E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon ambasadorin indonezian Immanuel Robert Inkiriwang

Kryeministri Berisha priti sot në një takim ambasadorin indonezian Immanuel Robert Inkiriwang

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen  kryeministri Berisha i shprehu ambasadorit Inkiriwang ngushëllimet më të sinqerta të tij dhe të qeverisë shqiptare për fatkeqësinë natyrore të tërmetit  që goditi ishullin indonezian të Sumatrës dhe që shkaktoi humbjen tragjike të mijëra jetëve njerëzore si dhe dëme të konsiderueshme materiale dhe financiare.

Ambasadori Inkiriwang  falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe mbështetjen që Kryeministri Berisha dhe qeveria shqiptare i treguan vendit te tij në këtë moment fatkeqësie natyrore të përmasave të rënda.

Gjatë këtij takimi u vlerësuan marrëdhëniet politike shumë të mira që ekzistojnë mes dy qeverive dhe të dy vendeve dhe vendosmëria për të intensifikuar kontaktet politike në nivelet më të larta. Ambasadori indonezian i përcolli Kryeministrit Berisha urimet më të përzemërta të Presidentit të Indonezisë Susilo Bambang Yudhoyono për rikonfirmimin e tij kryeministër i Shqipërisë. Më tej, në takim u diskutua për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat mes dy vendeve dhe për hapat konkrete që pritet të meren në vijim për kompletimin e të gjithë kuadrit ligjor të bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe për nxitjen e  investitorëve indonezianë për investime në Shqipëri veçanërisht në fushën e turizmit, por edhe në fusha të tjera,si edhe programe të tjera bashkëpunimi në fusha si ajo e kulturës etj.


13/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›