Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e promovimit të librit "Historia e Dilplomacisë" e Prof. Eqerem Zenelaj

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mbrëmje në ceremoninë e promovimit të librit "Historia e Dilplomacisë" e studiuesit Prof. Eqerem Zenelaj. Kryeministri Berisha i shprehu Prof. Zenelajt falënderimet për kontributin e tij në hulumtimin e të vërtetave të historisë shqiptare dhe në pasurimin e herëpashershëm të fondit të Muzeut Kombëtar, ndërsa e quajti librin e tij një traktat të shkëlqyer për diplomacinë botërore.
Në përshëndetjen e tij, me këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh:
“I shpreh mirënjohjen Profesor Eqerem Zenelaj për punën që ka bërë për dekada për ndriçimin e të vërtetave shqiptare kudo në Europë dhe në botë, duke hedhur dritën e të vërtetës mbi dokumente, fakte të një rëndësie të madhe historike. Për Profesor Zenelajn, pasioni i tij sigurisht ka qenë doktrina shkencore e historisë, por mbi të gjitha e historisë së kombit të tij. Këto dekada hulumtimesh të mëdha janë kurorëzuar me gjetje ndër më të rëndësishmet. Të dashur miq, vetëm pak muaj më parë profesor Eqerem Zenelaj i dhuroi Muzeut Kombëtar, fondit të tij për Skënderbeun, një numër të madh veprash të artit pamor, të piktorëve më të mëdhenj të kohës, duke e bërë kështu galerinë e Skënderbeut në Muzeun Kombëtar, e cila pa diskutim është edhe galeria qendrore e historisë së shqiptarëve, një nga galeritë më të pasura.
Veprat dhe studimet e tij janë të karakterizuara nga dashuria e madhe, nga përgjegjësia e lartë e studiuesit, nga përkushtimi i tij drejt të vërtetës. Ato kanë pasuruar shumë historinë tonë në të vërtetat e saj. Vetëm pak muaj më parë, Prof. Eqerem Zenelaj, i frymëzuar nga 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, solli këtu, deklaratën e pavarësisë së Shqipërisë, të firmosur e vulosur nga kolosët e kombit nga Ismail Qemali, duke plotësuar kështu procesin e këtij akti historik madhor të shqiptarëve, shpalljen e pavarësisë në qytetin e Durrësit.
Janë të shumta veprat, me të cilat ai ka pasuruar fondin e historisë sonë. Fond që duhet ta pranojmë, për dekada e më shumë ishte gjysmë i ngujuar, gjysmë i ndaluar. Sot, ai sjell flamurin autentik që u valëvit për herë të parë si simbol i pavarësisë së shqiptarëve. Edhe ky është një kontribut i madh, për aq sa kanë rëndësi simbolet.
Prof. Eqerem Zenelaj paraqitet sot para nesh, me një traktat të shkëlqyer për diplomacinë botërore. Traktat, i cili pasuron jo vetëm fondin e literaturës shqipe, por edhe më gjerë. Një nga traktatet më të mira, më të pasura e më të qarta për diplomacinë e rolin e saj. Ne shqiptarët kemi pasur takimet tona me diplomacinë botërore, herë-herë të hidhura siç kanë qenë ato të fillimshekullit të shkuar, por herë-herë edhe kryekëput në anën tonë si Rambuje apo procese të tjera, ku diplomacia botërore u angazhua në mbështetje të çështjes sonë të drejtë.
Edhe një herë dua me shumë mirënjohje, i dashur mik, të të falenderoj e të uroj shumë suksese në kërkimet tuaja, në pasurimin gjithnjë e më të madh të historisë së këtij vendi, me të vërtetat e tij. Faleminderit.”
15/04/2013