E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i AAK-së z. Ramush Haradinaj uron Kryeministrin Berisha për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare

Kryeministri Sali Berisha ka marrë një telegram urimi nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, zoti Ramush Haradinaj, me rastin e fitores në zgjedhjet parlamentare.

Në urimin e tij, zoti Haradinaj u shpreh:

“I nderuar z. Kryeministër,

Në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) më lejoni t’ju uroj për fitoren e së djathtës dhe Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. AAK dhe unë personalisht konsiderojmë se fitorja e koalicionit të djathtë do të mundësojë zhvillimin dhe vazhdimin e mëtutjeshëm të reformave të nisura në Shqipëri si dhe përgatitjen e vendit për integrimet evropiane.

AAK uron të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrjen masive në këto zgjedhje si dhe për një mbarëvajtje të admirueshme gjatë gjithë procesit zgjedhor. AAK është e bindur se Shqipëria me këtë nivel të zgjedhjeve të lira dhe demokratike ka dëshmuar se është vendi i cili respekton parimet demokratike dhe është e gatshme për t’iu bashkangjitur familjes së madhe të Unionit Evropian.

AAK është e bindur se ky proces zgjedhor, i cili ka përshkruar një nivel të lartë të demokracisë do të ndihmojë edhe Republikën e Kosovës për proceset demokratike dhe zgjedhore që e presin përpara. AAK beson se së shpejti edhe në Kosovë do të triumfojë e djathta.

Sinqerisht,

Ramush Haradinaj”.


13/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›