Kryeministri Berisha takohet në Shkup, me kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim edhe me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, zotin Menduh Thaçi. Pas takimit, në një prononcim për median, Kryeministri Berisha dhe zoti Thaçi u shprehën në lidhje me bisedimet mes tyre.
Kryeministri Berisha: Me kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Menduh Thaçi, patëm një diskutim shumë të përzemërt e vëllazëror mbi bashkëpunimin e gjithanshëm midis dy vendeve, popujve e dy shoqërive të vendeve tona. Unë pata rastin t’i shpreh vlerësimin tim më të madh zoti Thaçi dhe partisë që ai drejton, për kontributin e tyre thelbësor në rrjedhën dhe zhvillimet në republikën e Maqedonisë. Kam vlerësuar shumë marrëveshjen e firmosur para zgjedhjeve, si një dëshmi e një maturiteti të thellë demokratik, qëndrimin konstruktiv të zotit Thaçi e të partisë që ai udhëheq në mbështetje të të gjitha proceseve integruese, avokatinë që kjo parti, si parti opozitare, u bën në Parlamentin e Maqedonisë dhe më gjerë në institucione të tjera lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë. Ne diskutuam për bashkëpunimin e gjithanshëm midis dy vendeve tona, të cilin zoti Thaçi e partia e tij e mbështesin fuqishëm. E sigurova se Shqipëria është e hapur dhe e gatshme dhe e konsideron shumë të rëndësishëm bashkëpunimin në të gjitha fushat me Republikën e Maqedonisë.
Zoti Menduh Thaçi: Tashmë është e qartë se nuk është vetëm kënaqësi të takohesh me kryeministrin shqiptar, por mbas këtyre takimeve, çdokush merr energji për të ecur përpara. Sigurisht, qasja e Shqipërisë është miqësore ndaj Maqedonisë, por, në të njëjtën kohë, është edhe një qasje e përkujdesjes ndaj të drejtave të shqiptarëve këtu. Unë e sigurova Kryeministrin se partia jonë do të japë kontribut maksimal konstruktiv në rrugën e integrimeve drejt NATO-s dhe Unionit Europian, por, në të njëjtën kohë, nuk do të lëshojmë pe e pandërprerë do të mbrojmë të drejtat e shqiptarëve. Ligjërisht ne këtë punë e kemi se jemi opozitë e shqiptarëve këtu. Sigurisht, në të ardhmen bashkëpunimi do të jetë më i madh dhe duhet të kuptohet se Shqipëria mund të jetë vetëm aleati i Maqedonisë dhe asnjëherë kundërshtar. Të gjitha këto vizita, të gjitha këto deklarata e veprime politike janë mirëdashëse, të dalim prej kësaj situatë dhe të dalim prej kësaj ngecjeje drejt procesit integrues.
09/11/2011