Kryeministri Berisha: Do të rriten kuotat e pranimit në universitetet e vendit për vitin e ri akademik

- Politika jonë e arsimit synon që do të riu dhe të reje shqiptare ti japë mundësi të diplomohet në universitetet e vendit.
- Rendja pas cilësisë është rendja pas suksesit. Lufta dhe përpjekja për cilësi e stafeve tona pedagogjike dhe akademike, e universiteteve tona publike dhe private është përcaktuese për suksesin e arsimit të lartë.
- Arsimi i lartë po përshtatet gjithnjë ë më mirë me misionin që ai duhet të ketë në këtë periudhë historike ”Shqipëria vend i zhvilluar”
- Kryeministri u shpreh se nuk do të ketë rritje tarifash të shkollimit për këtë vit, përveç inflacionit.
Kryeministri Berisha bëri të ditur sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave rritjen e kuotave për pranimet në universitetet e vendit. Duke e vlerësuar këtë si një zhvillim qartësisht pozitiv, kryeministri tha se kjo rritje do të jetë rreth 9 %, pra 1600 kuota më shumë se vitin e kaluar.
Kryeministri theksoi se një nga aspektet më pozitive dhe më të rëndësishme të këtyre pranimeve qëndron në faktin se 1/3-tat e tyre janë të orientuara në teknologjinë e informacionit, shkencat inxhinierike dhe shkencat natyrore, çfarë dëshmon se arsimi i lartë po i përgjigjet kërkesave të mëdha, në rritje për orientimet më themelore të zhvillimit të vendit.
Kryeministri kërkoi që të bëhet gjithçka për të ndërmarrë një kthesë vendimtare në drejtim të cilësisë. “Rendja pas cilësisë është rendja pas suksesit. Lufta dhe përpjekja për cilësi e stafeve tona pedagogjike dhe akademike, e universiteteve tona publike dhe private është përcaktuese për suksesin e arsimit të lartë.” tha kryeministri.
Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se do të ketë rritje të kuotave të pranimit në shkollat e larta për komunitetin rom, egjiptian, si dhe për personat me aftësi të kufizuar, nëpërmjet një procedure të thjeshtuar.
Kryeministri theksoi ndër të tjera, se nuk do të ketë rritje të tarifave të shkollimit për vitin akademik që vjen, përveç inflacionit. “Rritje tarifash nuk mund të ketë, siç dihet inflacioni është inflacion dhe ai është i detyrueshëm. Ne jemi qeveri e qendrës së djathtë, simotrat tona kudo vendosin tarifa të larta, ne nuk e bëjmë këtë. Ne nuk e bëjmë këtë sepse besojmë që aspekti social i sistemit që ndërtojmë jashtë çdo hipokrizie dhe dogme marksiste është i domosdoshëm, ndaj dhe ne mbetemi siç kemi rënë dakord vitin e kaluar që nuk do të ketë rritje përveç inflacionit. Inflacioni do të jetë i detyrueshëm se përndryshe bëhet i papërballueshëm gjatë viteve që vijnë.” u shpreh kryeministri.
Më gjerësisht për këtë çështje, kryeministri u shpreh:
“Dy janë çështjet më të rëndësishme që do të doja të informoja publikun nga kjo mbledhje qeverie dhe që të dyja mbartin në vetvete zhvillime qartësisht pozitive . Së pari kemi kuotat e reja në universitete. Në kuotat e reja në universitete këtë vit do të ketë sërish një rritje dhe kjo rritje është rreth 9 %. Janë 39 mijë vajza dhe djem që marrin maturën këtë vit. Dyert e universiteteve bazuar mbi meritën janë të hapura për gjithsecilin prej tyre. Ne urojmë dhe shohim që ato të përfitojnë nga kjo frymë, nga kjo politikë, e cila synon çdo të reje dhe të riu ti japë mundësi të diplomohet ne universitetet e vendit.
Pra, këtë vit akademik janë parashikuar 1600 kuota më shumë se vitin e kaluar. Këto në tërësi këtë vit akademik do të funksionojnë në 192 degë dhe profile të universiteteve te vendit, çka përben një përshtatje te vazhdueshme te arsimit tonë universitar me tregun dhe kërkesat e tij. Por, një nga aspektet më pozitive, më të rëndësishme të këtyre pranimeve qëndron në faktin e 1/3 e tyre janë të orientuara në teknologjinë e informacionit, shkencat inxhinierike dhe shkencat natyrore. Vetëm në teknologjinë e informacionit, në 22 degë apo diploma të lidhura me të, nisin studimet 4500 studentë.
Rritje te ndjeshme kanë dhe kuotat për gjuhët e huaja, në mënyrë të veçantë për gjuhën angleze. Mendoj se arsimi i lartë po i përgjigjet në këtë mënyrë kërkesave të mëdha në rritje për orientime themelore të zhvillimit të vendit. Ne kemi përcaktuar si një nga drejtimet tona themelore, të kësaj qeveria Shqipërinë digjitale, Shqipërinë që do të mund tu ofrojë qytetarëve shqiptarë, shërbimet më moderne, me te mira dhe më të lira. Shqipëria digjitale është një infrastrukturë për tu ndërtuar dhe që po ndërtohet. Fakti që në universitet e vendit po nisin studimet 4500 vajza dhe djem në këtë fushë përbën një risi shumë pozitive, por dhe shtimi dhe rritja e kuotave në degët e inxhinierisë dhe në shkencat natyrore është dhe ky një lajm shumë i mirë, shumë pozitiv.
Revolucioni industrial që po zhvillohet në këtë vend dhe që po ecën pandërprerë kërkon eksperte, specialistë, në të gjitha fushat e këtij revolucioni.
