falënderojmë për ndihmën që keni dhënë ndaj biznesit, në komunë tonë, por edhe në mbarë Shqipërinë. Ju, edhe së fundmi, keni dhënë edhe një mbështetje të madhe në lidhje me bimët medicinale, të cilat sjellin punësim dhe fitim të menjëhershëm. Unë vij nga një zonë që merremi me përpunimin e baltës, poçeria e Farkës. Tre fshatra janë në të gjithë republikën që e bëjnë këtë. Në mandatin tuaj të ardhshëm, mendoni se qeveria do të subvencionojë këtë artizanat kaq të vështirë dhe fisnik, me qëllim që ai të zgjerohet edhe më shumë.
Kryeministri Berisha: Faleminderit për çështjen që ngreni. Ju siguroj se për ne artizanati dhe zhvillimi i tij është një çështje shumë serioze, sepse është një mundësi shumë e madhe punësimi. Tek ne ka një traditë shumë pozitive të artizanatit. Ne, së shpejti, do të bëjmë një takim të gjerë më artizanët e Shqipërisë dhe pa diskutim që ne do t’i përfshijmë në skema. Sikundër, jemi të prirur të përdorim çdo lloj stimuli dhe çdo lloj lehtësimi në mënyrë që ta nxisim zhvillimin e tij.
Zhvillimi i turizmit dhe shumëfishimi i numrit të turistëve në një kohë të shkurtër përbën, gjithashtu, një treg më të madh dhe më të sigurt për artizanatin shqiptar. Por potencialet e tij janë shumë herë më të mëdha dhe ne do t’i japim të gjithë rëndësinë e duhur.
Pyetje: Zoti Kryeministër, të falënderojmë që erdhe në këtë takim. Jam përfaqësues i biznesit të komunës Bërzhitë. Kam një biznes në Kërrabë dhe kam dhjetë familje të punësuara në të. Për mua taksat janë të kënaqshme. Unë jam një nga fermerët që kam mbjellë rreth 5 hektarë arra dhe lajthi. Rruga që po ndërtohet më dëmton dhe unë kam marrë masat, kam blerë një pronë, por kam 3 vjet që nuk marr dot certifikatën e pronësisë në hipotekë, me qëllim që të bëja lëvizjen. Në këtë mënyrë, unë jo dhjetë familje që kam punësuar sot, por edhe dhjetë apo pesëmbëdhjetë familje të tjera punësoja.
Kryeministri Berisha: Unë ju falënderoj për komentin, ju përgëzoj për iniciativën dhe guximin që keni treguar. Mbjellja e plantacionit të arrorëve është e një rëndësie shumë të madhe, jo vetëm për biznesin tënd, por edhe për vendin. Dua të theksoj një të vërtetë. Ne jemi vend ulliri në një zonë të caktuar dhe do të përpiqemi të shfrytëzojmë çdo pëllëmbë tokë, por jemi të rrethuar nga gjigandët e ullirit, Italia, Greqia dhe Spanja. Kjo nuk na pengon ne të mbjellim ullinj në çdo metër/katror që mund të bëhet ulliri. Natyrisht, ne nuk mund të themi se do të bëhemi konkurrentë të Italisë, Spanjës apo Greqisë në tregun botëror, por ju garantoj se ka një projekt në të cilin ne mund të bëhemi shumë të rëndësishëm në tregun evropian dhe ky është tregu i arrorëve. Kjo, sepse arrorët në Shqipëri kanë një sipërfaqe 2-3 herë më të madhe ku mund të mbillen se zona e ullirit. Arrorët mbillen deri në lartësinë 700-800 metër, gështenja edhe më shumë. Në këtë kontekst, tregu evropian importon çdo vit nga Kalifornia dhe vende të tjera 2 milionë ton arrorë. Kjo do të thotë se për prodhimet arrore shqiptare, lajthi, bajame, gështenja, arra, shegë, e cila qëndron në krye për vlera, do të ketë treg përjetësisht të garantuar. Kjo edhe për ullirin. Ndaj edhe ne do ta nxisim.
