Kryeministri Berisha takon kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, zotin Ali Ahmeti

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Maqedoni për një vizitë zyrtare, me ftesë të kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski, u takua paraditen e sotme me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, zotin Ali Ahmeti.
Gjatë këtij takimi u diskutua gjerësisht për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, në të gjitha fushat, si dhe për realizimin e një sërë projekteve të përbashkëta, të cilat do të afrojnë më shumë të dy vendet dhe shoqëritë, si dhe do të nxisin shkëmbimet e gjithanshme.
Në takim u diskutua edhe lidhur me bashkërendimin e bashkëpunimit, në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Në përfundim të takimit, kryeministri Berisha dhe Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, zoti Ali Ahmeti, u shprehën për mediat e pranishme:
Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam një takim shumë të rëndësishëm, të përzemërt dhe vëllazëror me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, zotin Ali Ahmeti, i cili më njohu me zhvillimet e rëndësishme dhe arritjet thelbësore që janë shënuar në këtë hark kohor të shkurtër që kur është krijuar qeveria e koalicionit e dalë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme që u zhvilluan në Republikën e Maqedonisë. Unë konsideroj shumë të rëndësishme arritjet në fushën e përdorimit të gjuhës, të flamurit si dhe zgjidhjet e merituara për disa procese që kanë qenë në thelb më së shumti politike, pasi duhet ta pranojmë se marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje jashtëzakonisht e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë mike, por procesi është një proces që ka bërë këtë vend më të lirë, më të drejtë dhe ka hedhur bazat për një bashkëjetesë në liri, midis etnive që jetojnë në Republikën e Maqedonisë. Diskutuam gjerësisht me Kryetarin e BDI-së, zotin Ahmeti për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe krahas vullnetit polik që ekziston mes dy qeverive, ekziston edhe një fushë e gjerë veprimtarish, projektesh, të cilat do të afrojnë më shumë dy vendet tona, dy shoqëritë tona dhe do të nxisin shkëmbimet e gjithanshme. Diskutuam edhe për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë. 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë është festa e shekullit për të gjithë shqiptarët dhe ramë dakord për të bashkërenduar bashkëpunimin, në mënyrë që viti i ardhshëm, si viti i pavarësisë së Shqipërisë të jetë një vit i të gjithë shqiptarëve dhe miqve të tyre kudo në botë.
Kryetari i BDI Ali Ahmeti: Ishte një kënaqësi e veçantë takimi me kryeministrin e Shqipërisë Berisha. U diskutuan shumë tema dhe siç theksoi edhe vete kryeministri do të veçoja me këtë rast interesimin që shprehu kryeministri për infrastrukturën e përbashkët, për komunikimin e përbashkët sepse kështu mund të bëhemi edhe më të fortë si vende brenda rajonit, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi. Gjithashtu njoftova kryeministrin e Shqipërisë që pjesë e programit të qeverisë së Republikës së Maqedonisë është edhe Korridori 8, si hekurudha ashtu edhe korridori automobilistik. Gjithashtu pjesë e korridorit 8 është edhe rruga Kërçovë – Dibër e Madhe.
Ndër të tjera, kërkova nga zoti Kryeministër që të kemi më shumë hapësirë, më shumë kontakte, për sa i takon fushave të arsimit, sepse kemi nevojë si shqiptarë të Maqedonisë për një bashkëpunim pak më të thellë, qoftë për arsimin e lartë, qoftë për edukimin e përdorimit të gjuhës administrative, këtu në Republikën e Maqedonisë. Kështu do të shihen modalitetet, nga takimet që do të bëhen në mes dy qeverive Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë.Në mënyrën më vëllazërore, Kryeministri Berisha ishte i hapur për të gjitha çështjet që ne si delegacion ngritëm në këtë takim.
Ne me kënaqësi do të jemi pjesë e 100 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Shqipërisë dhe ditës së flamurit kombëtar shqiptar, si ditë e veçantë që ne shqiptarët jashtë kufijve shtetërore, kjo ditë na ka mbajtur gjallë, flamuri na ka mbajtur gjallë që ne të arrijmë deri në ditët e sotme.
Me kënaqësi njoftova kryeministrin e Shqipërisë se sot, Universiteti Shtetëror ka mbi 20 mijë studentë. Sot, gjuha shqipe flitet dhe shkruhet në Parlamentin e Maqedonisë, ministrat shqiptarë flasin në gjuhën e vet. Akoma kemi shumë punë përpara për të bërë, energji dhe kapacitete kemi, por që të gjitha duhet ti vëmë në shërbim dhe çështjet ti çojmë përpara. Para nesh, gjithashtu shtrohet një detyrë e rëndësishme, që ishte një nga problemet që kryeministri i Shqipërisë më siguroi që do të na përkrahë edhe me tej, për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO dhe rrugëtimin e përbashkët për të qene të dy vendet tona pjesë e Evropës së bashkuar.
09/11/2011