Arsimi i lartë po përshtatet gjithnjë e më mirë me misionin që ai duhet të ketë në këtë periudhë historike ”Shqipëria vend i zhvilluar”. Shqipëria vend i zhvilluar do të mund të bëhet vetëm e vetëm e bazuar mbi dijen, mbi ekspertizën, mbi njohjen. Arsimi i lartë ka bërë progres shumë të madh ne këto vite dhe kjo është meritë e veçantë e stafeve pedagogjike, akademike e universiteteve tona publike dhe private, të cilët po e transformojnë gjithnjë e me shumë këtë sistem në interesin më të mirë kombëtar.
Është rritur në mënyrë të ndjeshme bashkëpunimi ndërkombëtar i universiteteve tona, janë përcaktuar detyrime madhore, ligjore të pranisë ndërkombëtare, të ekspertizës ndërkombëtare në doktoratura, në akreditime. Pra kjo reformë jetike për Shqipërinë vend i zhvilluar po ecën në mënyrë të vendosur . Në këtë proces, zoti ministër ne duhet të bëjmë gjithçka, të ndërmarrim një kthesë vendimtare në drejtim të cilësisë. Rendja pas saj, është rendja pas suksesit. Lufta dhe përpjekja për cilësi e stafeve tona pedagogjike dhe akademike, e universiteteve tona publike dhe private është përcaktuese për suksesin e arsimit të lartë.
Ne në këtë stad nuk mund të matemi në çdo tregues me vendet e zhvilluara sepse ne po synojmë të bëhemi vend i zhvilluar. Por ne, në sistemin arsimor nuk do të kemi asnjë objektiv tjetër, veç objektivave te vendeve te OECD, nuk do të kemi asnjë standard tjetër për të arritur, përveç këtij standardi. Prandaj ne duhet të bëjmë çdo gjë, ti nënshtrohemi të gjitha proceseve te klasifikimeve që ato kanë, të nxisim dhe të inkurajojmë klasifikimet, të pranohemi të klasifikohemi, pavarësisht se në c’pozicione do të ndodhemi. E rëndësishme është të kualifikohemi. Asgjë nuk ka më të rëndësishme për një komb se sa arsimimi.
Ndaj dhe ne duhet të bëjmë një përpjekje të madhe. Ne kemi arritur dy tregues themelorë, rekrutimin e të rinjve në shkollat e mesme dhe pranimin në shkollat e larta, ndër më të lartit, më të mirët, por rendja pas cilësisë është përcaktuese e suksesit.
Një rëndësi të veçantë kam insistuar dhe insistoj duhet ti japim shkencave themelore, matematikës dhe fizikës. Duhet të bëjmë gjithçka që më të mirët e këtyre shkencave të mbështeten në mënyrë të preferuar, të nxiten të bëjnë gjithçka që mësuesit e këtyre shkencave të kenë shkallën më të lartë të kualifikimit. Shkolla jonë duhet të bazohet ne gjuhe dhe matematikë. Ky duhet të jetë themeli, të tjerat vendosen mbi këtë ngrehinë. Duhet të bëjmë çdo gjë që matematika, fizika, të kenë te gjithë përkushtimin, angazhimin mbështetjen. Kjo, jo për të lenë lëndë të tjera jetime, absolutisht jo, por për specifikat e tyre, këto lëndë mund të mbeten jetime më lehtë se të tjerat. Dhe këto nuk mund të skajohen, sikundër është gjuha shqipe, kjo gjuhë e mrekullueshme e bukur, një nga më të bukurat që ekziston, që për ne shqiptarët në një mënyrë apo në një tjetër është dhe shtylla themelore e identitetit tonë kombëtar, sepse e tërë kultura jonë, e tërë gjenia krijuese është produkt i mendjes dhe fjalës në botë, të shqiptarëve, ndaj dhe krahas përkujdesjes sonë për diversifikimin maksimal të degëve dhe nëndegëve, në mënyrë që ti përshtatemi sa më mirë tregut ne duhet të ruajmë gjithnjë, në të gjithë arsimin tonë, dy lëndë themelore, matematikën dhe gjuhën.
Ky vit ka veçoritë e veta sepse ka dhe një rritje te kuotave për studentët shqiptarë nga Mali i Zi, lugina e Preshevës. Të gjithë ata që vijnë nga maturat duhet të hyjnë sipas të gjithë rregullave. Por ata duhet të marrin pjesë në konkurs dhe pastaj të pranohen. Po kështu dhe shqiptaret e Maqedonisë dhe ata nga Kosova.
Kuotat janë parashikuar, por le të rriten edhe për komunitetin rom dhe egjiptian dhe këto mundësisht të jenë në një procedurë të thjeshtuar. Të mos ketë abuzime, por le të kenë një procedurë të thjeshtuar. Gjithashtu do të rriten edhe për të verbrit dhe persona të tjerë me probleme te tjera të kufizimit të aftësive.
Siç e kemi thënë nuk mund të ketë rritje të tarifave të shkollimit, përveç inflacionit. Rritje tarifash nuk mund të ketë, siç dihet inflacioni është inflacion dhe ai është i detyrueshëm. Ne jemi qeveri e qendrës së djathtë, simotrat tona, kudo vendosin tarifa të larta, ne nuk e bëjmë këtë. Ne nuk e bëjmë këtë sepse besojmë që aspekti social i sistemit që ndërtojmë, jashtë çdo hipokrizie dhe dogme marksiste është i domosdoshëm, ndaj dhe ne mbetemi siç kemi rënë dakord vitin e kaluar që nuk do të ketë rritje përveç inflacionit. Inflacioni do të jetë i detyrueshëm, se përndryshe bëhet i papërballueshëm gjatë viteve që vijnë.
08/06/2011