Çështja e tokës. Jam i sigurt se jo vetëm ju, por janë të shumtë ata që mundohen nga burokracia, nga hipoteka, nga vështirësitë. Ne kemi përcaktuar Regjistrin e Tokës si regjistrin e dytë më të rëndësishëm, pas Regjistrit të Gjendjes Civile. Ne kemi krijuar një task-forcë, e kryeson Kryeministri dhe po bëjmë gjithçka që brenda këtij viti të përfundojë tërësisht Regjistri Dixhital i Tokës. Regjistri Dixhital i Tokës i jep përgjigjen më përfundimtare çështjes së identifikimit të pronësisë dhe të gjitha problemeve të tjera hipotekore. Ne do të bëjmë gjithçka që në një njësi kohe sa më të shkurtër të merrni përgjigje, të merrni dokumentet që dëshironi.
Së treti, unë përgëzoj të gjithë kryetarët e komunave dhe këshillat e komunave që kanë filluar vendosmërisht të japin toka në përdorim për plantacione të ndryshme. Më informuan se në një komunë të thellë të Elbasanit, të Dumresë, kishin dhënë 800 hektarë.
Të dashur miq, duhet ta zhdukim konceptin e ‘tokës djerrë’. Ai nuk ekziston, është një koncept i trashëguar nga diktatura, ku njerëzit nuk punonin as edhe atë tokë që ishte më e mira, që nuk kishte ndonjë vështirësi për ta mbjellë. Në këtë vend, unë ju garantoj se pa fryte janë vetëm shkëmbinjtë, por edhe ata janë minerar dhe kanë frytet e tyre. Këtu gjithçka prodhon. Lutja dhe kërkesa ime për kryetarët e komunave është t’i japin sa më shumë tokë në përdorim, tokë me qera me të dhjetat. Nuk duhet të ngurojnë. Ata që e njohin tokën mirë, që e njohin punën e dinë se toka që nuk punohet degradon, gjithnjë e më shumë e humbet vlerën. Edhe në këtë sens, të ruajtjes së aftësisë prodhuese të tokës, ne duhet ta japim tokën publike falas për ta mbjellë, ndërsa tokën që i përket një pronari, i cili nuk e punon atë, ta japin qera me të dhjetat. Ne do të bëjmë gjithçka që kudo të mbjellim arrorë, ullinj, vreshta, ta shndërrojmë Shqipërinë në një kopsht të vërtetë.
Pyetje: Zoti Kryeministër, mirë se erdhët. Ju uroj për vizitën, sepse në vend që të shihja drejtuesit e shëndetësisë, vjen kryeministri. Ju e dini se niveli i një shteti varet nga niveli i vdekshmërisë. Meqenëse vdekshmëria është 2-3 herë më e lartë në fshat sesa në qytet, për shumë arsye dhe nuk ka nevojë të komunikohen këtu. Të gjitha ministrat që kanë kaluar, unë i kam ftuar dhe asnjëri nuk ka ardhur deri më tani për të biseduar në lidhje me organizimin e shërbimit. Në rast se nuk ka infrastrukturë që nga fshati deri në qytet, kurrë nuk do të ulet vdekshmëria deri në atë nivel që ne duam. Unë po e shoh veten time në këtë klinikë që kam hapur këtu dhe që është moderne, por unë kam mendimin që këto shërbime, është e pamundur që ti ndjekë vetëm mjeku i përgjithshëm, i cili nuk specializohet ashtu siç janë specializuar në shtete shumë të zhvilluara. Ka ardhur koha që klinikat të mos ndërtohen nëpër pallate në kate të pesta e të gjashta, por të ndërtohen edhe në zonat rurale dhe kjo duhet përhapur në gjithë Shqipërinë, sepse gratë e fshatit nuk shkojë të vizitohen në Tiranë për shkak të kushteve dhe rrethanave. Gjithashtu në programet që përfitojnë disa institucione duhet të përfitojnë edhe privatët. Unë kam bërë një klinikë model dhe s’ka ardhur askush ta vizitojë duke përjashtuar zonjën Liri dhe besoj duhet t’ju ketë vënë në dijeni. Ndaj besoj se infrastruktura shëndetësore ka nevojë për një zhvillim shumë të madh. Kam një vërejtje për kryetarët për së miri. Para pak ditësh ne kemi bërë një mbledhje me deputetin e zonës dhe iu kemi thënë kryetarëve që të më bien listat e njerëzve që janë me asistencë sociale, sepse të gjitha vizitat e kontrollet i kanë falas dhe deri më tani askush nuk i ka sjellë. Dua që ti nxis me këtë rast?
