E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Kryetarin e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA-ve

Sot pasdite, Kryeministri Berisha mirëpriti në zyrën e tij Senatorin Richard Lugar, Kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri dhe Senatori Lugar vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis të dy vendeve. Kryeministri e falenderoi Senatorin për ndihmën e vazhdueshme që SHBA-të dhe Presidenti Bush i kanë ofruar Shqipërisë.

Kryeministri e njohu Senatorin me arritjet e reformave të ndërmarra nga Qeveria për vendosjen e shtetit ligjor, zhvillimin e ekonomisë dhe integrimin në institucionet Euro-Atlantike.

Në mënyrë të vecantë Kryeministri u ndal në arritjet e luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore, në sajë të së cilave janë sjellë para drejtësisë të gjithë drejtuesit dhe anëtarët e bandave kriminale dhe janë ulur në mënyrë të ndjeshme trafiqet kriminale.

Duke folur për luftën kundër korrupsionit, Kryeministri e informoi Senatorin për reformat për uljen e shpenzimeve administrative, clirimin e administratës nga konflikti i interesit, përmirësimin dhe rritjen e transparencës në prokurime, si dhe përfshirjen e publikut në këto përpjekje. Si rezultat i këtyre reformave, theksoi Kryeminsitri, janë shënuar një sërë arritjesh, si ulja e shpenzimeve administrative, ulja e kostos së prokurimeve, si dhe janë rritur të ardhurat fiskale që mundësoi miratimin e një buxheti shtesë në mes të vitit.

Kryeministri u shpreh se qëndrimi i prerë i Presidentit Bush kundër kleptokracisë ka qenë një inkurajim i madh për përpjekjet e Qeverisë kundër korrupsionit dhe shprehu besimin se SHBA-të do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetjen e tyre në këtë drejtim.

Gjithashtu, Kryeministri e njohu Senatorin për reformat për forcimin e ekonomisë, zhvillimin e sektorit privat dhe vecanërisht për tërheqjen e investimeve të huaja. Në këtë kuadër, Kryeministri kërkoi mbeshtetjen për tërheqjen e investitorëve amerikanë në Shqipëri.

Nga ana e tij, Senatori Lugar e falenderoi Kryeministrin për bisedën e hapur dhe miqësore.

Ai i shprehu Kryeministrit falenderimet dhe mirënjohjen e SHBA-ve që Shqipëria ka qenë gjithmonë pranë tyre dhe aleatëve të NATO-s në misionet për vendosjen e paqes dhe demokracisë në Irak, Afganistan dhe Bosnjë.

Senatori përshëndeti përpjekjet e Qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit, duke e konsideruar çrrënjosjen e krimit dhe korrupsionit si element thelbësor për demokracinë dhe përparimin ekonomik. Ai e inkurajoi Kryeministrin për të thelluar me vendosmëri përpjekjet e gjithanshme për konsolidimin e shtetit ligjor, duke e siguruar për mbështetjen e SHBA-ve në këto përpjekje. Në këtë kuadër, theksoi Senatori, Programi i Mijëvjecarit ka si synim ta ndihmojë Shqipërinë për të luftuar korrupsionin dhe forcimin e institucioneve.

Senatori vlerësoi gjithashtu si shumë pozitive që krahas përmbushjes së Planit të Veprimit për Anëtarësim ne NATO, Qeveria është e angazhuar në një sërë reformash të tjera të rëndësishme për forcimin e demokracisë, institucioneve dhe ekonomisë së tregut, duke theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që kanë këto procese për integrimin e vendit në NATO dhe BE.

Kryeministri dhe Senatori Lugar shprehën vendosmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe miqësisë midis Shqipërisë dhe SHBA-ve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›