E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Përfaqësuesen e përhershme të SHBA-së në NATO, zonjën Victoria Nuland

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Bruksel për të marrë pjesë në takimin me Këshillin e Ambasadorëve të NATO-s, pati sot një mëngjes pune, me Përfaqësuesen e përhershme të SHBA-së në NATO, zonjën Victoria Nuland.

Në fillim të takimit, zonja Nuland i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet më të ngrohta nga presidenti i SHBA-së George W. Bush. Të dy bashkëbiseduesit  diskutuan  per nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Shqipërisë, si dhe për zgjerimin e mëtejshëm të këtyre marrdhënieve.

Zonja Nuland inkurajoi Kryeministrin Berisha për të vazhduar me konsekuence në zbatimin dhe implementimin me sukses te reformave bazuar edhe në perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. 

Ndër të tjera, zonja Nuland i shprehu Kryeministrit Berisha përgëzimet e saj për arritjet e Shqipërisë në progresin e reformave të ndërmarra në shumë fusha me rëndësi për zhvillimin e vendit, si dhe në kuadër të marrjes se ftesës për anëtarësim,  në Samitin e Bukureshtit. Gjithashtu, zonja Nuland shprehu interesim për ecurinë e këtyre reformave dhe stadin e tyre të deritanishëm.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e njohu Zonjën Nuland me progresin e reformave të ndërrmarra në sektorin ekonomik, ku u ndal në mënyrë të veçantë në revolucionin fiskal. Kryeministri theksoi se si rezultat i këtyre përpjekjeve, ekonomia e vendit ka shënuar një rritje vjetore prej  6%, duke qenë vendi me barrën fiskale më të  ulët në Evrope.

Ndër të tjera, Kryeministri u ndal në angazhimin e qeverisë shqiptare për të luftuar pa kompromis  krimin e organizuar, korrupsionin, informalitetin, etj.

Gjatë këtij mëngjesi pune u diskutua edhe mbi situatën në rajon dhe mbi zgjidhjen e statusit të Kosovës. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin qëndrim se stabiliteti i Kosovës dhe zgjidhja sa më e shpejtë e statusit të saj, ne respektim të plotë të të drejtave dhe lirive të pakicave serbe, është një siguri për paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe për një të ardhme integruese në Evropë për Serbinë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›