Kryeministri Berisha: Së pari, doktor Zydiu miku im, unë dua të të falenderoj ty përzemërsish , për përkushtimin e madh që ke patur dhe ke, ndaj këtij profesioni jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe njerëzor. Jam plotësisht dakord me shqetësimet që ju ngrini. Ky urbanizim i shpejtë i vendit, nuk është shoqëruar me rajonalizimin e duhur të sistemit dhe shërbimeve të sistemit mjekësor. Rajonalizim ky që është kusht shumë i rëndësishëm për shërbimin dhe cilësinë e tij. Ju e thatë bukur, të sëmurët këtu nuk shkojnë më në Tiranë, shërbehen këtu në rajon, në rajonin e tyre dhe kështu është në sistemin shëndetësor. Në sistemin shëndetësor rajonalizimi ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Është krijuar një problem tjetër që duhet ti japim zgjidhje. Duhet të zgjidhim me doemos numrin e mjekëve. Unë shoh treguesit. Treguesit nuk janë aty ku duhet, mjek për numër popullate. Jam absolutisht dakord, që ndaj çdo programi shteti duhet të jetë i hapur ndaj sektorit privat dhe në të kundërt atij i ka mbetur ora atje ku nuk duhet, sepse sektori privat është i mirëseardhur dhe ka një kontribut thelbësor në rritjen e cilësisë. Ju më përshkruat qendrën tuaj dhe mua më ka informuar edhe më parë Lili, që e ka vizituar atë, është model. Në zona rurale një qendër e tillë publike nuk gjendet dhe kur sektori publik të ndërtojë një qendër duhet të ndërtojë një qendër të këtyre standardeve , në rast se do që ajo të funksionojë me efiçencë. Kështu që jam plotësisht dakord me ju. Ju falënderoj për nismën që keni marrë për tu shërbyer gradis atyre që janë në nevojë, kjo është një nismë jashtëzakonisht humane ndaj besoj se edhe kryetarët e komunave do të kenë një bashkëpunim më të ngushët me ju, pasi Zydiu është një profesor, një mjek i shquar dhe një drejtues i shkëlqyer me aftësi të mëdha edhe profesionale edhe menaxheriale, por problemet e shëndetësisë dhe të sistemit të saj do ti kemi shumë shpejtë në tryezat sëbashku me ju.
Pyetje: Zoti Kryeministër ju falenderoj për takimin që është organizuar. Ju falenderoj veçanërisht për investimet e mëdha ,që janë kryer në komunën Baldushk, qeverinë dhe kryetarin e komunës, të cilët kanë bërë ato rrugë, të cilat nuk ishin bërë për 15 vjet , shkollat dhe për të gjitha investimet që janë bërë në zonat tona. Gjithashtu edhe për investimet që janë dhënë në zhvillimin e blegtorisë, pemëtarisë, vreshtave dhe ullishteve. Fermat tona janë rreth 1 hektar tokë dhe mundësia për të mbajtur më shumë se 3 ose 5 lopë nuk kanë, ose nuk kanë mundësi që të mbajnë më shumë se 50 krerë të imta (dele). Mendoj që të ketë mbështetej financiare edhe për këto fermerë që kanë 5 lopë apo që kanë 50 krerë, sepse në këtë mënyrë do të rrisin prodhimin e mishit dhe do të punësohet më shumë njerëz. Gjithashtu zona jonë njihet edhe për rritjen e gjelit të detit 50-60 mijë krerë në vit. Me rritjen e çmimeve të koncentrateve të drithërave, të himeve, sojës etj, është e nevojshme që të subvencionohet kjo me qëllim që të përfitojmë të ardhura më shumë. Një qendër tregtare në këtë zonën tonë është mirë të krijohet. Tregu ka shkuar pak larg për gjithë zonën tonë, gjithë komunat e jugut të Tiranës kanë shkuar shumë larg dhe pesha e shpenzimeve do të bjerë mbi to. Këtu do e zgjidhte problemin një treg i përbashkët i të gjitha komunave si dhe rruga që është planifikuar prej Koçaj deri në Pajollë, do të zgjidhte probleme të mëdha dhe do të zhvillonte zonën më shumë?
