Kryeministri Berisha: Zbatimi i reformave të reja do të inkurajojë rritjen ekonomike dhe të punësimit në 4 vitet që vijnë

- Në raportin e tremujorit të parë për vitin 2013, botim i Komisionit Evropian për vendet kandidate dhe parakandidate, thuhet se Shqipëria ka një rritje ekonomike prej 1.7 % dhe të punësimit prej 0.5%
- Në sektorin privat jobujqësor vendet e punës u rriten me 1,8 % në tremujorin e fundit të 2012 dhe me 6.5 % si rritje vjetore.
Kryeministri Berisha, duke u përqendruar sërish në çështjet ekonomike të vendit, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, solli shifra dhe fakte nga raporti i tremujorit të parë për ekonominë e rajonit, botim i Komisionit Evropian. Raporti i cili bazohet në të dhënat dhe statistikat kombëtare dhe ndërkombëtare, paraqet një tablo të zhvillimit ekonomik të vendeve të rajonit tonë dhe më gjerë.
Kryeministri theksoi se Komisioni Evropian hedh poshtë të gjitha mashtrimet dhe gënjeshtrat që shpërndahen çdo ditë, nga opozita, lidhur me shifrat e papunësisë, duke harruar se sot çdo tregues i tregut dhe i ekonomisë është sa kombëtar aq edhe ndërkombëtar.
Duke iu referuar shifrave për tremujorin e parë të vitit 2013, si dhe në disa tregues, atyre vjetore për vitin 2012, kryeministri Berisha bëri të ditur se Shqipëria, përkrah vendeve si Turqia e Islanda shënon rritje ekonomike si dhe rritje të punësimit, duke iu kundërpërgjigjur në këtë mënyrë pretendimeve të opozitës, lidhur me rritjen e papunësisë në vend. “Kushtet e tregut të punës qenë të pandryshuara, thotë raporti, dhe punësimi u rrit me 0.5 %. Ja pra, përgjigja që i jep Komisioni Evropian matematikës të Kosta Barjabës dhe Edi Ramës. Kjo është përgjigja, punësimi në Shqipëri u rrit me 0,5 %. Të mos harrojmë se 1 % e tregut të punës në Shqipëri është një numër i konsiderueshëm.” u shpreh kryeministri.
Duke u ndalur në sektorë të veçantë, me shifrat përkatëse, Kryeministri vlerësoi se megjithëse mbetet ende një punë e madhe për të bërë, reformat e implementuara e kanë mbrojtur vendin kriza që po rrënon ekonomitë përreth. “Ndaj dhe ne vendosëm paketën e dytë të reformave shumë të rëndësishme, të cilat do të japin efektin e pritshëm nga më së shpejti, tremujorin e 4-t të këtij viti, kurse më të ndjeshëm vitin e ardhshëm.”, tha në këtë kontekst kryeministri.
Në fjalën e mbajtur ne mbledhje, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Siç e dini çështja e parë, e dytë dhe e tretë gjithnjë është ekonomia dhe Komisioni Evropian ka botuar raportin për ekonominë e rajonit për tremujorin e parë dhe paraqet këtu, bazuar në të gjitha të dhënat dhe statistikat kombëtare dhe ndërkombëtare tablonë e qartë për rajonin tonë dhe më gjerë. Në përgjithësi, për sa i takon rritjes ekonomike, thuhet në raport, pati ulje të rritjes në vendet me rritje pozitive dhe mbeti negative, në vendet si Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi.
Karakteristikë e ekonomive me rritje pozitive ishte ulja e ritmeve të rritjes në Turqi dhe Islandë 1,4 %, ndërsa në Shqipëri thotë 1.7 %, pra rritja pozitive e Shqipërisë ishte 1,7 %, kurse Maqedonia, Serbia, mali i Zi, Kroacia patën tkurrje, rënie prej -2 %.
Së bashku me rritjen pozitive në Turqi, Islandë dhe Shqipëri, në këto tre vende edhe tregu i punës pati përmirësime dhe ishte i stabilizuar. Në Islandë dhe Turqi pati një ulje të lehtë. Ndërsa në Shqipëri mbeti i stabilizuar. Në vende të tjera papunësia u rrit ndjeshëm si në Kroaci, 15. 9% dhe në Serbi 23.9 %.
Shqipëria, thotë raporti, pati një ulje të llogarisë rrjedhëse nga minus 13.3 që ishte, zbriti në minus 10.5. Inflacioni në Shqipëri, ishte më i ulët në vitin 2012 (se këto janë të dhënë ta vitit 2012) sesa në vitin 2011. Këta që bëjnë fjalë për inflacion kësaj here ka qenë një zhvillim tjetër pozitiv i ekonomisë shqiptare.
Shqipëria, pati një zgjerim të industrisë me 7.8 %, në sektorin nxjerrës një rritje prej 29.7 % . Llogaria rrjedhëse e saj u përmirësua me eksportet. Pati rënie të qartë në ndërtim për shkak të ligjit, i cili për fat të keq bllokoi për një kohë të gjatë ndërtimin e banesave. Kushtet e tregut të punës qenë të pandryshuara, thotë raporti, dhe punësimi u rrit me 0.5 %. Ja pra, përgjigja që i jep Komisioni Evropian matematikës të Kosta Barjabës dhe Edi Ramës. Kjo është përgjigja, punësimi në Shqipëri u rrit me 0,5 %. Të mos harrojmë se 1 % e tregut të punës në Shqipëri është një numër i konsiderueshëm.
