E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Raporteret e Asamblesë Parlamentare të KiE-se, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Raporteret e Asamblesë parlamentare të  KiE-se, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco, të cilët ndodhen në Shqipëri për të vlerësuar përgatitjet për procesin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 23 qershorit.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin dhe ndihmën që Këshilli i Evropës i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, në te gjitha aspektet dhe në veçanti për sa i përket konsolidimit të standardeve të larta të demokracisë. Raporteret e Asamblesë parlamentare të  KiE-se, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco e falenderuan kryeministrin Berisha  për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i theksuan atij se qëllimi i tyre në këtë vizitë është të vlerësojnë se si faza përgatitore  e zgjedhjeve ka ecur deri tani.

Me tej, në takim u diskutua mbi  infrastrukturën zgjedhore dhe masat për një proces konform standardeve ndërkombëtare. Kryeministri Berisha i bëri me dije atyre se arritjet e rëndësishme që janë shënuar gjatë kësaj periudhe, duke filluar nga kuadri ligjor tërësisht i përditësuar, duke implementuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, bazuar tërësisht mbi propozimet e opozitës shqiptare. Nga ana tjetër, u shpreh kryeministri, Shqipëria ka sot sistemin më të mirë e më të sigurt që ekziston për numërimin e votave, i cili përbën një garanci të jashtëzakonshme që rezultati që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit do të reflektojë besnikërisht   vullnetin e qytetarëve. Këto arritje janë një garanci solide për zhvillimin e një procesi zgjedhor konform standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Kryeministri Berisha i siguroi Raporteret e Asamblesë Parlamentare të  KiE-se, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco se  qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur për të realizuar në Shqipëri zgjedhjet më të mira të realizuara gjatë dy dekadave të fundit konform standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe u kërkoi atyre të ushtrojnë të gjithë influencën ë tyre që në Shqipëri të vijnë sa më shumë vëzhgues ndërkombëtarë për të vëzhguar nga afër procesin e zgjedhjeve.


18/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›