Kryeministri Berisha: Në dijeninë time, ne i kemi ulur nivelet e përfshirjes në skemë, qoftë për lopë, qoftë për sipërfaqe të mbjellë. Unë ju falenderoj se diçka këtu duket se nuk ka funksionuar. Kam insistuar që të ulet, por do të shqyrtoj vendimin dhe do të ulen. Fillimisht është synuar që të subvencionohet rritja e prodhimit , d.m.th ata të cilët mund të japim prodhim më shumë, por para një viti kam insistuar që të subvencionohen edhe këto që thoni ju , edhe tre lopët edhe 50 delet, të subvencionohet në mos gaboj e kemi zbritur në dynym nga hektar, që ka qenë mbjellja e arrorëve , e kemi zbritur ne 2 dynym, por do kontrolluar sesi funksionon. Jam dakord që të përshihen në skemë dhe të subvencionohen. Pse? Së pari ai që mban 3 lopë, në qoftë se ti e ndihmon, ai mund të kalojë në 4 lopë. Së dyti është shumë e vërtete ajo që thoni ju, rritja e prodhimit të mishit duhet të jetë një objektiv shumë madhor i yni. Sepse po të shohim prodhimin bujqësor në tërësi ka rritje shumë të madhe. Në vitin 2005 inporti i prodhimeve bujqësor mbulonte 90 % të nevoja të vendit, në vitin 2012 me një numër turistësh 4.7 milion kundrejt vetëm 300-400 mijë që ishin në vitin 2005, inportet kanë zbritur nga 90 në 60%. Pse kjo përqindje kaq e lartë çfarë ndodh? Gruri , është gruri që na dikton këtë disbalancë të madhe, por nuk duhet të dëshpërohemi nga kjo, sepse eksportet janë rritur nga mbi 50 milion dollarë në 156 milion dollarë dhe po shkojnë duke u ngritur. Pra, ne duhet të synojmë, jo duke siguruar grurin, jo, sepse e vërteta është se Myzeqeja që ishte më e rëndësishme na prodhimin e grurit, po mbarshtron lopët e racës në mënyrën më të fuqishme, është më e leverdishme. Ndaj dhe ne do ta shohim këtë çështje, me shumë përparësi, ne do të nxisim prodhimin në çdo gjë. Ministri i Bujqësisë më tregon kur ishte në Berlin në një panair botëror. Ç’të shoh më thotë, ngjitur me ne, stenda e Kosovës dhe një fermer kishte Shafran, është djegësi më i kushtueshëm mbi tokë, zakonisht rritet nga zona e Himalajeve, absolutisht ai e rriste dhe ju garantoj ju se mund të rritet rrëzë Dajtit pa asnjë vështirësi. Ai e rriste dhe i mahniti të gjithë kur u tregoi sesi e rriste sesi e kultivonte, është me shumë delikatese, lulja ekziston rëndomtë në Dajt dhe merret vetëm thekët e lules, në të cilën ndodhet kjo lloj lënde. Unë mora vetëm një shembull, por në këtë aspekt ne duhet të bëjmë gjithçka për të nxjerrë të ardhurat. Duhet të nxisim nxjerrjen e të ardhurave, sepse me gjethe ferre një fermer në Delvinë ka fituar 100 mijë euro në një vit, duke mbledhur gjethet e ferrës, a ka gjë më të gjithë kund gjindshme sesa gjethet e ferrës. Jo. Në lidhje me rrugën, ju them se projekti ka përfunduar dhe ju garantoj se në kohën më të shkurtër ajo rrugë do të fillojë të ndërtohet.
Pyetje: Jam përfaqësues i Komunës Kërrabë. Në radhë të parë z. kryeministër ju falenderojmë për autostradën Tiranë-Elbasan që keni bërë një mrekulli, që unë çdo ditë e ndiej nga afër dhe shumë njerëz nuk e besojnë se ka përfunduar, por unë vetëm mbrëmë kam çuar katër vetë q e kane parë dhe kanë fotografi e kanë shkuar në këmbën në Elbasan. Por fshati im Mushqeta ka diçka, autostrada ka prekur shumë toka dhe ne si fshat nuk kemi ku të lidhemi fare me autostradën. Unë jam një biznesmen që kam 20 vetë të punësuar në punë. Ne kërkojmë të na bëhet një dalje në autostradë që fshati ynë Mushqeta të lidhet me autostradën.