Vendet e punës në Shqipëri, thotë, në sektorin publik nuk ndryshuan. Nuk e kemi sipërmarrje administratën, ne i qëndrojmë serioz vendimit që kemi marrë, nuk ka ndryshuar. Ndërsa në sektorin privat jobujqësor vendet e punës u rriten me 1,8 % në tremujorin e fundit të 2012 dhe me 6.5 % si rritje vjetore. Kjo përbën në zhvillim jashtëzakonisht pozitiv, relativ, në kuptimin e asaj që të tjerëve u dyfishohet papunësia, ndërsa në Shqipëri rritet punësimi në sektorin privat jobujqësor. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Kjo do të thotë se ky nivel rritje që kemi ne shoqërohet me një nivel shumë më i lartë punësimi. Kjo do të thotë se tregu i punës në Shqipëri e bën të mundur këtë. Zakonisht nuk është ky proporcion, rritje ekonomike/punësim, janë shumë të afërta përqindja e rritjes ekonomike me përqindjen e rritjes punësimit, ndërsa këtu kemi një disproporcion prej rreth 2 % rritje ne kemi trefishin e rritjes së punësimit dhe kjo përbën një tregues jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin tonë.
Pra, papunësia mbetet një problem të cilin ne po e trajtojmë më me seriozitet se çdo çështje tjetër. Por Komisioni Evropian hedh poshtë të gjitha mashtrimet dhe gënjeshtrat që shpërndahen çdo ditë lidhur me shifrat e papunësisë, duke harruar se sot çdo tregues i tregut dhe i ekonomisë është sa kombëtar aq edhe ndërkombëtar. Ky raport është i para pak ditëve, por ne jemi përpjekur tu themi shqiptarëve të vërtetën. Ne nuk pretendojmë për një të vërtetë rozë, por pretendojmë se reformat tona kanë mbrojtur vendin nga një krizë që po rrënon ekonomitë përreth. Ndaj dhe ne vendosëm paketën e dytë të reformave shumë të rëndësishme, të cilat do të japin efektin e pritshëm nga më së shpejti, tremujorin e 4-t të këtij viti, kurse më të ndjeshëm vitin e ardhshëm. Nuk e japin tani.
Theksojmë përsëri se llogaria rrjedhëse në këtë tremujor është përmirësuar ndjeshëm dhe përmirësimi i saj, rënia e saj nga minus 13 në minus 10.7 të GDP është rezultat i rritjes së eksporteve me 12 % dhe uljes së importeve me 9,6 %.
Inflacioni vjetor u ul në 2,4 %, çka do të thotë se rrogat dhe pensionet u rritën pothuajse mesatarisht mbi tre herë indeksin e çmimeve. Deficiti buxhetor i vitit të kaluar, për këta që bërtasin, ishte 3.4 %, nga 3.5 % që ishte në vitin 2011. Pra, në vitin më të vështirë, pasi 2012 ishte një vit me vështirësi serioze për shkak të dimrit të paprecedent, për shkak të anomalive serioze që u krijuan në sistemin e ndërmarrjeve energjetike, pasi e gjithë problematika e madhe që krijoi CEZ u pasqyrua gjerësisht në KESH, në OSP, u pasqyrua gjerësisht në buxhetin e shtetit i cili u detyrua të nxjerrë nga fondi i tij dhjetëra e dhjetëra milion euro për të blerë energji në mënyrë që të mos rritej çmimi dhe bëmë shumë mirë.
Dy muajt e parë të vitit 2013, thotë, të ardhurat u rritën me 0.8 %, e vërteta është që tre muajt e parë të ardhurat janë rritur me mbi 3.5 %. Pra në qoftë se trendi i 2012 ishte ulja, trendi i 2013 është rritja e qartë. Borxhi publik arriti në 61, 5, borxh të cilin qeveria për këtë vit e ka parashikuar tek 62,6 dhe pas këtij viti fillon kthesa. Borxhi publik në mënyrë graduale do të zbritet. Ky është zotimi ynë solemn, sepse ato qëllime që ne kishim me borxhin po shkojnë drejt realizmit dhe projekti ynë përballohet edhe duke ulur borxhin tani.
Këto janë të dhënat tona kryesore dhe janë të dhënat më pozitive. Tre vende veçohen Islanda, Turqia dhe Shqipëria. Edhe Kosova ka rritje, por Shqipëria e ka rritjen më të shëndetshme dhe Shqipëria ka tregues të tjerë më të konsoliduar, ndaj dhe ata që bëjnë kollagjerin, bëjnë mirë ti lexojnë këto raporte. Nuk i pëlqejnë por këto janë të vërteta. Më mirë se sa të thonë erdhi Fondi Monetar tek ne, tek mendja e tyre, më kujtojnë një frazë të atit të tyre shpirtëror se “Ma thotë kjo radakja ime se në këtë katërkëndësh ka naftë”. Dhe pastaj i kalonte në hell ata që në atë katërkëndësh nuk gjenin naftë. Edhe ky ,tha tani , Fondi Monetar erdhi tek ne, tek opinioni ynë, ekonomisti i shquar që thotë se borxhi duhet të matet nga banka si % e GDP-së.
Sot, rendi i ditës është i ngjeshur , po sot ne edhe njëherë shtyjmë aftët e përdorimit për dy vjet të letrave me vlerë dhe dyfishojmë përqindjen e përdorimit të tyre në të gjitha destinacionet e miratuara deri tani. Kjo bëhet me qëllim që të valorizohet edhe më tej dhe unë ftoj qytetarët që ti përdorin ato në tregun e letrave me vlerë dhe të mos i mbajnë se ky është një shans real që qeveria krijon për përdorimin e tyre. Edhe njëherë ju rikujtoj se letrat me vlerë nuk janë lekë, por janë letra me vlerë dhe tregu i tyre është treg i lirë , ndaj dhe është mirë ti përdorin sipas interesit të tyre ekonomik.
18/04/2013