E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha ndalet në Librazhd për të parë nga afër mozaikun me flamurin kombëtar i realizuar me gurë të përzgjedhur nga vende ku janë zhvilluar beteja për mbrojtjen e trojeve shqiptare ndër shekuj

Pas festimeve të 100 vjetorit në qytetin e Elbasanit, Kryeministri Berisha u ndal ne qytetin e Librazhdit për të vizituar punishten e mjeshtrit gurgdhendës, Gëzim Hidri, i cili ka realizuar mjeshtërisht në një mozaik, flamurin kombëtar, mozaik i cili është realizuar me gurë të përzgjedhur nga vende ku janë zhvilluar beteja për mbrojtjen e trojeve shqiptare ndër shekuj. Për ndërtimin e këtij mozaiku është punuar pa ndërprerë për  4 muaj , më qëllim përfundimin e tij para datës 28 nëntor. I kënaqur nga puna e mrekullueshme që është bërë, skulptori Hidri i ka treguar kryeministrit Berisha se ndërtimi i këtij mozaiku ka një domethënie të veçantë. Mozaiku do të jetë një dhuratë për qytetarët e Tiranës në 100-vjetorin e Pavarësisë. Ky mozaik i cili do të çelë edhe festimet e pavarësisë në kryeqytetin shqiptar do të vendoset pranë Urës së Tabakëve

Kryeministri pasi bëri një apoteozë për simbolin më të çmuar të shqiptarëve, simbol të krenarisë dhe identitetit tonë , përgëzoi artistin Gëzim Hidri për pasionin dhe punën e tij duke e cilësuar një dhuratë që Librazhdi i bën Shqipërisë për 100 vjetorin e Pavarësisë.

Ne fjalën e tij Kryeministri u shpreh:

 “Unë u njoha nëpërmjet ekraneve televizive me këtë krijim të mrekullueshëm tuajin. Ky 100 vjetor ka qenë një moment i madh frymëzimi, ndoshta më i madhi në tërë historinë tonë. Ky 100 vjetor frymëzoi piktorë, shkrimtarë artistët për të derdhur  dashurinë e tyre në vepra krijuese të mrekullueshme, por edhe unë duhet ti falenderoj me shumë mirënjohje të gjithë këta  për kontributin e çmuar, por frymëzimi yt ka qenë për mua më mbresëlënësi.  Ju përzgjodhët atë çka është më eprori, ju përzgjodhët simbolin tonë më të fuqishme më frymëzues më të shkëlqyer përzgjodhët flamurin tonë kombëtar për ta shkrirë e për ta derdhur në gurë, për ta përjetësuar në një mozaik  artistik kaq të bukur.  Tek ju shihja në ekranet televizive më shkoi mendja menjëherë tek Marigoja që qëndisi flamurin që u valëvit në Vlorë. Pas 100 vitesh ti qëndis me gurët e kësaj toke, flamurin e Skënderbeut në 100 vjetorin e Pavarësisë, flamur që sot ka pushtuar më shumë se kurrë mendjet dhe zemrat e mbarë shqiptarëve. Flamur që valëvitet sot në çdo zemër shqiptari, valëvitet në dritare, banesa, zyra në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe unë dua t’ju përgëzoj ju dhe kjo është dhurata më e bukur e jetës suaj, që ju i bëni  kombit tuaj që Librazhdi i bën Shqipërisë. Edhe njëherë urimet më të përzemërta. Ky qëndron dhe do të qëndrojë me dinjitet në shekujt.  Artistë e qytetit tuaj që kanë zgjedhur në këtë 100 vjetor për ti dhuruar vendit një kryevepër artistike të pavdekshme, flamurin kombëtarë në mozaik, i cili do të qëndrojë krenarë në shekuj në muzeun e kombit shqiptarë në muzeun historik si një dhuratë  e çmuar e qytetarëve të këtij qyteti dhe rrethi  të mrekullueshëm, që ka aq shumë kontribute në historinë kombëtare në nderim të këtyre kontributeve, por në nderim të të gjithë shqiptarëve shpirtrat e të cilëve prehen sot të qete në mozaikët e këtij flamuri”.


25/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›