Kryeministri Berisha takon Sekretarin e Përgjithshëm të Interpol-it, zotin Roland Noble

- Kryeministri Berisha i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm të Interpol-it, për stacionimin e një përfaqësuesi të policisë shqiptare pranë Interpol.
Sot, Kryeministri Berisha priti në një takim të veçantë Sekretarin e Përgjtihshëm të Interpol-it, zotin Roland Noble. Kjo është hera e parë që një Sekretar i Përgjithshëm i Interpol-it viziton Shqipërinë.
Sekretari i Përgjithshëm i Interpol-it, zoti Roland Noble përgëzoi Kryeministrin Berisha për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit dhe vlerësoi me nota shumë pozitive bashkëpunimin midis Interpolit dhe autoriteteve shqiptare. Duke vlerësuar faktin se kjo ishte vizita e parë në Shqipëri e një zyrtari të tillë të lartë të Interpolit, zoti Noble i kërkoi zyrtarisht kryeministrit Berisha, që Shqipëria të stacionojë një oficer të policisë shqiptare në zyrat qendrore të Interpol-it. Kryeministri miratoi kërkesën duke shtuar se kjo ishte një shenjë e rritjes së besimit të partnerëve ndërkombëtare ndaj policisë shqiptare.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e informoi zotin Noble për përpjekjet dhe progresin e bërë Shqipëria në luftën kundër krimit të organizuar, ku gjatë katër viteve janë shkatërruar mbi 206 grupe të krimit të organizuar dhe janë arrestuar mbi 1000 element kriminale. Kryeministri vuri në dukje se tashmë niveli i krimit në Shqipëri është më i vogël se mesatarja e Bashkimit Evropian. Ndër të tjera, Kryeministri Berisha shtoi se në sajë të përpjekjeve të qeverisë shqiptare, në këtë luftë, është ulur ndjeshëm trafiku i drogës dhe trafiku i qenieve njerëzore. Kryeministri i bëri të ditur zotit Noble se qeveria shqiptare do të rishikojë dhe ashpërsojë ligjin për konfiskimin e aseteve që rrjedhin nga aktiviteti kriminal. Gjithashtu kryeministri vlerësoi bashkëpunimin me fqinjët në luftën kundër krimit të organizuar.
13/07/2009