Kryeministri Berisha takon Senatorin John McCain
Në mbyllje të takimeve të ditës së dytë të qëndrimit në SHBA, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Senatorin e njohur John McCain, kandidat presidencial në zgjedhjet e fundit presidenciale.
Kryeministri Berisha e falënderoi Senatorin McCain për pritjen e rezervuar, si dhe për gjithë përpjekjet dhe kontributin në dobi të çështjes shqiptare.
Më pas, Kryeministri Berisha e njohu z. McCain me procesin e anëtarësimit në NATO, si dhe me reformat e qeverisë që ndikuan në përshpejtimin e këtij procesi.
Pas pasqyrës së zgjeruar të bërë nga z. Berisha për luftën ndaj krimit te organizuar dhe korrupsionit, reformat ekonomike, shndërrimin e imazhit të Shqipërisë në një vend tërheqës dhe i sigurt për investimet e huaja, Senatori McCain vlerësoi sukseset e qeverisë shqiptare dhe reformat e qeverisë si shumë mbresëlënëse.
Më tej, z. McCain u interesua për rrugët dhe mënyrat për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke vlerësuar rolin e palëkundur të Shqipërisë në kuadër të partneritetit dhe aleancës me SHBA-të.
Biseda u përqendrua edhe në çështjen e Kosovës. Senatori McCain është një mbrojtjes dhe luftëtar i kësaj çështjeje.
Kryeministri Berisha dhe Senatori McCain ndanë pikëpamje të njëjta edhe për sa i përket të ardhmes së zgjerimit të aleancës së NATO-s, misionit në Afganistan, etj..
Në përfundim të takimit, z. McCain, duke vlerësuar punën e Kryeministrit Berisha, shprehu bindjen se në të ardhmen marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë e qeverisë shqiptare do të jenë më të afërta.
Senatori McCain është një nga anëtarët më aktivë të Kongresit amerikan në mbrojtje të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare.
05/02/2009