E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takon Stafin e Albanian Excellence

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim stafin e projektit Albanian Excellence, që ka botuar një libër me 100 histori suksesi të shqiptarëve në botë.   Albanian Excellence është një projekt, i cili ka nisur në fillim të këtij viti, me qëllim evidentimin e historive të suksesit profesional dhe njerëzor të shqiptarëve të të gjitha trojeve dhe atyre që jetojnë në botë.   Projekti gjeti mbështetjen e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, e cila në punën e saj, si agjencia më e madhe e informacionit në vend, kishte databasën e saj sistematike të shqiptarëve të ikur nga vendi, sidomos mbas viteve '90.

Kryeministri, përgëzoi  ideatorët e këtij projekti, duke u shprehur se sot është ora globale dhe aty ku japin më shumë qytetarët e këtij planeti, aty kanë të drejtë të shpalosin dhe potencialin e tyre, por fakti që mbajnë lidhje me vendin e origjinës është shumë pozitiv.  "Ne kemi një program, i cili do të përpiqemi të funksionojë gjithnjë e më shumë. Ne synojmë të mbështesim 'excellencët' shqiptarë dhe kemi një projekt me të cilin synojmë të sjellim celebritete shqiptare nga mbarë bota, përfundimisht ose përkohësisht në Shqipëri. Ju ftoj edhe ju që të kontribuoni, sipas profesioneve që keni në Shqipëri, dhe qeveria është e gatshme të përpunojë mekanizmat në këtë drejtim", u shpreh Kryeministri .  

Kryeministri i qeverisë i njohu të pranishmit me ecurinë e vendit vitet e fundit sidomos me arritjet në fushën ekonomike, në arsim, shkencë, etj. Kryeministri tha se, "në fushën e arsimit shtatë vjet më parë kemi pasur nivel të ulët të të diplomuarve në universitete, në shifrën prej 3.4 %, ndërsa sot 71% e gjimnazistëve studiojnë në universitete. Qëllimi ynë është të mbledhim sa më shumë fonde për arsimin dhe të nxisim garën mes sektorit publik e privat".

Kryeministri u ndal edhe në arritjet në fushën e shëndetësisë, duke theksuar se Shqipëria është vendi i tretë në Europë me akses më të lehtë në sistemin shëndetësor.

Duke u ndalur tek projektet në infrastrukturë, Berisha tha se në vitin 2006 kishim 2 434 kilometra rrugë të asfaltuara, ndërsa sot janë mbi 10 mijë kilometra.

Lidhur me situatën ekonomike në vend, kryeministri Berisha tha se kriza është ndjerë, por reformat e mbrojtën ekonominë shqiptare nga recesioni.

Drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica e falenderoi kryeministrin për pritjen, ndërsa ideatorja e këtij projekti, Flora Nikolla, i dhuroi kryeministrit Berisha librin "Albanian Excellence 2012-100 histori suksesi në 100-vjetorin e Pavarësisë" dhe skulpturën e përgatitur me këtë rast.


24/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›