Kryeministri Berisha: Unë ju përgëzoj për sipërmarrjen që kemi dhe ju siguroj që do të ngarkoj ekipet më të mira, për të studiuar me seriozitetin më të madh mundësinë e lidhjes së fshatit Mushqeta me autostradën dhe daljen tuaj në autostradë. Sikundër ju përgëzoj për biznesin që keni, për mbështetjen që i keni dhënë ndërtimit të autostradës, është një ëndërr shekullore që bëhet e vërtetë, sepse nuk ka qytetarë që të ketë shkuar nga Tiran drejt Elbasanit, apo të ketë ardhur nga Elbasani drejt Tiranës, që të mos ketë ndërruar që të kishte një tunel. Tani tuneli është bërë realitet dhe rruga është bërë realitet.
Pyetje: Përshëndetje z. kryeministër. Unë jam një investitor që po ndërtoj dy hidrocentrale këtu në zonën e Kërrabës dhe të Berzhidës dhe për të evidentuar të gjitha ato që thatë me shumë seriozitet, politikat tuaja kanë qenë shumë serioze dhe shumë stimuluese sidomos për ne që kemi investuar në biznese të kësaj natyre, ka bërë që ne të krijojmë vende të reja pune, rreth 200 punonjës, punojnë në këto objektet tona. Pavarësisht se ky është një biznes që unë e kam realizuar më një kompani të fuqishme italiane. Në momentin e parë që hyra në bashkëbisedim me ta më thanë taksat, dhe kur morën vesh se pikërisht taksat dhe kur morën vesh se taksat ishin 10% filluan negociatat. Duhet ju falenderoj për këto politika largpamëse që janë stimuluese dhe janë të vërteta në ato shifra që thatë ju që investitorët e huaj, e gjejnë shumë të arsyeshme të investojnë në Shqipëri, pikërisht për këto mbështetje që kanë , sepse vetëm në këto gjashtë muaj e fundit kur unë po inportoj pajisjet, që kapin vlerat 1 milion e gjysmë euro unë vetëm nga TVSH kam kursye shuma kolosale, që mua me japim akses të bëj punime të tjera dhe të kem sukses në punën time dhe te hap vende të reja pune, dhe këtë favor të madh e kanë vlerësuar edhe partnerët e mi. Falenderoj dhe mbështetjen e që kam gjetur në Komuna, të cilët kanë qenë suport për problemet që ne kemi pasur. Unë ju ftoj që ta shihni veprën të asistoni në inaugurim. Ne kemi marrë lejet sipas legjislacionit, na ka mbetur vetëm miratimi final i KKT, dua të na ndihmoni në marrjen e lejes.
Kryeministri Berisha: Edhe unë ju falenderoj ju me shumë mirënjohje. Falenderoj të gjitha ato kompani me dhjetëra e dhjetëra me të cilat nga 2007 deri më sot ne kemi firmosur për ndërtimin e 360 hidrocentraleve në këtë vend. Dhe kjo ju siguroj ju ka qenë gara më e fuqishme, që ndonjë vend ka ndenjur ndonjëherë. Në këtë garë një rol shumë të madh keni pasur ju, investitorët shqiptarë dhe kur bëmë ligjin dhe kur nismë këtë proces, në mënyrë të ngutur dhe të pa mend, z. Rama ndërtoi një fushatë të tërë shpifjesh dhe trillimesh. Pse ju po jua jepni kompanive shqiptare. Po jua them se nuk është sekret. Çdo kompani e huaj të paktën 90% e tyre investimin duhet ta kenë me një shqiptar bashkëpunim, për njëmijë arsye dhe ky është një rregull . Ky është fakti, që ne guxuam, ne ju besuam kompanive shqiptare, ju besuam pasionit të tyre. Kjo ka sjelle që në Shqipëri të kenë përfunduar 50 hidrocentrale pa llogaritur të rikonstruktuarat, se me to shkon rreth 80 dhe të jenë me dhjetëra e dhjetar të tjerë në ndërtim. Kjo ka bërë që Ashta përfundon dhe nis projekti me i madh hidroenergjetik në Europë Kaskada e Devollit, me rreth 1 miliard euro investime. Kjo ishte një politikë suksesi. Ju e thatë, në këtë inkurajim, në tërësi këto ndërtohen në bashkëpunim. Kompanitë shqiptare të kësaj kushte nuk kanë pasur financat e mëdha që të mund ti ndërtojnë vetë, por kanë vendos bashkëpunimin me kompanitë e huaja. Nxitjet më kryesore