Kryeministri Berisha takon Kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, zotin Trajko Veljanovski
Kryeministri Berisha u prit sot nga kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, zoti Trajko Veljanovski
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Veljanovski shprehu kënaqësinë që priti Kryeministrin Berisha në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy parlamenteve shqiptar dhe atij maqedonas, si një faktor shumë i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dhe të miqësisë midis dy popujve.
Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, zoti Trajko Veljanovski vlerësoi zhvillimet e rëndësishme në Shqipëri, gjatë kësaj periudhe, për sa i përket reformave, në kuadër të integrimit evropian, si dhe përshëndeti faktin që Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s është një shembull edhe për vende të tjera, të cilat aspirojnë, duke bërë përpjekje për t'u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Në këtë kontekst, Kryetari i Parlamentit maqedonas falenderoi kryeministrin Berisha për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë dhe i jep në vijimësi Maqedonisë, si për anëtarësimin në NATO, ashtu edhe për procesin e integrimit në BE.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e falenderoi zotin Veljanovski për pritjen, si dhe për të gjitha takimet e ngrohta dhe miqësore, si dhe shumë të frytshme dhe të suksesshme që i kanë rezervuar udhëheqësit politikë gjatë ditës së sotme, në Maqedoni.
Kryeministri Berisha falenderoi gjithashtu edhe për mbështetjen që ju rikonfirmua gjatë kësaj vizite, në gjitha aspektet e përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin evropian, si dhe duke iu përgjigjur falenderimit të Kryetarit të Parlamentit maqedonas, theksoi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë Maqedoninë, si për integrimin në NATO, ashtu dhe për hapat e mëtejshëm drejt integrimit evropian. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha vlerësoi se hapja e negociatave nga ana Maqedonisë për integrimin evropian është një hap i rëndësishëm dhe një shembull pozitiv për të gjithë rajonin.
Më tej, në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe qeverive, si dhe vullneti për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën ekonomike dhe tregtare, ku ekzistojnë hapësira të rëndësishme për shtrirjen e këtij bashkëpunimi. Në këtë kontekst , si edhe ne takimet e mëparshme që kryeministri Berisha zhvilloi me Kryeministrin Gruevski dhe personalitete të tjera u rishpreh vullneti për të zgjeruar të gjitha lidhjet infrastrukturore dhe për të ndërtuar lidhje të reja, në të gjitha fushat e komunikimit, në mënyrë që të dy popujt dhe vendet të afrohen edhe më shumë me njeri tjetrin, por edhe të zhvillohet tregtia dhe bashkëpunimi, në interes të zhvillimit dhe prosperitetit të ndërsjellë.
Në këtë kontekst, u vlerësuan një sërë projektesh të rëndësishme, të cilat qeveria shqiptare i ka filluar dhe po ecën me sukses përpara; si rruga e Arbrit, pjesa e korridorit 8, tuneli dhe rruga Tiranë-Elbasan dhe u shpreh vullneti për të punuar së bashku për linjën hekurudhore, si dhe për hapjen e një linje të re rrugore ndërkombëtare, atë të Librazhd- Dibër- Shkup, ku të dy vendet do të takohen në zonën Librazhdit. Gjithashtu u vlerësuan shumë të rëndësishme për zhvillimin e turizmit, projektet e dy qeverive për mbrojtjen e liqenit të Ohrit dhe të mjedisit përreth, si dhe shndërrimin e tij në një pikë nevralgjike turistike, e cila do të tërheqë turistët nga mbarë rajoni dhe më gjerë.
Në këtë kontekst u vlerësua fakti që investitorët shqiptarë po shprehin interes, jo vetëm për investime në Shqipëri, por për ti zgjeruar ato edhe në Maqedoni, çka tregon për një nivel shumë të mirë të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe një nivel shumë të mirë të besimit, jo vetëm të spektrit politik, por edhe të faktorëve të rëndësishëm ekonomik të marrëdhënieve të ndërsjella të dy vendeve.
09/11/2011