E Diel, 1 Nëntor 2026

KRRTRSH miraton masterplanin për zhvillimin e integruar të zonës energjetike dhe industriale të Porto Romanos

Kryeministri Berisha kërkoi kontraktimin e një kompanie për kryerjen e një studimi që përcakton kapacitetet e termocentraleve me gaz, biomasë, naftë apo qymyr, me ndotje nën kufijtë e lejuar. “Mjedisi i pastër është deviza e veprimtarisë sonë, ndaj ne ruajmë ndjeshmërinë maksimale ndaj interesave të qytetarëve dhe të vendit.”  

Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH) në mbledhjen e sotme miratoi masterplanin për zhvillimin e integruar të zonës energjetike dhe industriale të Porto Romanos, në Durrës, me sipërfaqe  810 hektarë.

Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë projekt tepër të rëndësishëm, që do ta shndërrojë Porto Romanon në një nga zonat industriale më të fuqishme të vendit.

“Kjo, - u shpreh Kryeministri - do të jetë zona më e fuqishme industriale e vendit, që do të gërshetojë një nga nyjet energjetike më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Ballkanit dhe një nga zonat industriale më të fuqishme të zhvillimit të vendit.“

Kryeministri Berisha kërkoi që krahas studimit ekzistues të bëhet edhe një studim tjetër për të përcaktuar kapacitetet e termocentraleve me gaz, biomasë, naftë apo qymyr, të cilat, mbi këto kapacitete, prodhojnë ndotje nën kufijtë e lejuar.

“Ka një studim që bën një farë vlerësimi dhe përcaktimi se në çfarë shkalle mund të ndërtohen termocentralet, ç'kapacitete mund të ndërtohen, por kërkohet dhe është e domosdoshme që të bëhet një studim për të përcaktuar kapacitetet e termocentraleve me gaz, biomasë, naftë, qymyr, të cilat, mbi bazën e këtyre kapaciteteve, prodhojnë edhe një ndotje që nuk mund të jetë kurrë ndryshe, veçse nën kufijtë e lejuara. U ndërtua TEC-i në Vlorë dhe është dy herë nën standardin europian. Edhe në këtë rast, ne nuk kemi asnjë lloj babëzie dhe nuk udhëhiqemi nga asnjë gjë tjetër, por së pari vëmë mjedisin dhe standardin, pastaj nën të përcaktojmë kapacitetet. Ne nuk kemi asnjë paragjykim është me qymyr, është me gaz apo është me naftë, e rëndësishme është që të mos prodhojë ndotje që nuk e përmban standardi”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Mjedisi i pastër, u shpreh më tej Kryeministri, është deviza e veprimtarisë sonë, ndaj ne ruajmë ndjeshmërinë maksimale ndaj interesave të qytetarëve dhe të vendit.  

“Një studim paraprak ekziston dhe ne duhet të kontraktojmë një kompani ndër më seriozet, e cila të na përcaktojë qartësisht se cilat do të jenë kapacitetet energjetike që ne do të mund të ndërtojmë në atë zonë, pa cenuar aspak standardet qoftë për qytetin, qoftë për zonën tjetër mbi gjirin e Lalzit, për të cilën ka projekte jashtëzakonisht të rëndësishme prej miliarda euro investime.”  


14/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›