për kompanitë e huaja në këtë proces ka qenë sistemi i përshtatshëm fiskal, që ne vendosëm. Nëse ne do të vendosnim taksë progresive, ju siguroj se 2/3 e tyre do të ktheni kokën mënjanë dhe nuk do e vlerësoni, sepse kur bën analizën për një vend i bënë me të gjitha pluset dhe minuset e tij, dhe ne nuk mund të themi se jemi një vend pa minuse. Jo. Dhe ne kemi te metat, defektet, problematikat që duhet ti përmirësojmë, por pse vjen ai. Vjen, sepse taksa 10 % është një tërheqje e madhe për të. Sheh që një qeveri që vendos taksën 10 % përpiqet me çdo kusht të nxisë biznesin, koncepti i saj është se vendi do të zhvillohet nëpërmjet biznesit. Të dalësh dhe të thuash se do të kthej taksën progresive, së pari është një veprim i pabesë që ju bëhet qindra e qindrave investitorëve që këto katër vite kanë investuar në Shqipëri 4 miliard dollarë. Së dyti është mesazhi më i keq që u dërgohet investitorëve dhe këtyre që janë, akti i parë që do të bëjnë do të shkurtojnë vendet e punës. Po vure taksën progresive do të shkurtojnë vendet e punës. Tani meqenëse ka has në një rezistencë të përgjithshme të biznesit dhe unë e përshëndes biznesin, sepse biznesi nuk mbron vetëm interesin e vet, por mbron interesin e vendit dhe të zhvillimit të vendit. Tani thotë nuk po e ve për fitimin, por po e vë për rrogën, qesharak , fare qesharake. Do ta kthesh në taksë urrejtje në sektorin privat ti atë. Nuk kontrollon shteti rrogat e sektorit privat. Sektori privat rrogat i cakton mbi bazën e leverdisë, të efiçencës, ka një seri kriteresh të tjera. Ne vetëm do të ulim taksat dhe më vjen mirë për vendimin që kemi marrë që të heqim TVSH-në edhe për çimenton edhe për hekurin , por do të heqim TVSH-në edhe për të gjitha prodhimet që ju përdorin për rritjen e gjelit të detit. Vendimi është i blen në vend apo i inporton do të heqim TVSH , sikundër jam plotësisht dakord që gjeli i detit do të përfshihet në skemë, këtë po e them për sqarim se dola nga tema. Përsa i përket vonesës ne lejes , unë ju kërkoj ndjesë dhe do të shqyrtohet me përparësi dhe do të vij me kënaqësi me inaugurimin e këtij hidrocentrali. Janë më dhjetëra, ja 200 punëtor ka, ka hidrocentrale që kanë dhe 2 mijë punëtor, 2500 kishte në Llapaj, 1400 ka autostrada, sepse terrenet për këta janë të atilla që në shumë raste makineria e ka të vështirë, pra këta janë shndërruar në një front të madh punësimi , sot në këtë punë presupozohet rreth 15 mijë, në katër vitet që vijnë në hidro-energji do të punojnë së paku 30 mijë punëtor, inxhinier e teknikë, dhe ne do të bëjmë gjithçka për krijimin e vendeve të punës.
Pyetje: Kam mbi 6 vjet që kam investuar në fushën e turizmit artistik dhe kulturor. Rruga e Elbasanit, dhe më konkretisht kjo rruge është ndër më të zhvilluarat, nga pikëpamja e turizmit dhe kryesisht atij elita. Këtu ka investime të jashtëzakonshme dhe inteligjente. Këtu ka dy perla të monumenteve të kulturës dhe të natyrës. Është kalaja e Petrelës, e cila është zhvilluar fale edhe interesit të shtetit, por edhe kryetarit të Komunës, por ama kjo zonë ka një nga perlat historike të saj, e cila nuk ka patur kujdesin dhe vëmendjen e asnjë qeverie që ka qenë në pushtet, që nga koha e Zogut, më pas në kohën e komunizmit, por edhe nga qeveritë pluraliste. Ajo është gjëja më e mrekullueshme që ka Tirana dhe që mund tua ofrojë turistëve. Ajo është shpella e Pëllumbasit, është 400 mijë vjeçare dhe ka karakter studimor. Është shpellë që pretendohet të jetë e banuar. Njoh edhe shumë shpella të tjera të Evropës, të cilat nuk mund të krahasohen me të. Qeveria juaj ka ndonjë plan për këtë shpellë?
