E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Zv.sekretarin amerikan të Mbrojtjes Gordon England

- England: Shqipëria do të jetë anëtare e denjë dhe partner serioz i Aleancës së Atlantikut të Veriut

Në ditën e dytë të qëndrimit në Washington, Kryeministri Berisha pati një takim me Zëvendëssekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së z. Gordon England. Takimi u zhvillua në frymë të ngrohtë e tepër miqësore. Kryeministrit Berisha falënderoi z. England për punën dhe angazhimin institucional dhe personal të tij për ta parë Shqipërisë sa më parë anëtare të aleancës më të fuqishme të globit, NATO.

Më tej z. Berisha e njohu nga afër zyrtarin e lartë amerikan me punën dhe përpjekjet e pandërprera të qeverisë shqiptare, që deri në momentin e fundit të anëtarësimit në prill 2009, do të punohet me të njëjtin ritëm dhe përkushtim, për të merituar dhe për t’u prezantuar me dinjitet përpara vendeve anëtare te të NATO-s.

Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit janë beteja me të cilat qeveria shqiptare ndeshet dita ditës, por me gjithë rezultatet e mëdha, akoma edhe më të mëdha janë përpjekjet e qeverisë për të thelluar më tej këto rezultatet, vijoi më tej Kryeministri.

Duke u ndalur tek reformat për modernizimin e administratës publike. Z. Berisha e njohu Zëvendëssekretarin e Mbrojtjes England me përmbysjen e thellë që ka ndodhur në procedurat administrative me aplikimin e programeve më moderne si prokurimet elektronike, regjistrimi elektronik i bizneseve, etj., duke merituar denjësisht dhe mbështetjen e programit Sfida e Mijëvjeçarit.

Nga ana e tij, Zëvendëssekretari Mbrojtjes England shprehu kënaqësinë tij për sukseset e Kryeministrit Berisha, seriozitetin dhe përkushtimin me të cilin po drejtohen këto reforma. Ai shprehu bindjen e tij se Shqipëria do të jetë tashmë një anëtare e denjë dhe partner serioz i Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke konfirmuar bashkëpunimin gjithnjë e në rritje mes vendeve dhe qeverive tona.


05/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›