Kryeministri Berisha takon Kryeministrin turk Recep Tayip Erdogan

Gjatë vizitës së tij në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet e hapjes së sesionit të 64 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryeministrin e Turqisë zotin Rexhep Taip Erdogan.
Gjate takimit të dy Kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë ndërmjet dy qeverive dhe vendeve, të cilat bazohen në miqësinë e ngushtë e tradicionale midis popullit shqiptar dhe atij turk. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Erdogan rishprehën vendosmërinë e tyre dhe të qeverive që ata drejtojnë për të forcuar edhe me tej këto marrëdhënie si edhe për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin e ngushtë në gjitha fushat, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare.
Kryeministri turk Erdogan e siguroi Kryeministrin Berisha për vendosmërinë dhe përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë turke për të nxitur investitorët turq për të ardhur dhe investuar në Shqipëri duke e falënderuar njëkohësisht Kryeministrin Berisha për klimën e favorshme që qeveria shqiptare ka krijuar për biznesin dhe investitorët e huaj.
Duke u ndalur në krizën globale, Kryeministri Berisha u shpreh se reformat ekonomike e financiare që qeveria shqiptare ndërmori në mandatin që sapo u mbyll 2005-2009, kanë bërë të mundur që pesha e krizës globale të mos sjellë pasoja të konsiderueshme në vend dhe se ekonomia shqiptare vazhdoi të rritet me ritme të larta edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009.
Duke e përgëzuar për këto arritje dhe për mbarëvajtjen e ekonomisë në vend si pasojë e reformave te qeverisë shqiptare, Kryeministri Erdogan theksoi se do te mbetet përherë e paharruar për të dita e inaugurimit te veprës madhështore, rrugës Durrës-Kukës Morine dhe pritja e ngrohte që ju rezervua në këtë ditë të shënuar.
Më tej, të dy personalitetet u ndalën në zhvillimet ne rajon, ne veçanti tek njohja e pavarësisë se Kosovës. Kryeministri Erdogan dhe Kryeministri Berisha ndanë te njejtin mendim se njohja e shpejtë e shtetit më të ri të pavarur të Evropës, Republikës se Kosovës është dhe mbetet faktor thelbësor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
24/09/2009