Kryeministri Berisha: Së pari dua tu falënderoj shumë për vlerësimin real dhe me dashuri që i bëni potencialit turistik të këtyre zonave, potencialit kulturor, zhvillimi i të cilit është i një rëndësie jashtëzakonisht të madhe për Tiranën, për kryeqytetin dhe për vendin. Tirana vetë ka fatkeqësinë si qytet të mos ketë shumë gjëra për tu ofruar të huajve. Tirana përreth është shumë e pasur, ka kështjellën e Petrelës, ka kalanë e Prezës, ka shpellën e Pëllumbasit, e cila jam plotësisht dakort me ju se përbën një bukuri të rrallë natyrore. Unë ju premtoj ju në mënyrë të prerë se kritika juaj është e drejtë, do të përparësohet dhe unë ju siguroj se do të kërkoj nga autoritetet përkatëse se në qoftë se ekziston projekti të nisi zbatimin e tij me përparësi të madhe, me ndriçim dhe duke i dhënë përgjigje çdo lloj problematike të brendësisë së shpellës, për ta mirëmbajtur atë. Ne jemi përpjekur ti japim përgjigje shumë të mirë rrugëve të kalasë së Petrelës, kalasë së Prezës, por shpella vetë është një super kala natyrore dhe ju garantoj se do të nisë shumë shpejt rruga dhe infrastruktura për shpellën.
Pyetje: Përshëndetje, zoti kryeministër, jam një investitor i huaj, grek që kam sjellë një punishte këtu në komunën Baldushk. Dua të parashtroj këtu disa probleme të vogla që nuk po i zgjidhim dot. Së pari është mungesa e energjisë elektrike që në këtë komunë është shumë e theksuar. Është një biznes i mesëm ku mund të punësojmë 40-50 punëtorë në vitet e para. Problemi i dytë është se më ka mbaruar leja e punës dhe nuk ma japin lejen e punës me pretekstin se nuk kam punësuar shumë punëtorë. Kemi patur mbështetjen e plotë të kryetarit të komunës. Në qoftë se nuk e përfitoj këtë leje jam i detyruar të kthehem përsëri mbrapsht.
Kryeministri Berisha: Së pari të përshëndes dhe shpreh vlerësimin tim më të madh për ju që keni ardhur të investoni në Shqipëri. Lidhur me problemin e energjisë. Është e vërtetë që u kalua në një periudhe të vështirë, e cila kishte për shkak të vetëm mosmenaxhimin si duhet të kompanisë së shpërndarjes së energjisë dhe në asnjë ditë, në asnjë orë, nuk kishte për shkak mungesën e energjisë. Ju dhe të gjithë qytetarët shqiptarë dhe jo shqiptarë, dua ti garantoj se qeveria ka dhënë të gjithë mbështetjen për importin maksimal të energjisë, por menaxhimi ishte shumë i papërshtatshëm. Ndaj dhe ndërrua menaxhimi. Nuk përjashtoj mundësinë që rrjeti elektrik i Baldushkut të mos jetë i nivelit të konsumit aktual të komunës. Cilido që të jetë shkaku unë do ti kërkoj Entit energjetik të bëjë ndërhyrjet më të shpejta për të krijuar furnizimin optimal të energjisë elektrike. Së dyti, është me përparësi të madhe të shqyrtohet çështja e lejes së punës nga zyra e punës dhe ju do të merrni përgjigje brenda kësaj jave. Së treti, ju ftoj të parashikoni zgjerimin e aktivitetit tuaj dhe ju siguroj se qeveris dhe zyra e kryeministrit do të bëjë gjithçka në përputhje me ligjet për të mbështetur suksesin e biznesit tuaj.
Pyetje: Marr shkas nga të gjithë parafolësit për të ngritur një shqetësim të përbashkët. Unë jam vetë punonjës në nënstacionin elektrik. Problemi i nënstacionit, krahas problemeve të tjera që mund të lindin është se kërkohet një transformator me fuqi më të madhe, pasi aktuali nuk e përballon këtë fuqi që është sot për sot. Po ju them se është 6 mega dhe të paktën të jetë 10-12 mega për ta përballuar. Ne bëjmë kufizime dhe këtë e vuajnë bizneset dhe familjet?
Kryeministri Berisha: Ju falënderoj për sqarimin që bëtë dhe ju garantoj se për ne nuk ka përparësi më të madhe se sa mbështetja e bizneseve. Unë isha në Lushnjë dhe një biznesmen më thotë se në Gore ishin 3 fabrika qumështi, që do të thotë një prodhim i madh, por problemi ishte energjia. Unë i kërkova Entit që të bëjë gjithçka, por është shumë e rëndësishme që dhe ju punonjësit të ngrini fuqishëm zërin për të mbështetur kërkesat e bizneseve, të cilat kanë disa kushte me të veçanta për furnizimin me energji, kanë disa procese të caktuara që dëmtohen shumë kur ndërpritet energjia, prandaj duhet ti përparësojmë. Për fat të keq, gjatë 2 viteve të fundit u përkeqësua në mënyrë të papranueshme koha e lidhjes së energjisë për biznesin , shkoi në 144 ditë. Imagjinoni ju biznesmeni bënte investimin dhe rrinte e priste. Vërtetë është shkurtuar kjo kohë , por ne duhet të bëjmë gjithçka për të përparësuar biznesin. Unë do të shqyrtoj me përparësi të madhe kërkesën për transformatorin.
Pyetje: A mund të na sqaroni lidhur me ligjin e Gjykatës Administrative?
Kryeministri Berisha: Unë besoj se për biznesin, Gjykata Administrative ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ta mbrojtur nga arbitrariteti i administratës dhe autoritetit tatimor. Cilido të jetë shkalla e përsosur e funksionit të autoritetit tatimor, nuk përjashtohet arbitraritet në qëndrimet e tij as këtu dhe në asnjë vend tjetër. Përgjigja është gjykata e cila do të gjykonte në këtë rast midis biznesmenit dhe shtetit, se kush do të kishte të drejtë. Unë ndjeva keqardhje të madhe kur dëgjova se kryetari i opozitës e paska bllokuar ligjin e votuar nga ata nen për nen në parlament dhe tani ka mbetur vetëm një ndryshim në ligjin e Gjykatës së Lartë që të ngrihet sistemi i plotë i gjykatës administrative. Del se ky zotëria nuk e ka votuar ligjin se do të ngrejë një zyrë në Kryeministri, e cila të zëvendësojë Gjykatën . Ju garantoj ju se ky është lajmi më i keq që një administratë mund tu japë bizneseve. E ka populli një fjalë të vjetër “Vetë Vali, vetë Kadi”. Kjo nuk mund të ndodhë, pasi ekzekutivi është ekzekutiv, ka sistemin e tij të shqyrtimit të ankesave, por s’mund të jetë ai fjale e fundit, sepse fjala e fundit është gjykata. Këtë ai e ka tërësisht koncept të huazuar nga një grup i vogël biznesmenësh , të cilët ëndërrojnë pushtetin për të prerë gjoba në këtë mënyrë. Kryeministri, çdo ditë shqyrton ankesat tuaja, por i shqyrton ato në përputhje me ligjet dhe institucionet. Por kryeministri nuk mund të ketë asnjë agjenci speciale për taksat siç pretendonte zoti Rama sepse ato janë politika krejtësisht të njëanshme. Nuk mund të zëvendësojë Kryeministri dhe zyra e tij Komisionin e Apelimit të sistemit tatimor. Nuk mund të zëvendësojë Kryeministri, kurrën e kurrës, sistemin gjyqësor. Ai tha se do të bëjmë një si punë arbitrazhi para gjykatës. Injoranca, thotë latini nuk është argument. Për çdo biznesmen në botë është e qartë se arbitrazhi është arbitrazh. Po zgjodhe arbitrazhin nuk ka gjykatë, po zgjodhe gjykatën nuk ka arbitrazh. Të dyja, vetëm mendja e tij që do të krijojë grupin e sekserëve që ti zgjidhë para se të shkojë në gjykatë, se arbitrazh nuk mund të ketë.
Ndaj dhe unë e shoh që ai është në një kaos total dhe e keqja është se po shton pafund numrin e gënjeshtrave apo bukëvaleve që po i servir çdo ditë publikut shqiptar. Por ne le të vazhdojmë.
25/03/2013